Ndërtimi mbetet një nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik në vend, duke reflektuar drejtpërdrejt investimet dhe aktivitetin në terren. Prandaj, në çdo qytet që shohim ndërtesa që ngrihen, rrugë që riparohen ose shtëpi të reja që ndërtohen, fshihet një histori e konsumit të madh të materialeve ndërtimore dhe energjisë. Por sa po kushton ky zhvillim si dhe sa po rriten shpenzimet për të ndërtuar e rindërtuar?
Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), bizneset e ndërtimit gjatë vitit 2024 kanë shpenzuar rreth 11.978.905 mijë denarë për materiale ndërtimore dhe energji, që përbën një rritje prej 1 për qind krahasuar me vitin 2023. Edhe pse rritja është e moderuar, ajo tregon vazhdimësinë e aktivitetit në sektor, me gjithë sfidat ekonomike dhe ndryshimet në treg.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve, thuajse 43 për qind e totalit, i përket materialeve lidhëse. Këto përfshijnë çimento, gëlqere, ngjitës dhe elementë të tjerë bazë që janë themeli i çdo ndërtimi. Në vlerë absolute, bizneset kanë harxhuar mbi 5.1 miliardë denarë vetëm për këto materiale, duke treguar se volumet e punimeve në terren mbeten të larta dhe ky sektor vazhdon të jetë aktiv.
Pas materialeve lidhëse, një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve shkon për lëndët djegëse, që përbëjnë 16.1 për qind të totalit, ose rreth 1.93 miliardë denarë. Kjo kategori përfshin energjinë e konsumuar për makineritë, transportin dhe ngrohjen në kantier, dhe është një tregues i rëndësishëm i kostove operative që lidhen me konsumimin e karburanteve dhe energjisë elektrike. Materialet përforcuese dhe fiksuese, si hekuri dhe çeliku, zënë rreth 11.8 për qind të shpenzimeve, me mbi 1.4 miliardë denarë të harxhuar.
Grupi i katërt më i madh i shpenzimeve janë materialet termike me 5.2 për qind, apo rreth 625 milionë denarë, që përfshijnë materiale për izolim termik dhe zgjidhje energjetike në ndërtim, tregues i një rritjeje të ndërgjegjësimit për efikasitet energjetik në ndërtime. Pas tyre vijnë materialet për mbarështim dhe mbrojtje me 4.8 për qind të totalit (rreth 572 milionë denarë), si dhe materialet elektroinstaluese me 4.6 për qind ose 552 milionë denarë, që përdoren për pajisjet elektrike dhe sistemet e ndriçimit.
Materialet për hidraulikë përbëjnë 3.5 për qind të shpenzimeve (rreth 420 milionë denarë), duke përfshirë tubacionet dhe sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimeve. Ndërkohë, materialet për punë të brendshme zënë 3.3 për qind (rreth 396 milionë denarë), ndërsa materialet për punë të jashtme dhe fasada përbëjnë 2.2 për qind (rreth 261 milionë denarë).
Në fund të listës janë edhe materialet për punë speciale dhe të tjera, që përbëjnë përqindje më të vogla, por gjithsesi të rëndësishme për plotësimin e punimeve ndërtimore.
Kjo strukturë e shpenzimeve tregon jo vetëm ku fokusohet aktiviteti kryesor i ndërtimit, por edhe ndryshimet e mundshme në kërkesat dhe teknologjitë që përdoren në fushën e ndërtimit në vend. Në përgjithësi, shpenzimet për materiale dhe energji në sektorin e ndërtimit në vitin 2024 tregojnë një sektor që po ecën me hapa të qëndrueshëm, duke përballuar sfida por edhe duke ruajtur ritmin e nevojshëm për zhvillim urban dhe ekonomik. /Koha/