NDËRMARRJET PUBLIKE NË RMV TË MBYLLURA DHE JO TRANSPARENTE!

    Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve publike nuk funksionojnë duke respektuar ligjet. Sidomos detyrimet ligjore që duhet të përmbushin për të luftuar korrupsionin. Vetëm 15% nga 44 ndërmarrjet publike posedojnë kushtet teknike për të vepruar sipas raporteve të denoncuesve dhe vetëm 19 prej tyre kanë caktuar një person të autorizuar për të vepruar në rastet e denoncimeve. Kështu konstatohet në studimin e publikuar nga Instituti për kërkime strategjike dhe edukim, ku mes të tjerash janë vërejtur anomali edhe në fushën e procedurave dhe praktikave të brendshme antikorrupsion. Pra, 23 ndërmarrje publike nuk kanë përgatitur plane vjetore për vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit (apo akte të ngjashme), 36 ndërmarrje publike nuk kanë akte për parandalimin e konfliktit të interesit dhe 37 ndërmarrje publike nuk kanë akte të brendshme për marrjen e dhuratave nga palët e treta.

    “Numri i denoncimeve, si dhe numri i ndërmarrjeve që kanë marrë denoncime, tregon se koncepti i denoncimeve është në nivel të ulët të zbatimit. Vetë fakti se vetëm 3 ndërmarrje publike kanë marrë denoncime në periudhën trevjeçare të analizës është e palogjikshme nëse merret parasysh se sipas një numri të madh të analizave dhe raporteve, shkalla e korrupsionit në RMV është në një nivel relativisht të lartë. Prandaj lind pyetja se pse numri i denoncimeve është i ulët. Shpjegimi tregon se ka munguar besimi besim tek institucionet (në këtë rast ndërmarrjet publike) se do të veprohej në mënyrën e duhur ndaj denoncimit, një shpjegim tjetër është se denoncuesit e mundshëm nuk janë të njohur me këtë mekanizëm, ndërsa shpjegimi i tretë do të ishte se denoncuesit potencial kanë frikë të raportojnë, për shkak të pasojave të mundshme në të ardhmen”, konstatohet në të.

    Analiza që mbështetet edhe nga Ambasada e SHBA-ve me titull “Studimi për vlerësimin e gjendjes për veprim ndaj denoncimeve të denoncuesve, transparencës dhe llogaridhënies të ndërmarrjeve publike” kontrollon edhe zbatimin në praktikë të mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies që përfshijnë në mënyrë të barabartë ndërmarrjet publike, por dhe themeluesit e tyre dhe shpreh shqetësim për nivelin e ulët të rasteve të denoncimeve.

    “Për sa i përket transparencës dhe disponueshmërisë të informacioneve për personin e autorizuar për pranimin e denoncimeve konstatohet se edhe ky segment i analizës është në nivel të ulët – vetëm 19 ndërmarrje publike kanë të dhëna në dispozicion në ueb faqen e tyre për personin e autorizuar për të pranuar denoncime dhe vetëm 7 ndërmarrje dorëzojnë raport. Një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike nuk kanë ueb faqe, kështu që kjo është arsyeja e nivelit të ulët të publikimit të të dhënave, kurse një pjesë e madhe e ndërmarrjeve që nuk kanë dorëzuar raporte, e bazojnë në konstatimin se nuk kanë pranuar denoncime nga denoncuesit”, thuhet në analizë.

    Në kuadër të këtij studimi është bërë analiza e mekanizmave të ndërmarrjeve publike të themeluara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale në katër rajonet – Lindjes, Pellagonisë, Pollogut dhe Shkupit) për periudhën 2020-2022. Gjithashtu, në kuadër të hulumtimit janë përfshirë edhe ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti (Qeveria). Në këtë studim janë analizuar gjithsej 44 ndërmarrje publike, nga të cilat janë dhënë të dhëna për 43 ndërmarrje dhe nuk janë marrë të dhëna nga një ndërmarrje. Gjithashtu, në studim janë përfshirë 19 themelues (18 komuna dhe Qeveria), nga të cilët janë dhënë të dhëna për 17 themelues (16 komuna dhe Qeveria), dhe nuk janë ofruar të dhëna për dy themelues. /koha/

    Lajmi Paraprak

    DËME TË MËDHA NË BLETARI: Mjaltë as për ilaç!

    Lajmi i rradhës

    Çfarë do të vendosin liderët gjatë samitit të NATO-s?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë