NDIHMA PËR ZJARRET | “Miqtë e mirë në kohë të vështira”

    Temperaturat e larta të shkaktuara nga ndryshimet globale të klimës për disa vite me radhë bëjnë që vendi në muajt e verës të përfshihet nga zjarri, i cili për të tretin vit radhazi po shkatërron me intensitet të pashuar pyjet. Siç informuan nga Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK), gjatë 24 orëve të fundit ka pasur gjithsej 29 vatra zjarri, ndërsa shërbimet zjarrfikëse të ndihmuar nga ushtria, policia dhe helikopterët zjarrfikës të vendeve mike, prej disa ditësh po luftojnë intensivisht për parandalimin e zjarreve dhe flakëve të reja në vend.

    “Por ajo që lë përshtypje të fortë në opinionin vendas është ndihma e vendeve fqinje, të cilat edhe pse vetë përballen me rreziqe të larta shpërthimi zjarri për shkak të temperaturave të larta që kanë prekur Ballkanin, kanë dërguar pa rezerva pajisje avionësh dhe ekipe ekspertësh për shuarjen e zjarreve nga ajri. Serbia këtë javë dërgoi helikopterin zjarrfikës Kamov Ka-32 dhe ekuipazhin shtatë anëtarësh nga njësia e helikopterëve dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët ndihmuan në shuarjen e zjarreve në vend. Ndërkaq, aty mori pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se Serbia gjithmonë do ta ndihmojë Maqedoninë kur vendi është në vështirësi.

    Ndërkohë, një helikopter nga Serbia, dy helikopterë nga Sllovenia, dy avionë dhe një helikopter nga Turqia, një aeroplan nga flota zjarrfikëse e BE-së nga Kroacia dhe një aeroplan nga Rumania janë mobilizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, njoftoi Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend, ku theksuan se me shpejtësi iu përgjigjën kërkesës së Qeverisë për ndihmë në përpjekjet me zjarret e mëdha në pyje.

    “BE-ja ka qenë gjithmonë aty për Maqedoninë e Veriut në kohë të vështira. Ndihma jonë e shpejtë dhe thelbësore përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, i cili ofron mbështetje jetike për përpjekjet lokale në luftën kundër zjarreve shkatërruese në pyje”, tha David Geer, ambasador i Bashkimit Evropian në vend.

    Nga ana tjetër, siç njoftoi Ministria Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, javën e kaluar ministri Timço Mucunski ka pasur biseda telefonike për trajtimin e zjarreve me kolegun e tij nga Greqia, Giorgos Gerapetritis, me ministrin aktual Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg, ministrin e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Luminita Odobesku, ministren për Punët e Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Gërliq Radman.

    “Ne vlerësojmë shumë gatishmërinë e miqve tanë nga Austria, Greqia, Rumania, Sllovenia dhe Kroacia për mbështetje në trajtimin e zjarreve aktive në pyje. Një hap i tillë është shprehje solidariteti, i cili është i domosdoshëm për tejkalimin e këso lloj sfidash. Me këtë rast dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për ndihmën e dhënë, i cili është një simbol shtesë i miqësisë sonë shumëvjeçare”, tha Mucunski.

    Ndryshe, në vend, aktualisht janë shtatë zjarre aktive në ambiente të hapura edhe atë në: Komunën e Shtipit (dy zjarre), Makedonski Brod, dy zjarre në Komunën e Çashkës dhe dy zjarre në Komunën e Dollnenit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Përse është kaq e vështirë të lësh duhanin?

    Lajmi i rradhës

    BE heq vizat për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë