MPSDR vlerëson se Shabani ka shkelur ligjin dhe të drejtat e fëmijëve në “Pranvera” — ky i fundit mohon akuzat

    Në lidhje me marrjen e kompetencave të kryetarit të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabanit te kopshti për fëmijë “Pranvera”, ka reaguar Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, përcjell Nistori.

    Pas një kontrolli inspektues në  IPKKF “Pranvera” në Vrapçisht, është konstatuar se komuna e Vrapçishtit, pasi i janë hequr kompetencat kryetarit të komunës për pjesën e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor të institucionit dhe caktimin e ushtruesit të detyrës drejtor të institucionit nga Ministria, e ka marrë automjetin e institucionit parashkollor (në pronësi të komunës), edhe pse në qershor të vitit 2021 i është dhënë institucionit parashkollor në përdorim për një kohë të pacaktuar”, raportoi Ministria.

    Ministria vlerësoi se kryetari e komuna janë duke shkelur Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, pasi nga muaji shkurt, shpërndarja e ushqimit për 40 fëmijët kryhet në kushte të vështira me automjete private.

    “Sot, më 10 shkurt 2025, me urdhër të komunës, në objektin kryesor të kopshtit të fshatit Vrapçisht, që është pjesë përbërëse e shkollës, është shkyçur ngrohja dhe rryma në temperaturën -5 gradë celsius”, raportoi Ministria, duke vlerësuar se autoritetet lokale po shkelin të Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

    Ndryshe Komuna e Vrapçishtit ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Ministrisë për Politika Sociale, Demografi dhe Rini, duke i cilësuar ato të pabaza dhe të paargumentuara në lidhje me shkeljen e të drejtave të fëmijëve në çerdhen “Pranvera.”

    “Është e vërtetë se Inspektorati përkatës ka marrë pa të drejtë kompetencat e Komunës në lidhje me emërimin e drejtorit të çerdhes “Pranvera” dhe tani këto kompetenca i ka Ministria, e cila ka shkelur vetë të drejtat e fëmijëve me emërimin e drejtorit nga radhët e edukatoreve,” deklaron Komuna.

    Sipas Komunës së Vrapçishtit, ky vendim ka lënë fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç pa edukatore për rreth 10 ditë, duke përbërë një shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, konkretisht nenit 100, paragrafi 1, alineja 4, i cili parashikon një numër adekuat të edukatoreve dhe stafit ndihmës në çerdhe.

    “Përveç kësaj, përbën shkelje të ligjit fakti që drejtori aktual i çerdhes kryen edhe detyrën e edukatorit, gjë që është në kundërshtim të plotë me Rregulloren për Standardet dhe Normativat për Ushtrimin e Veprimtarisë së Çerdheve,” shtohet në reagim.

    Komuna thekson gjithashtu se drejtori i çerdhes nuk ka shpallur ende asnjë konkurs për plotësimin e vendeve të lira të punës, siç është i detyruar nga ligji, dhe se nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë për mbështetje pranë Komunës.

    Përsa i përket akuzave mbi heqjen nga përdorimi të veturës që shpërndan ushqim në çerdhe, Komuna e Vrapçishtit i ka mohuar ato kategorikisht, duke i cilësuar si tërësisht të pabaza.

    “Ndërprerja e energjisë elektrike nuk ka të bëjë aspak me përgjegjësitë e Komunës. Ngarkimi i Komunës me një veprim të tillë është një shpifje që paraqet bazë për padi ligjore,” deklaron Komuna.

    Komuna e Vrapçishtit ka bërë të ditur se do të ndjekë rrugë ligjore për të mbrojtur interesat e saj dhe të sigurojë që fëmijët në çerdhen “Pranvera” të kenë shërbime të përshtatshme dhe cilësore. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Rezultatet e KQZ për 97.71% të votave të numëruara

    Lajmi i rradhës

    A do të ketë dënime ndaj tregtarëve që kanë rritur çmimet pa asnjë arsye!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë