Përqindja e përfundimit të Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në qershor do të jetë pak më e ulët se në dhjetor, tha ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani në konferencën e sotme për shtyp me rastin e një vjetorit të qeverisë. Megjithatë, Murtezani beson se fondet evropiane nuk janë nën kërcënim, por tha se ato potencialisht mund të jenë nëse reformat nuk përfundojnë me sukses brenda afatit shtesë njëvjeçar.
“Kjo do të thotë që në qershor 2026 ato do të jenë në rrezik sepse atëherë do t’i humbasim, ndërsa deri atëherë fondet do të jenë në dispozicion për ne”, tha Murtezani.
Lidhur me pesë hapat me afat deri në dhjetor, i cili u zgjat deri në shkurt 2025, Murtezani tha se pritet raporti formal, i cili duhet të jetë gati deri në fund të muajit. Ai shtoi se burimet financiare të planifikuara për reformat do të shpërndahen sipas suksesit të zbatimit të tyre. Lidhur me reformat me afat deri në qershor 2025, ministri bëri thirrje për të pritur edhe një ditë.
“Javën e kaluar dhe sot jemi në komunikim intensiv me të gjitha institucionet. Ajo që ishte një dobësi herën e fundit… do të thotë se të gjitha udhëzimet për finalizimin e hapave mbërritën tekstualisht pas afatit për zbatimin e reformave. Tani ka një pamje pak më të qartë, por një pamje më e qartë do të thotë një proces edhe më kompleks”, tha Murtezani.
Ai shtoi se paraprakisht, mesatarja e përgjithshme në rajon për përmbushjen e agjendës së reformave të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor është rreth 50-60 përqind zbatim i suksesshëm.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Shtatë përqind ose 52.5 milionë euro janë para që shtetet i marrin paraprakisht për të zbatuar këto reforma. Ato RMV-së i janë paguar tashmë në mars të këtij viti. Pjesa tjetër do të vijë në këste, varësisht nëse shteti do t’i përmbushë reformat brenda afatit të premtuar. Secila prej 136 aktiviteteve ka afat të caktuar. Nëse qeveria e përfundon aktivitetin brenda këtij afati, ajo i dërgon një raport Komisionit Evropian, i cili përfshin edhe dëshmi të punës së bërë. Komisioni, brenda pesëmbëdhjetë ditësh, e shqyrton dhe vlerëson progresin dhe, nëse është i kënaqshëm, e miraton pagesën e parave. Nëse një detyrim nuk përmbushet në kohë, ka një periudhë prej një viti në të cilën vendi mund ta korrigjojë atë. Për të përdorur plotësisht fondet, reformat duhet të përfundojnë deri në dhjetor 2027.