NDËRMARRJET PUBLIKE NË RMV NË KRIZË FINANCIARE

    Ndërmarrjet publike lokale në Maqedoninë e Veriut po përballen me një situatë serioze financiare, me humbje të theksuara, borxhe në rritje dhe llogari bankare të bllokuara. Sipas hulumtimit më të fundit të Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ), mbi 55 për qind e ndërmarrjeve publike kanë punuar me humbje gjatë vitit 2024, ndërsa humbjet totale arrijnë në rreth 80 milionë euro. Të dhënat e analizës tregojnë se numri i ndërmarrjeve që operojnë me minus është rritur ndjeshëm – nga 54 në vitin 2023 në 71 ndërmarrje në vitin 2024. Përveç humbjeve, shqetësuese janë edhe borxhet, të cilat, të matura përmes detyrimeve afatshkurtra, kapin vlerën e 193 milionë eurove. Plot një e treta e ndërmarrjeve publike lokale kanë llogaritë bankare të bllokuara, duke rrezikuar funksionimin normal të shërbimeve publike.

    “Nga gjithsej 128 ndërmarrje publike lokale, 126 nuk i kanë shlyer detyrimet e tyre afatshkurtra. Kjo tregon për një problem të thellë dhe afatgjatë në menaxhimin financiar”, thuhet në analizën e QKQ-së.

    Ndërmarrja me borxhet më të mëdha është “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” i Shkupit, me detyrime afatshkurtra prej 53.3 milionë eurosh. Pas saj renditet Ndërmarrja e Transportit Publik “Shkupi” (JSP), me borxhe gati 17 milionë euro, ndërsa “Ujësjellësi” i Kumanovës dhe “Komunalec” i Gostivarit kanë borxhe rreth 10 milionë euro secila. Në vendin e pestë është “Higjiena Komunale” e Shkupit, me rreth 8 milionë euro borxhe. Sipas QKQ-së, dhjetë ndërmarrjet më të ngarkuara me borxhe përbëjnë rreth 40 për qind të borxheve totale, ndërsa 20 ndërmarrjet me borxhet më të larta mbajnë 53 për qind të borxhit të përgjithshëm. Gjithashtu, 41 ndërmarrje kanë llogari bankare të bllokuara, gjë që shpesh çon në vonesa të pagave, ndërprerje të pagesave ndaj furnizuesve dhe shtyrje të investimeve.

    Këto 128 ndërmarrje publike lokale punësojnë gjithsej 12.009 punonjës. Hulumtimi tregon se, megjithëse të ardhurat janë rritur me 2.7 për qind, shpenzimet janë rritur me 5 për qind, duke thelluar humbjet. Faktorë shtesë mbeten tarifat e ulëta të shërbimeve, kostot e larta të mirëmbajtjes dhe mungesa e investimeve në modernizim.

    Sipas German Filkov nga QKQ, bëhet fjalë për humbje sistemike të grumbulluara ndër vite. “Borxhet po rriten nga viti në vit dhe bëhet fjalë për rreth 200 milionë euro detyrime afatshkurtra, pa llogaritur ato afatgjata, të cilat do ta rrisnin edhe më shumë shifrën. Këto janë probleme strukturore që nuk po zgjidhen në kohë”, vlerëson ai. Ekspertët ekonomikë theksojnë se performanca e dobët lidhet drejtpërdrejt me menaxhimin e dobët dhe mungesën e përgjegjësisë. Sipas tyre, ndërmarrjet publike shpesh shndërrohen në objekt presioni politik për punësime, kanë struktura të paqëndrueshme drejtuese dhe funksionojnë në mënyrë joekonomike.

    “Transparenca, profesionalizmi dhe llogaridhënia duhet të rriten ndjeshëm. Pa reforma serioze në menaxhim, këto humbje do të vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetin publik dhe mbi qytetarët”, përfundojnë ekspertët. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mërgimtarët, kënaqësi dhe “infuzion” për ekonominë dibrane

    Lajmi i rradhës

    ZRRE-ja e ul çmimin për ngrohje në Prishtinë dhe Gjakovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë