Mungesa e reformave në media, si një ndër shtyllat e demokracisë në të cilat vendi çalon

    “Qeveria do të vazhdojë të insistojë që deputetët, pa zvarritur, në gjysmën e parë të vitit 2022 në Kuvend ta finalizojë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të trupave drejtues të RTVM-së dhe Agjencisë së mediave…”, thuhet në Programi i Qeverisë Kovaçevski.

    Ky premtim i Qeverisë nuk u realizua as në këtë afat. Ai mbeti i parealizuar as në dy mandatet e qeverisë së Zaevit. Reformat në media ishte ndër çështjet kryesore të Marrëveshjes së Përzhinës, kusht me të cilin partia e Zaevit erdhi në pushtet. Zotimi i partive në Përzhinë ishte që reformat të fillojnë nga dy institucionet më të rëndësishme. Ndryshimet ligjore për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillit programor të RTVM-së dhe të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuale u miratuan në fund të vitit 2018 kurse gjashtë muaj më vonë, të dy institucionet duhet të ishin me anëtarë të rinj, dhe si rrjedhojë, me plan dhe strategji të re pune. Konkursi u anulua kurse në vitin 2021 u rishpallë. Që atëherë, në Kuvend nuk është hapur më kurrë kjo pikë për diskutim. Legjitimiteti i anëtarëve aktual në të dy institucionet është diskutabil. Nëse konkursi do të përsëritet për herë të tretë, nuk e din as LSDM-ja.

    “Reformat në media sigurisht se janë të nevojshme megjithatë për momentin vërtetë nuk mund të ndajë me ju ndonjë informacion”, tha Sanella Shkrijel, deputete e LSDM-së.

    Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja thonë se është pushteti ai që refuzon të diskutojë për reformat në media.
    Në intervistë ish-ndërmjetësuesi në Marrëveshjen e Përzhinës, nga ku buruan këto reforma, thotë se është e rëndësishme që mediat të reformohen thellësisht.

    “E para kemi televizionin shtetërorë i cili duhet të reformohet në mënyrën e duhur si një vizion vërtetë i pavarur dhe të jetë një qendër për gjithçka që duhet të thuhet dhe të shihet në vend. Kjo është e pakta për një televizion kombëtar shtetëror. Në anën tjetër janë mediat e tjera dhe unë mendoj se këtu shumë e rëndësishme është që të ndahet ndikimi politik nga media. Media në të gjitha rastet, edhe kur është private edhe shtetërore duhet të jetë e pavarur”, tha Piter Vanhojte (Peter Vanhoutte), ish ndërmjetësues në Marrëveshjen e Përzhinës.

    Përgjegjësia, thotë Vanhojte, është e të gjitha partive politike.

    “Nuk është vetëm qeveria por ka të bëjë gjithashtu më të gjitha partitë politike. Ata të gjithë në parlament para së gjithash duhet të merren vesh: Po, le të bëjmë një reformë thelbësore në media”, shtoi ai.

    Mungesën e reformave në media e ka theksuar e ritheksuar edhe Komisioni Evropian në raportet e progresit, si një ndër shtyllat e demokracisë në të cilat vendi çalon.

    “Unë akoma e shoh dinamikën e njëjtë, problemet e njëjta. Jam shumë i lumtur të them se ju si Alsat bëni përjashtim në këtë gjë. Gjithmonë kur flas për këtë unë ju lavdëroj për nivelin e lartë të pavarësisë dhe cilësinë e informacionit që jepni. Të gjithë mediat duhet ta bëjnë këtë”, theksoi Piter Vanhojte (Peter Vanhoutte), ish ndërmjetësues në Marrëveshjen e Përzhinës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Në këtë gjendje të krizës kurrë s’kemi qenë”

    Lajmi i rradhës

    Migrimi i të rinjëve në RMV | Shumë të moshuar kanë mbetur vetëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë