“Në Kushtetutë të shkruhen edhe bullgarët”, Pendarovski: Kjo kërkesë është ndërhyrje në punët e brendshme të vendit

    “Kërkesa e Bullgarisë, që Maqedonia e Veriut t’i regjistrojë bullgarët si pakicë në Kushtetutë, është ndërhyrje në punët e brendshme”. Kështu mendon presidenti i vendit Stevo Pendarovski.

    Sipas tij, maqedonasit në Bullgari ekzistojnë, por ata janë shtetas bullgarë dhe të drejtat e tyre në këtë aspekt, ata duhet t’i kërkojnë në nivel individual. Pendarovski tha se derisa i harxhojnë këto mekanizma në Bullgari dhe nuk e marrin këtë të drejtë, atëherë duhet të drejtohen në Strasburg.

    “Në Bullgari ka maqedonas. Dhe a do të ndërhyjmë ne prej këtu si shtet për të ndihmuar të drejtat e tyre, jo. Pse jo? Rregulli numër një në të drejtën ndërkombëtare, politikën ndërkombëtare, neni dy i Kartës së OKB-së – vlen për të gjitha vendet në botë: nuk ka ndërhyrje në punët e brendshme të vendit. Ata janë shtetas bullgarë, shtetas të Republikës së Bullgarisë. Ju siguroj se shteti maqedonas në nivel shtetëror asnjëherë nuk ka tentuar t’i shtyjë atje, t’i provokojë, t’u thotë – dilni, t’u ndihmojë. Ajo vendoset në nivel individual. Ndihesh maqedonas, këtë do ta thuash. Nëse nuk ta japin, shkoni në Strasburg. Kjo është rruga. Nuk ka rrugë tjetër”, tha Pendarovski për “TV24”.

    Se kërkesa e Bullgarisë që Maqedonia e Veriut të përfshijë bullgarët në Kushtetutë është ndërhyrje në punët e brendshme, Pendarovski nuk i tha kryeministrit Kirill Petkov, sepse ai, siç tha, nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë.

    “Nuk mund të më thuash nga jashtë, ata janë qytetarët tanë. Në Maqedoni ka bullgarë, por autoritetet tona janë përgjegjëse për të drejtat e tyre. Nëse ne i shkelim të drejtat e tyre ose ata nuk janë të kënaqur me mënyrën se si ne i mbrojmë të drejtat e tyre, atëherë ata do të shkojnë në Strasburg, por ata janë shqetësimi im, sepse janë të mitë, qytetarët tanë. Ashtu siç nuk kam të drejtë dhe nuk duhet të them “ju do t’u jepni të drejtat maqedonasve në Bullgari, ashtu ai nuk ka të drejtë të më thotë nëse duhet të përfshijmë apo jo bullgarët në kushtetutë. Është vendimi ynë sovran”, theksoi presidenti.

    Lajmi Paraprak

    Caroline Ziadeh: Do të mbështesim dialogun Kosovë-Serbi

    Lajmi i rradhës

    ShBA rrit ndihmën ushtarake për Ukrainën pas shqetësimeve për pushtim nga Rusia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë