Në Bërnjarcë mësimi zhvillohet në klasa të improvizuara

    Moti me diell edhe sot ju dha një mundësi fëmijëve të fshatit Bërnjarcë që të improvizojnë klasë në ambient të hapur dhe ta realizojnë procesin mësimor larg bankave shkollore, për shkak të bojkotit që nga fillimi i vitit të ri shkollor. Në shkollën periferike “Kërste Misirkov” në fshatin Bërnjarcë mësojnë pak nxënës në paralelet në gjuhën maqedonase. Pas përfundimit të mësimit të këtyre nxënësve shkolla mbyllet ndërkohë që rreth 60 nxënës shqiptarë që jetojnë në këtë fshat detyrohen që mësimet t’i ndjekin në shkollat e Haraçinës. Ndërsa bojkoti i mësimit vazhdon, fëmijët e klasës së pestë po luajnë rolin e mësuesit që fëmijëve më të vegjël t’ua mësojnë shkronjat dhe numrat.

    “Ne kemi dal dhe e kemi bë një klasë jashtë me i mësu më të vegjlit. Çka po ju mëson, çka po ju ndihmon? Shkronjat. Cilën shkronjë po e mësoni? Shkronjën “S”. Na mungon shkolla shumë, kemi humb shumë prej mësimeve. Ato shoqet që janë në shkollë na tregojnë, ne i mësojmë në shtëpi”.

    “Unë jam klasa e pestë, kemi dal jashtë ti bëjmë detyrat. E kush të ka tregu se çka keni detyra? Shoqet që janë në shkollë në Haraçinë. Kemi humb shumë prej shkollës, na mungojnë shokët dhe shoqet’.

    “Shumë keq që nuk kemi shkuar në shkollë gati një muaj. Po mblidhemi të gjithë fëmijët e mëhallës dhe po dalim me I bë detyrat. Më shumë ju ndihmojmë atyre që janë klasa e parë dhe e dyta. Po ua mësojmë shkronjat A,B,C, të gjitha . Po ju ndihmojmë edhe me lexu”.

    Autoritetet lokale të Gazi Babës edhe pse shumë herë u takuan me prindërit në tentim të gjetjes së zgjidhjes, tani për Alsat thonë se problemi nuk mund të zgjidhet ashtu siç kërkojnë prindërit, sepse deri tani nuk ka kurrfarë kërkese që fëmijët të mësojnë në këtë shkollë. Por të kundërtën pohon Këshilli i prindërve. Sipas kësaj komune e vetmja zgjidhje është sigurimi i transportit për në shkollat e Haraçinës.

    Ne e përgënjeshtrojmë këtë sepse kemi dokument, datë kur kemi qenë dhe kur kemi bë kërkesë. Mirëpo, tash kur dëshiron me hedh gurin e me fsheh dorën ajo është veç më diçka tjetër. Me datë, me ditë e me të gjitha, kemi qenë edhe në komunë. Sikur të mos ishte i informuar, ai, as në takim nuk do të na priste, ne kemi pas edhe takime me të por nuk ka shpreh vullnet të kryhet ky problem”, tha Ekrem Saliu, Këshilli i Prindërve.

    Ndërsa institucionet përgjegjëse mbyllin sytë ndaj nxënësve shqiptarë të fshatit Bërnjarcë, këto të fundit do vazhdojnë të mësojnë vjersha e poezi kushtuar shkollës. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Turizmi në RMV nuk mund të zhvillohet pa Ligjin e menaxhimit të mbeturinave

    Lajmi i rradhës

    Emshiu, familjari i viktimave në Tetovë bën thirrje deri te partitë politike: Dua përgjegjësi për babanë dhe vëllanë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë