NDËRMJET KARRIERËS DHE FAMILJES! Si gratë në RMV të arrijnë balancin?

    Rolet në familje dhe karrierë janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën pasi në ditët e sotme të pasurit një karrierë, edhe për femrat është po aq e rëndësishme sa për meshkujt. Kjo si pasojë e emancipimit të shoqërisë e cili ka bërë që roli i femrës të ndryshojë dhe të mos jetë i lidhur vetëm me jetën dhe punën e familjes, por edhe me një karrierë jashtë shtëpisë. Edhe pse pajtohen se stili i shpejtë i jetesës sjell shumë sfida, qytetarët kanë pikëpamje të ndryshme nëse një grua mund që njëkohësisht të ketë edhe karrierë të suksesshme edhe familje të shëndoshë. “Ju mundeni. Nëse në mëngjes gruaja është në punë, pasdite ka kohë për punët dhe për fëmijët”, tha K.D.

     Derisa për këtë qytetare një grua mund t’i bëjë të dyja, për një qytetare tjetër për shkak që gruaja duhet të punoj – nuk ka kohë as për fëmijët, as për shtëpinë.

    “Dikur jetonim me një rrogë, mund të ndërtonim edhe shtëpi, lekët ia vlenin pasi sistemi në vend ishte i rregulluar, ndërsa tani nuk kemi asgjë. Për shkak që gruaja duhet të punojë, nuk ka kohë as për fëmijët as për shtëpinë”, tha M.S.

    Për Katerina Zllatanovska-Popova konsulente për zhvillimin e karrierës, është vështirë t’i japësh përgjigje të thjeshtë kësaj pyetje pasi është një dilemë e përjetshme dhe një sfidë e vërtet në shumë aspekte.

    “Në fillim do e trajtoja kuptimin e fjalës ‘i suksesshëm’ qoftë në karrierë, nënë apo grua, dhe do të theksoja se çdo grua ka lirinë ta interpretojë atë në mënyrën e saj unike. Ajo që për mua është sukses mund që për tjetrin mos të jetë njëjtë, dhe pikërisht për këtë pritshmërit tona dhe presioni janë arsyeja më e zakonshme që ne ndjejmë se po dështojmë në një fushë. Tjetër që do trajtoja është fakti se ndërtimi i karrierës është i ndryshëm për çdo person. Dhe së fundi, nuk mendoj se familja dhe karriera përjashtojnë njëra tjetrën dhe se është çështje e njërës apo tjetrës. Personalisht, nuk do doja të mendoja se nëse jam e suksesshme në karrierë nuk jam një nënë apo grua e mirë dhe anasjelltas”, tha Zllatanovska-Popova.

    Sipas saj, në Maqedoninë e Veriut, për momentin po jetojmë më shumë sfida të ndryshme, dhe në një situatë mjaft komplekse për shkak të digjitalizimit dhe daljes së fuqisë punëtore cilësore, por edhe kushtet dhe pritshmërit e njerëzve.

    Hane Osmani, sociologe, vlerëson se janë disa faktor të cilët e pengojnë dhe e zbehin funksionimin e familjes apo anashkalojnë karrierën, për t’i dhënë përparësi njërës ose tjetrës.

    “Presioni sociale, mos-përgatitja ose frika për të qenë grua ose nënë duke dashur të plotëson vetëm egon personale, mbingarkimi i gruas në ndarjen e detyrave familjare, si dhe financat, janë vetëm disa nga faktorët për shkak të cilave shumica e të rejave familjen e shohin në plan dytësor”, u shpreh Osmani.

    Sipas saj, nëse kthehemi disa dekada më herët, e para ishte familja dhe vlerat e saj, ndërsa me kalimin e viteve, me emancipimin, edukimin dhe arsimimi e gruas, e para renditet karriera.

    “Për të qenë një grua e formuar, fillimisht duhet të jesh familjare, grua për familje dhe për familjen të cilën duhet ta mbrosh me fanatizëm në shoqëri. Por të jesh karrieriste është vendim i rëndësishëm për shkak se ajo ndikon në shëndetin emocional, stabilitetin financiar, dhe ndikimin tonë në shoqëri, me theks të veçantë ndikimin tonë në përgatitjen e gjeneratave të reja”, theksoi Hane Osmani, duke shtuar më tej se familja është faktori kryesor në edukimin e gruas, ngase siç thotë ajo, familja luan rol të rëndësishëm në përcjelljen e vlerave familjare dhe formimin e personalitetit të saj.

    Ndryshe të dhënat e Entit Shtetërorë të Statistikave tregojnë se femrat në Maqedoninë e Veriut fitojnë më pak se meshkujt dhe janë më pak aktive në tregun e punës. Në vitin 2020, shkalla e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës ishte 45.7% në krahasim me shkallën e pjesëmarrjes së meshkujve në tregun e punës që ishte 67.1%. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Laboratori Shtetëror në RMV nuk mund të gjejë të punësuar për akreditimin e matjes së ndotjes së ajrit

    Lajmi i rradhës

    “Peshkimi” për punëtorë në RMV vazhdon!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë