Mundësia e punësimit sezonal, përfshirë pensionistët dhe personat nën 18 vjeç, do ta përmirësojë pjesërisht situatën me mungesën e stafit në sektorin e turizmit, por nuk do ta zgjidhë plotësisht problemin, pasi stafi me cilësinë më të lartë dhe profesional tashmë është larguar nga vendi, kryesisht në Kroaci, ku pagat janë disa herë më të larta. Por zgjidhja e re ligjore është ende hap i mirë që ekspertët e kanë kërkuar gjatë kohë.
“E keni këtë edhe në vendet e BE-së. Përvoja ime është në Hungari, ku në mungesë të fuqisë punëtore, po punësojnë pensionistë. Mendoj se kjo është më mirë sepse tani jeta e punës po zgjatet në botë. Ai personel që është i aftë të përfshihet në këtë proces, edhe pse është në moshë më të shtyrë, mund të përdoret, kurse me përvojën, njohuritë dhe moshën e tyre, ata mund t’u përgjigjen sfidave”, tha Naume Marinoski- profesor në Fakultetin e Turizmit në Ohër.
Kryetari i Shoqatës së Hotelierëve, Kërste Bllazheski, thotë se një zgjidhje e tillë do të jetë pozitive për ta dhe për ata që pranojnë të punojnë, sepse për shkak të pensioneve të ulëta do t’u sjellë atyre të ardhura shtesë, por edhe për shtetin. Në varësi të mundësive, ata do të punësohen në punë më të lehta. Ai thotë se me kalimin e viteve kanë punësuar një numër të caktuar pensionistësh me kontratë pune, por që kjo çështje tani është e rregulluar ligjërisht. Megjithatë, ofruesit e shërbimeve ushqimore do të përpiqen ta lehtësojnë problemin duke importuar punëtorë nga jashtë.
Vitin e kaluar, kjo rezultoi e pasuksesshme, pasi një pjesë e mirë e atyre që erdhën nga Nepali, Bangladeshi dhe Filipinet, në mes të sezonit turistik, u larguan brenda natës pa paralajmërim. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme Kroate, vetëm në vitin 2023, 13,412 punëtorë nga Maqedonia kanë punuar në Kroaci, ndërsa këtë vit pra vitin 2025, ky numër pritet të kalojë 15,000. Sipas sektorit të turizmit të Ohrit dhe Strugës, atyre u mungojnë rreth 7,000 punëtorë gjatë sezonit kryesor turistik. /Alsat/