NDËRRIMI I EMRAVE TË RRUGËVE | Qytetarët e Shkupit kanë probleme me nxjerrjen e dokumenteve

    Fotografia: Nistori

    Qytetarët e Shkupit nuk munden që në terminin e caktuar të nxjerrin pasaportë të re, letërnjoftim ose patentë shoferi pasi që nevojitet të dorëzojnë vërtetim nga Qyteti i Shkupit për emrin e rrugës, shkruan SDK.

    Që ta nxjerrin vërtetim nga Qyteti i Shkupit, qytetarët patjetër duhet të dorëzojnë fletëpronësi jo më të vjetër se gjashtë muaj, i cili kushton 250 denarë dhe të paguajnë taksë 50 denarë. Pastaj, vërtetimi nuk jepet menjëherë në sportelin në barakën numër 16, por duhet të presin prej 5 deri në 10 ditë.

    “Prej ku ta di se emri i rrugës time është ndërruar dhe se duhet të nxjerr vërtetim. Pse ato të dhëna nuk dërgohen sipas detyrës zyrtare nga Qyteti i Shkupit në MPB. Tërë ditën shkojmë nga një vend në tjetër vend që të mblidhen dokumentet dhe në sportelin e Qytetit na thonë se do të na arrijë sms-porosi kur të shkojmë ta marrim. Ka qytetarë që kanë caktuar procedurë urgjente për nxjerrjen e pasaportës për shkak udhëtimit, por kot nuk mund të marrin pasaportë të re pasi që e presin dokumentin nga Qyteti. Persona të moshuar maltretohen nga sporteli në sportel, dhe askush nuk ka dhënë kurrfarë njoftimi që ta dimë para se të caktojmë termin ta nxjerrim vërtetimin e nevojshëm”, thotë një banore e Komunës Gjorçe Petrov.

    Nga MPB thonë se me vendim të Qytetit të Shkupit janë ndryshuar emrat e rrugëve të Shkupit, gjatë së cilës janë selektuar 185 rrugë të reja për të cilat nevojitet vërtetim nga Qyteti i Shkupit me qëllim që të konstatohet gjendja momentale me emrin e rrugës me qëllim të tejkalimi ttë problemve të cilat janë krijuar menjëherë pas ndryshimit të emrave.

    “Ministria e Punëve të Brendshme nuk është konsultuar nga Qyteti i Shkupit para dhe kur është miratuar vendimi për ndryhsim të emrave të rrugëve, por ka obligim që vendimin e miratuar ta zbatojë. Qytetarët që kanë termin të caktuar dhe nuk kanë vërtetim nga Qyteti i Shkupit nuk duhet që të caktojnë termin të ri, pasi që do të shërbehen. Për familjet që kanë katër anëtarë nevojitet që të dorëzohet vetëm një vërtetim, nuk nevojitet në mënyrë të veçantë të dorëzohet vërtetim për çdo anëtar”, thonë nga MPB.

    Nga Qyteti i Shkupit thonë se kërkesa për dhënien e vërtetimit për adresë të saktë është pjesë përbërëse e procedurës administrative, në pajtueshmëri me nenin 93 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative në shkallë të parë, të ngritur me kërkesë, lëshohet më së voni deri më 30 ditë nga dita e dorëzimit të saj.

    “Duke e pasur parasysh karakterin e dokumentit, nga ana e Sektorit për Çështje Komunale në Qytetin e Shkupit, e njëjta përgatitet për 3 deri në 5 ditë pune, ndërkaq nëse duhet dokumentacion shtesë ose kontroll afati mund të prolongohet”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

    Portalb.mk gjatë vitit të kaluar nëpërmjet disa storjeve hulumtuese tregoi se si qytetarët maltretohen për nxjerrjen vërtetimit “për adresë të saktë”. Gjithashtu, jemi shpjeguar për absurditetin administrativ mes Qytetit të Shkupit dhe Kadastrës, dy institucione të cilat kërkojnë prej qytetarëve t’ua dëshmojnë vërtetësinë e dokumenteve, të cilët do të mund ta bënin vetë nëse do të ishin të lidhura me sistem të përbashkët elektronik. Por, kjo është vetëm maja e akullnajës, problemi është më i thellë, faji hidhet te njëri tjetri dhe për këtë qytetari shpenzon mund, para dhe kohë.

    Storjet mund t’i lexoni:

    1. Qytetarët enden prej komunave në Kadastër dhe anasjelltas, pasi institucionet nuk kanë sistem të përbashkët elektronik
    2. Mungesa e interoperabilitetit në institucionet e RMV-së ua merr nga 300 denarë qytetarëve (Infografik)
    3. Qyteti i Shkupit ka dorëzuar në Regjistrin Qendror emra të rrugëve për të cilat nuk ka pasur pajtueshmëri nga Qeveria
    4. Institucionet sipas “qejfit” e përdorin Platformën e Interoperabilitetit, qytetarët enden sporteleve (Infografik)
    Lajmi Paraprak

    SHKRIMTARI QË NA MUNGON

    Lajmi i rradhës

    LSDM: Shkupit po i ndodh një katastrofë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë