Ndërtesa pa leje kahmos në RMV, ndërsa inspektorët merren me gardhe

    Me telefon në dorë dhe inspektorë në terren kryetarja e Qytetit të Shkupit Shkupit, Danella Arsovska, pesë muaj para përfundimit të mandatit të saj filloi “gjuetinë” e ndërtimeve pa leje në Çair, duke e drejtuar gishtin nga kryetari i komunës, Visar Ganiu, si fajtori i drejtpërdrejtë, shkruan Prizma.

    “Brenda tre vjetëve ne kemi parandaluar mbi 150 përpjekje të paligjshme për legalizimin e objekteve pa leje”, shkroi ajo në Facebook dhe njoftoi një “serial” në të cilin do i publikonte të gjitha “veprimet dhe krimet e paligjshme të konstatuara dhe të parandaluara”. Provat i dorëzoi në prokurori.

    Edhe pse sipas Arsovskës Çairi ka një numër rekord të ndërtimeve pa leje, nga shkatërrimi urban nuk janë kursyer as komunat e tjera.

    BIRN u nis të kontrollojë nëse dhe sa komuna të Shkupit i identifikojnë dhe i shembin ndërtimet pa leje. Numri më i madh i komunave ose i injoruan pyetjet tona ose deklaruan se nuk kishin të dhëna. Të dhënat që i siguruam tregojnë qartë se në disa komuna ndërtimet nuk prishen aspak, në të tjera ato kryhen pjesërisht dhe atë vetëm kur në terren shfaqen gazetarët.

    Në të shumtën e rasteve vendime për prishjen e ndërtimeve ka për ndërtime më të vogla pa leje, siç janë tendat, tezgat, pllakat e betonit dhe pajisjet urbane. Vendimet për dërtesat afariste dhe banesore mund të numërohen me gishta. Kjo anarki urbane mundësohet nga mosreagimi i komunave dhe mungesa e inspektorëve ndërtimor.

    Moszbulimi dhe me këtë edhe mossankcionimi i atyre që ndërtojnë pa leje dhe sistemi i plogësht gjyqësor-administrativ i inkurajojnë të gjithë të tjerët të ndërtojnë kudo që duan.

    Një pjesë e tregut të ri në Draçevë është pa leje

    “Urdhëro komshi!“

    Këto janë fjalët e para në videon promovuese, të cilën në muajin dhjetor të vitit të kaluar e publikoi “Tregu i Shkupit” në Facebook. Videoja i fton banorët e Draçevës ta vizitojnë “tregun e ri modern dhe të mbyllur”, i cili ka mbi 30 dyqane dhe 60 tezga me fruta dhe perime në një sipërfaqe prej mbi 3.000 metra katrorë.

    Drejtori i kompanisë, Mlladen Damev, në hedhjen e gurthemelit në vitin 2023 deklaroi se tregu është “një nga ndërtesat më të njohura” në këtë lagje.

    Por, në prill të vitit 2025 një inspektor ndërtimor nga Komuna e Kisella Vodës, duke vepruar në bazë të një raportimi, konstatoi se një pjesë e tregut ishte ndërtim pa leje. Ne i dërguam pyetje komunës lidhur me atë se kur do ta shembte atë. Përgjigja ishte administrative: “Në periudhën e ardhshme do të veprohet në përputhje me rregulloret”.

    Директорот на компанијата, Мladen Damev, на поставувањето на камен-темелникот во 2023 година изјавил дека пазарот е „еден од најпрепознатливите објекти“ во оваа населба.

    Nga shoqëria aksionare në të cilën pothuajse gjysmën e aksioneve i ka kompania ZSF në pronësi të njërit prej ndërtuesve më të fuqishëm në vend, Fatmir Etemi, ndërsa gjysmën tjetër “Sovremen Dom” nga Prilepi, nuk dhanë përgjigje në pyetjet tona.

    Kufijtë e vijave të ndërtimit në Planin e Detajuar Urbanistik tregojnë se ky është një ndërtim pa leje. Analiza që kryem nëpërmjet Google Earth na tregoi se në parcelat ku sot është tregu më parë ka pasur ndërtesa më të vjetra. Kur janë shembur ato “Tregu i Shkupit” ka filluar të ndërtojë, por ndërtimet e reja i kanë tejkaluar dimensionet e lejuara të përcaktuara nga dokumenti i ndërtimit sipas Planit të Detajuar Urbanistik.

    Sipas vlerësimit të BIRN pjesa e cila del jashtë planit është rreth 1.000 metra katrorë.

    Rastësi apo jo, një muaj pas vizitës tonë fillestare dhe pas këmbënguljes për të marrë përgjigje nga komuna e drejtuar nga Orce Gjorgjievski, kur dolëm përsëri në terren pamë që ishte shembur betoni dhe ishte dëmtuar armatura e dy shtyllave mbajtëse në pjesën e papërfundur të tregut.

    Por, qasja për qytetarët dhe pronarët e lokaleve është e bllokuar. Skelat, platformat prej druri dhe shtyllat e betonit ende dëshmojnë se ndërtimi ka kaluar në një fazë më të avancuar.

    Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm i injoroi pyetjet tona.

    Në një rast tjetër, vetëm pak metra larg tregut të Draçevës, një pronar i një dyqani e ka zgjeruar lokalin e tij afarist dhe ka uzurpuar një pjesë të parcelës e cila është në pronësi të shtetit. Për katrorët “shtesë” ai ka marrë vendim për prishje në muajin prill të vitit 2023, pas çka pasuan ankesa.

    Komuna nuk e ka prekur ndërtimin pa leje plot dy vjet edhe krahas faktit se Ligji për Ndërtim parasheh që personi që ka ndërtuar pa leje mund të ankimojë, por ankesa e tij në asnjë mënyrë nuk e shtyn prishjen.

    Kur BIRN e inspektoi vendin më 24 prill, ndërtimi pa leje ende ishte aty. Dy ditë pas vizitës në terren dhe pas pyetjeve të drejtuara në komunë morëm një përgjigje të shoqëruar me fotografi ku mund të shihej një ekskavator si po prishte objektin e ndërtuar ilegalisht.

    Pajisje urbane që u mbijetojnë inspektimeve

    Në Aerodrom të Shkupit BIRN zbuloi një shembull të ndërtimit pa leje që u ka mbijetuar inspektimeve.

    Banorët që jetojnë në ndërtesën pas qendrës tregtare Tri Biseri në bulevardin Jane Sandanski prej vitesh po ankohen se një restorant po uzurpon hapësirën e tyre me pajisje urbane.

    Betejat e tyre ligjore kanë filluar që nga viti 2011. Atëkohë për herë të parë një inspektor komunal lëshoi një vendim për heqjen e tendës së restorantit, sepse ishte vendosur pa leje. Por ajo nuk u hoq. Betejat ligjore vazhduan përmes disa institucioneve. Nuk ka pothuajse as edhe një inspekor komunal nga i cili këta banorë nuk kanë kërkuar ndihmë.

    Një inspektor tjetër komunal vitin e kaluar arriti në përfundimin se shtegu për këmbësorë prej dy metrash e gjysmë pranë barit ishte i uzurpuar, pra “i penguar nga një tendë “, gjë që është në kundërshtim me lejen e Qytetit dhe duhet të jetë i lirë për këmbësorët që ata të mund të lëvizin lirshëm.

    Banorët e dëshpëruar vitin e kaluar rastin e kanë denoncuar edhe në Qytetin e Shkupit. Një inspektor ua ka marrë lejen për pajisjet hotelierike për shkak të shkeljeve.

    Pronari ka bërë ankesë në gjykatë. Një vit më vonë Gjykata Administrative vendosi që vendimi i inspektorit ka pasur mangësi, kështu që e urdhëroi atë që të dalë përsëri në terren dhe të kryejë një inspektim të ri. Nëse inspektori përsëri merr një vendim të ngjashëm, investitori përsëri mund të bëjë ankesë në gjykatë.

    Nga Komuna e Aerodromit nuk u përgjigjën nëse kanë vepruar lidhur me këtë dhe me vendime të tjera për prishjen e ndërtimeve pa leje, në mesin e të cilëve ka edhe një lavazh.

    Statistika që nuk zbulojnë gjithçka

    Enti Shtetëror i Statistikës mban evidencë për numrin e objekteve pa leje sipas komunave, por këto të dhëna i bazon vetëm në numrin të cilin e raportojnë vetë pushtetet lokale. Askush nuk e di se sa nuk janë zbuluar. Mjafton një vështrim i shpejtë në shërbimin satelitor të Google nga i cili lehtë mund të shihet se ndërtime pa leje mbijnë çdo vit.

    Kështu, për pesë vjet, 80 komuna kanë raportuar mbi 3.700 ndërtime pa leje, kryesisht gardhe, edhe pse para syve të qytetarëve po mbijnë edhe ndërtesa të tëra pa leje. Në Shkup në pesë vitet e fundit janë regjistruar 740 ndërtime pa leje.

    Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës Komuna e Sarajit, e Haraçinës dhe e Petrovecit nuk kanë raportuar asnjë ndërtim pa leje. Komuna e Çairit, e cila është në fokusin e publikut, nuk ka raportuar as edhe një ndërtim pa leje në tre vitet e fundit. Por, në vitin 2023, kolegët nga 360 Gradë vetëm në Çair dokumentuan rreth njëzet ndërtime që nuk ekzistonin kur kishte filluar procesi i legalizimit të tyre, shumë kohë pas afatit ligjor.

    BIRN kontaktoi me të gjitha komunat në Shkup dhe rrethinë me kërkesa për informacion me karakter publik. Nga komunat më të mëdha, vetëm nga tre morën vendime dhe procesverbale për prishje. Karposhi dhe Kisella Voda na u përgjigjën se nuk kishim të drejtë të kërkonim një informacion të tillë, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik.

    Krahas plogështisë evidente të komunave, problem është edhe mungesa e inspektorëve ndërtimorë. Një shembull i tillë është Haraçina. Ata janë munduar të bëhen me një inspektor të tillë përmes bashkëpunimit ndërkomunal, por nuk kanë pasur sukses. Sipas të dhënave në ueb-faqen e Inspektoratit Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm, inspektor ndërtimor nuk kanë 25 komuna në vend.

    Këtë gjendje e kanë shfrytëzuar si qytetarët ashtu edhe kompanitë dhe kanë ndërtuar pa leje, ndërsa komunat “kapën” vetëm një numër të vogël të ndërtimeve pa leje. Në Komunën e Aerodromit gjatë gjithë vitit 2022 ka pasur vetëm shtatë vendime për heqjen e ndërtimeve pa leje, si serra, pllaka betoni, tezga, gardhe, pajisje urbane…

    Në vitin 2023 ka pasur tre, ndërsa në vitin 2024 – 21 vendime. Gjendja nuk është më ndryshe as në Kisella Voda. Dy vendime në vitin 2022, pesë në vitin 2023 dhe gjashtë vitin e kaluar.

    Në vendimet për prishje të cilat i shqyrtuam, investitorëve u jepet një afat, zakonisht tre ditë, për t’i prishur vetë ndërtimet e tyre pa leje. Nëse nuk e bëjnë këtë, ndërtimet pa leje i prish komuna dhe fatura për prishjen paguhet nga investitori që ka ndërtuar pa leje.

    Procedimet penale përjashtim, jo rregull

    Çdo komunë shpall nga një tender në vit për prishjen e ndërtimeve pa leje. Shumat për angazhimin e kompanive që bëjnë prishjen janë pothuajse fikse. Për shembull, Komuna e Butelit ofron 11.000 euro për prishjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa Gazi Baba 65.000 euro. Fakti që ka tendera për prishje nuk do të thotë se ato zbatohen gjithmonë dhe plotësisht.

    Për shembull, Komuna e Aerodromit në vitin 2023 ka lidhur kontratë me kompaninë “Anizor Drashko” për një shumë prej 32.000 eurosh. Por, ai tender nuk u zbatua. Ngjashëm është edhe në komuna të tjera, si Buteli, Dibra, Makedonski Brod…

    Për ndërtime pa leje mund të shkohet edhe në burg, por vetëm nëse lënda arrin në gjykatë. Statistikat për numrin e procedurave penale tregojnë se ndërtimet pa leje rrallë herë ndiqen penalisht. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave për pesë vjet në gjykatat në të gjithë vendin janë zhvilluar gjithsej 295 procedura penale. Nga këto me vendim gjyqësor kanë përfunduar rreth një e katërta, ose 81.

    “Ne i kemi diskutuar këto probleme si në BNjVL ashtu edhe në nivele të ndryshme institucionale dhe qytetare”, thotë Pero Kostadinov, nënkryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNjVL).

    Ai thotë se situata me inspektorët ndërtimor në komuna është e keqe. Ai ësht i mendimit se nevojitet një zgjidhje sistemike për pavarësi dhe mbrojtje më të madhe të inspektorëve. Ai thekson se ekzistojnë edhe rreziqe për korrupsion, pasi inspektorët emërohen nga vetë kryetarët e komunave.

    “Duhet të arrihet, nga njëra anë, që inspektoratet të jenë të pavarura dhe funksionale, e nga ana tjetër, që ato të jenë mjaftueshëm të mbrojtura “, thotë Kostadinov.

    Dhe përderisa tema e ndërtimeve pa leje po konsumohet si municion politik i përditshëm, ndërtimi pa leje vazhdon, ndërsa investitorët, për shkak të kulturës së pandëshkueshmërisë, dalin vazhdimisht jashtë vijave të PDU-ve.

    Lajmi Paraprak

    UNICEF: 40% e fëmijëve në RMV përjetojnë varfëri shumëdimensionale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë