Në Maqedoninë e Veriut, ndotja e ajrit është një problem serioz që ka ndikim jo vetëm në mjedisin, por edhe në aspektet ligjore. Kjo u theksua gjatë një diskutimi lidhur me efektet e ajrit të ndotur në shëndetin publik, ku mori pjesë edhe Shoqata e Juristëve të Rinj (SHJR). Ata ngritën shqetësime për situatën ligjore dhe pasigurinë e mbrojtjes së qytetarëve nga ky fenomen. Shoqata shpreh shqetësimin se gjykatat nuk po ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme ligjore për qytetarët e rrezikuar nga ndotja e ajrit.
Ata theksojnë se, megjithëse ekzistojnë vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykatat vendase nuk janë duke siguruar një mbrojtje efektive ligjore. Sipas tyre, institucionet nuk kanë marrë përgjegjësinë për mungesën e strategjive të ajrit të pastër.
“Për të arritur progres është e nevojshme të rriten fondet buxhetore për monitorim, pajisje, inspektime, reforma institucionale. Pa investime reale, lufta kundër ndotjes mbetet vetëm deklarative. Nga ana tjetër, pa transparencë qytetarët nuk mund të ushtrojnë presion për përmirësimin e situatës. Publiku rrallëherë ka qasje në informacione të detajuara për masat që po ndërmerren dhe efektet që ato kanë në cilësinë e ajrit”, theksoi SHJR.
Ndërkohë, shoqata ka ngritur padi kundër disa institucioneve shtetërore, përfshirë Qeverinë, Ministrinë e Mjedisit, dhe disa komuna, si ajo e Shkupit, Manastirit dhe Strugës. “SHJR-ja ka iniciuar procedura juridike kundër Qeverisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Qytetit të Shkupit, Komunës së Manastirit dhe Komunës së Strugës. Paditë kanë të bëjnë me menaxhimin e pahijshëm të mbetjeve, ndotjen dhe moszbatimin e ligjeve mjedisore dhe shkeljen e të drejtave të njeriut si pasojë”, njoftuan nga atje.
Një tjetër problem i madh është mungesa e burimeve të mjaftueshme për mbikëqyrjen e mjedisit. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit kishte vetëm 17 inspektorë në vitin 2024, dhe vetëm 15 inspektorë në vitin 2025, të cilët duhet të mbikëqyrin të gjitha instalacionet mjedisore në vend. Në nivel lokal, numri i inspektorëve është akoma më i ulët, gjë që krijon një hendek të madh në zbatimin e ligjeve.
Po ashtu, të dhënat për ndotjen janë të pasakta. Rrjeti shtetëror i monitorimit ka pasur probleme të mëdha. Për shembull, stacioni i monitorimit në Manastir 1 nuk ka dhënë të dhëna për 187 ditë në vitin 2018, ndërsa në Manastir 2 për 192 ditë. Të dhënat për PM 10 dhe PM 2.5 kanë pësuar një rënie të ndjeshme në vitin 2023, krahasuar me vitin 2002.
Në aspektin e politikës së ndëshkimit, shumica e dënimeve për krime mjedisore përfundojnë me gjoba financiare dhe jo me dënime me burg. SHJR vlerëson se shumica e procedurave penale për krime të lehta mjedisore nuk arrijnë të ndëshkojnë ndotësit e mëdhenj.
“Në nivelin lokal, vetëm 6.25 për qind e komunave të Maqedonisë kishin plane lokale të vlefshme për mjedisin gjatë periudhës 2016-2023. Ky fakt tregon se shumica e pushteteve lokale nuk kanë një qasje strategjike për përmirësimin e gjendjes mjedisore”, tha SHJR.
Ndër të tjera, nga shoqata thanë se nuk ka një Plan Kombëtar të Veprimit për Mjedisin aktiv, pasi plani i fundit kishte vlefshmëri deri në vitin 2012, dhe asnjë Plan Kombëtar për Mbrojtjen e Ajrit, i cili kishte vlefshmëri deri në vitin 2018. Mungesa e këtyre dokumenteve do të thotë që nuk ka një qasje strategjike dhe afatgjatë për luftimin e ndotjes së ajrit. /Koha/