Banorët e fshatit Pallçisht që 20 vite kanë ujë vetëm dy orë brenda ditës

    Protestë në fshatin Pallçisht

    Mbi 1200 shtëpi, me rreth 2500 banorë në fshatin Pallçisht, me dekada të tëra po vuajnë mungesën e ujit për pije. Janë ndërruar disa kryetarë të komunës së Bogovinës, dhe secili prej tyre, ka premtuar ndërtimin e ujësjellësit, por premtimi i tyre nuk u realizua asnjëherë.

    Së fundmi, banorët revoltën e tyre e shprehën edhe me bllokim të rrugës, madje duke kërcënuar për vazhdim të protestave edhe para komunës. Por kreu i komunës së Bogovinës Besnik Emshiu, doli para banorëve dhe tha se fillimi i punimeve për ndërtimin e ujësjellësit ishte çështje ditësh. Dy javë më vonë, në terren nuk ka nisur asnjë aktivitet.

    “Jo jo ende nuk kanë filluar punimet. Thanë do nisin, por s’ka gjë ende. Ujë kemi vetëm dy orë, nga ora gjashtë deri në orën tetë, më shumë s’ka, krejt shkojmë në Novakë apo Tetovë mbushim ose blejmë, kështu 15-16 vjet jemi”, tha një banor.

    “Thonë që do nisin punimet po s’janë askund. I bllokuam udhët kurse do fillojë  po s’janë duke punuar. E lodhshme është bë më, kërkojmë ku ka burime të pastra shkojmë mbushim ujë për pije”, u shpreh një banor tjetër.

    “Jo vetëm protesta po do shkojmë edhe para komunës do e bllokojmë, se pak duken bllokimi i udhës. Ky është kryetari i tretë  i komunës që ka premtu po më s`kemi edhe ne çka të bëjmë andaj ka ardhur puna tek protestat”, theksoi një banor.

    Vizituam edhe kreun e komunës së Bogovinës Besnik Emshiu për të marrë prononcim se përse nuk kanë filluar ende punimet në Pallçisht. Emshiu premtoi sërish se punimet do të nisin së shpejti.

    “I kam informu banorët e Pallcishtit se projektin e ka fituar firma nga Kallniku dhe presim afatet e ankesa që edhe kanë kalu ndoshta dhe të fillojmë punimet me ujin e fshatit Pallçisht.  Për Momentin për Pallçishtin punohen edhe dy projekte tjera, njëri është i kanalizimit që financohet nga ministria e Ambientit dhe komuna e Bogovinës dhe veçmë në terren janë gjeometrat, dhe projekt tjetër në Pallcisht është bekatonizimi i rrugëve që veçmë jemi marrë vesh me banorët e fshatit Pallçisht”, tha Besnik Emshiu, Kryetyar i komunës së Bogovinës.

    Banorët, janë kërcënuar se nëse deri javën e ardhshme nuk fillojnë punimet për ujësjellësin, do të riaktivizojnë bllokimin e rrugës rajonale Tetovë-Gostivar dhe do të protestojnë edhe para objektit të komunës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ushqim do të ketë, nuk priten probleme me importin, por a do të ketë shtrenjtime të reja?!

    Lajmi i rradhës

    MPJ i reagon ministres ruse: Maqedonia është shtet sovran që vendimet e veta i merr në mënyrë të pavarur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë