Në Komunën rurale Qendër Zhupë, e cila në të kaluarën ka qenë territor i komunës Dibër, dhe rajoni mbante emrin Zhupa e Dibrës, me shumë sukses po realizohet aktiviteti humanitar si pjesë e Programit “Promovimi i vlerave humanitare” nga Kryqi i Kuq, organizatës PHB në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe shkollat e kësaj komune. Programi në fjalë ka patur një përkrahje të madhe në të dyja shkollat fillore komunale “Mustafa Kemal Ataturk” dhe “Nexhati Zekirija”, si edhe nga gjimnazi “Ata”.
Në kuadër të këtij projekti janë grumbulluar mjete financiare me çka pastaj janë siguruar ndihma në ushqim, veshmbathje dhe medikamente për personat e moshës së tretë dhe personat në nevojë.
Koordinatori i këtij programi për komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, Isni Telqiu, njëherësh Sekretar i organizatës të Kryqit të Kuq në Dibër, tregon se projekti ka qenë shumë i suksesshëm .
“Programi është mirëpritur edhe në këtë komunë rurale. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me pushtetin vendor, drejtoritë e shkollave fillore dhe të mesme, por edhe nga mbarë popullata. Projekti realizohet me sukses, dhe deri tani janë grumbulluar shumë mjete, me të cilët janë siguruar ushqime, veshmbathje dhe medikamente për 22 të moshuar dhe persona me probleme shëndetësore. Ka një masovitet maksimal nga nxënësit dhe prindërit e tyre. Është një popullatë ku ka një mërgim masiv, po ata që kanë mbetur këtu në vendlindje, janë humanist të mëdhenj. Shumë prindër që kanë fëmijë vijnë në shkolla dhe interesohen për të dhënë ndihma”, tregon Telqiu.
Edhe në të kaluarën, vijon më tej ai, ka patur në këtë komunë projekte të tjera nga sfera e humanizmit dhe projektet janë realizuar me shumë sukses. Është një popullatë me shpirt human, shton Telqiu.
Nxënësi i klasës 5, R.B. i shkollës fillore “Mustafa Kemal Ataturk”, ku mësimi realizohen në tre gjuhë – turqisht, shqip dhe maqedonisht, thotë se të gjithë nxënësit kanë sjellë ndihma. “Duam ti ndihmojmë të moshuarit meqë ka shumë të tillë që jetojnë të vetëm. Ata janë të pamundur, pasi fëmijët i kanë në Itali, Zvicër e Gjermani”. Edhe nxënësit M.F. dhe R.T. nga paralelet turke dhe maqedonase thonë se në klasat e tyre ka patur një angazhim maksimal në grumbullimin e ndihmave.
Projektet që janë të dedikuara për ndihmuar pleqtë dhe personave në nevojë për këtë komunë janë të mirëseardhur. Kryetari i Komunës Qendër Zhupë, Arijan Ibraim, ka deklaruar se mbi 70 për qind e popullatës është në migrim në Itali dhe disa shtete të tjera të Evropës. Kjo, sipas tij, do të thotë se në fshatrat e komunës ka shumë të moshuar që jetojnë të vetëm. “Atyre u duhet ndihmë. Në këtë komunë deri tani janë të angazhuar edhe 22 përkujdesës nga Ministria për Punë Social për të ndihmuar pleqtë dhe personat në nevojë, por projektet të këtilla si Programi për promovimin e vlerave humanitare janë shumë të mirëseardhur”, thotë Ibraim. /Koha/