Ndotja e ajrit në kryeqytet vazhdon të jetë e lartë. Indeksi i ndotjes gjatë ditës ishte 167, duke e renditur Shkupin në pozitën 14 në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti tha se dihet që shkaktarë më të shpeshtë të ndotjes janë industritë dhe amvisëritë që djegin dru dhe përdorin dru jo adekuatë për ngrohje. Mexhiti theksoi se inspektorët janë në terren dhe për të gjithë ata që janë shkaktarë do të shqiptohet gjobë.
“Do të punojnë në mënyrë intensive, tanimë qeveria ka ndërmarrë edhe masa, inspektorët tani më janë në terren, ka edhe dënime. Por ka nevojë që të rritet numri i inspektorëve, pasi është numri i vogël që të kenë mbulim në të gjithë Maqedoninë”, deklaroi Izet Mexhiti, Ministër i Ekologjisë.
Këshilltari i kryeministrit për mjedisin jetësor, tha se Qeveria ka paraparë program për uljen e ndotjes së ajrit.
“Me këtë program janë të mbuluara të gjithë ndotësit në vendet urbane dhe është bërë një program kompleks prej 20 projektesh të cilat merren me zgjidhje të mundshme…Janë të përfshira më shumë programe për amvisëritë të cilat duam ti kyçim që ato të hyjnë në program, ti subvencionojmë që të përdorin naftë të pastër, ti ofrojmë dru zjarri të thatë të cilat më pak ndotin”, u shpreh Dame Dimitriovski, këshilltar i mjedisit jetësor.
Me fillimin e sezonit të ngrohjes ndotja e ajrit dukshëm është rritur, posaçërisht në qytetin e Shkupit, i cili radhitet ndër qytetet me ndotjen më të lartë. /Alsat