Mungon insulina për pacientët në Tetovë

    Qytetarët e Tetovës të cilët marrin terapinë e Insulinës, janë ankuar se gati se një javë mungon insulina. Kjo madje është edhe e theksuar në tabela informuese për pacientët ku shkruhet se mungon insulina, shiriti dhe aparati për matjen e sheqerit në gjak.

    “Ju informojmë se Insulinë dhe shiringa për matjen e sheqerit nuk do të ketë për një kohë të pacaktuar. Të nderuar pacientë ju informojmë se nuk disponojmë me aparate për matjen e sheqerit në gjak”, qëndron në njoftim. Rushit Rushiti, ankohet se ka disa ditë që nuk mund të merr insulinën për bashkëshorten e tij, sepse mungon në Spitalin Klinik të Tetovës.

    Ai për këtë fajëson Ministrinë e Shëndetësisë e cila nuk ka siguruar insulinë. Këtë përgjigje e ka marrë qytetari nga Tetova, në institucionet shëndetësore në Tetovë.

    “Ishim këtu për të marrë insulinë dhe thonë se nuk ka. Ministria nuk na ka sjellur dhe ne kthejmë prapë, jo vetëm unë por shumë persona kthehen pa marrë insulinën. Një lloj ka, disa lloje nuk ka. Probleme kemi pasur edhe në të kaluarën por nuk e kanë zgjatur kaq shumë si kësaj radhe. Ne pa insulinë çka do të bëjmë. E marr për bashkëshorten”, thotë Rushit Rushiti, banorë i Tetovës.

    Shkaku i mungesës së insulinës është përkeqësuar gjendja e bashkëshortes së tij.

    “Ajo merr insulinë dy herë në ditë, dridhet trupi, sëmundja e sheqerit është shumë e keqe. Isha në drejtori, na thanë se do të na lajmërojnë dhe do të merremi vesh. Kjo ishte e tëra. Apeloj që sa më shpejtë të na sigurojnë insulinë”, thotë Rushiti.

    Mjekët thonë se terapia me insulinë është e obliguar për pacientët sepse ata duhet në kohë ta marrin atë. Sipas informacioneve jozyrtare pacientët furnizohen me insulinë në rrugë të tjera, duke huazuar nga pacient të tjerë, apo të njëjtën e zëvendësojnë me barna. Pacientët një herë në muaj janë të obliguar që të marrin terapinë e insulinës, ndërsa në çdo katër muaj duhet që të marrin vërtetim nga mjeku amë dhe të njëjtin e dorëzojnë tek mjeku specialist ndërsa receta vlen poashtu katër muaj.

    Sipas informacioneve të fundit, në muajin nëntor të vitit të kaluar në Tetovë janë regjistruar mbi 4000 pacientë me insulinë-terapi. Kërkuam përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për mungesën e insulinës në Tetovë, por nga atje ende nuk kanë dhënë sqarim për këtë problematikë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mbi 7.800 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

    Lajmi i rradhës

    EKONOMIA BOTËRORE NUK ËSHTË NËN KONTROLLË | Kujdes me harxhimet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë