Në minus për pak bukë për të mbijetuar në RMV

    Një minus në llogarinë rrjedhëse është i domosdoshëm për të mbijetuar për shumë qytetarë, ndërkohë paraqet mjet shpëtimi në rast të shpenzimeve të paparashikuara, por ka edhe nga ata që kryesisht ikin nga minuset dhe huamarrja. Me vite, mbi 100 milionë euro është borxhi i qytetarëve në kartelat kreditore dhe llogaritë e tyre. Me fjalë tjera, qytetarët e Maqedonisë në pamundësi që për çdo muaj të kapërcejnë hendekun midis të ardhurave mujore dhe harxhimeve bazë mujore, janë të detyruar të tejkalojnë të ardhurat e tyre mujore. Pra, hyjnë në minus për të hollat që nuk i kanë duke paguar kamatat e shtrenjta për çdo muaj prej 10 për qind (për klientët e rregullt) deri 14 për qind. Bankat lejojnë tejkalim në lartësinë e një apo dy pagave në varësi prej të ardhurave të rregullta të klientit të bankës dhe politikës së tyre afariste.

    Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se, në bazë të tejkalimit të llogarive rrjedhëse dhe kartelave kreditore, në fund të muajit nëntor borxhi i qytetarëve ka arritur në afër 113 milionë euro.

    Totali i borxhit ndaj bankave në bazë të pagës së lejuar minus në nëntor 2023 është 6.963 milionë denarë (rreth 113.2 milionë euro), shumë në të cilën bankat llogaritin interes mbi 14 për qind nga 1 janari i këtij viti. Bankat e nisën vitin 2024 me rritje të interesit të mbitërheqjes së lejuar, e cila rritet së bashku me rritjen e normës referencë të interesit të Bankës Popullore për llogaritjen e kamatës ndëshkuese. Krahasuar me produktet e tjera të kreditit, mbitërheqjet e ofruara nga bankat për klientët me rrogë është një nga produktet më të shtrenjta së bashku me kartat e kreditit. Megjithatë, për ekonomistët, kjo lloj kredie është “e domosdoshme, edhe pse e shtrenjtë”.

    “Nuk është çështje e zgjedhjes së tyre, është një zgjidhje që qytetarët e përdorin në një moment të caktuar për pagesën e borxheve që nuk kanë mundësi të paguajnë nga të ardhurat aktuale. Njëherësh , qytetarët e kanë shumë të vështirë të mbulojnë vetëm një pjesë të shportës së konsumatorit nga të ardhurat e tyre të rregullta”, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, Neritan Turkeshi. Sipas tij , vetëm ndryshimeve i dokumenteve personale apo regjistrimi i automjeteve, si dhe riparimet e në shtëpi, kushtojnë shumë dhe shpesh nuk ka alternativë tjetër, andaj edhe qytetarët janë të detyruar të bien në grackën e shpenzimit të parave të pafituara. Në momentin që i përdorim paratë e pafituara, nuk e kemi ndjenjën se keni paguar diçka, pasi vetëm shohim që u vijnë interesat dhe llogaritjet dhe në fund – paranë e marrë borxh e paguajnë shumë më shtrenjtë.

    “Gjithashtu, një borxh i madh i qytetarëve në këtë bazë që është dyfishuar në raport me dhjetë vite më parë, është treguesi më i mirë i gjendjes së përgjithshme në shoqëri, sepse ato para nuk shpenzohen për luks, por për nevoja”, konstaton Turkeshi. Edhe pse kjo lloj kredie mund të jetë një opsion i mirë për qytetarët në rast se nevojitet të shlyejnë borxhe të ndryshme, mirëpo duhet pasur parasysh se ka edhe kosto që duhet të shlyejnë, dhe duhet mbajtur mend se ky është gjithsesi lloji më i shtrenjtë i huamarrjes me normën më të lartë të interesit, shton ai.

    Norma e interesit të mbitërheqjes së lejuar praktikisht u barazua me normën e interesit të mbitërheqjes së palejuar dhe filloi të rritet së bashku me rritjen e normave referente të interesit të Bankës Popullore, ose më saktë, varet drejtpërdrejt nga norma referencë për llogaritjen e interesit ndëshkues dhe natyrisht mbi politikat e biznesit të çdo banke. Bankat përcaktojnë shumën e normës aktive të interesit për mbitërheqjen e lejuar sipas formulës së mëposhtme: norma e interesit për bonot e thesarit + 8 pikë përqindje marzhi maksimal. Norma e interesit për bonot e thesarit përcaktohet nga Banka Popullore dy herë në vit, më 1 korrik dhe 1 janar, pas së cilës bankat komerciale i rregullojnë normat e interesit. Në vitin 2022, për shembull, norma e interesit për mbitërheqjen e lejuar në llogaritë e transaksionit të personave fizik ishte 9.95 për qind, dhe norma e interesit e aplikuar gjatë llogaritjes së interesit për mbitërheqjen e paautorizuar ishte 10.00 për qind në vit. Niveli më i ulët deri tani nuk ka rënë nën 9 për qind , por tani është rritur në mënyrë dramatike me afër 14 për qind.

    Rritja e normës së interesit për mbitërheqjen e lejuar nënkupton kosto më të larta për përdoruesit. Për shembull, ju keni një minus të lejuar prej dy pagash dhe është 60.000 denarë. Nëse e shfrytëzoni plotësisht, vetëm për kamatë do t’i paguani bankës rreth 700 denarë në muaj. Dy vjet më parë, kjo kosto do të ishte 500 denarë.

    Mbitërheqja e lejuar e llogarisë së transaksionit është një produkt tërheqës për qytetarët, sepse bankat e miratojnë atë pa kritere strikte dhe është gjithmonë në dispozicion të tyre si burim financiar shtesë krahas të ardhurave të rregullta mujore. Kjo mbështetet nga fakti se është miratuar për klientët që kanë të ardhura të rregullta mujore në bazë të pagës ose pensionit dhe nuk kanë nevojë për garanci shtesë si depozitë, garant, ndalim administrativ apo kambial. Nga ana tjetër, edhe qytetarët e Bashkimit Evropian me të madhe po përdorin minusin në llogaritë e tyre të bankave.

    Të dhënat e fundit tregojnë se 340 milionë qytetarë të BE-së prej 450 milionë po shfrytëzojnë minuset në llogaritë e tyre rrjedhëse. Nga shtetet e rajonit, Serbia ka kamatat më të kripura për këto huazime. Normat e interesit për minuset e lejuara ndryshojnë nga banka në bankë. Mesatarisht ato arrijnë në 28.71 për qind të minuseve të lejuara dhe 32.66 për qind të minuseve të paautorizuara në bankat e Serbisë. në Kroaci këto kamata luhaten ndërmjet 11 dhe 18 për qind, ndërsa në Evropë në mesatare lëvizin me afër 7 për qind. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    MASh synon digjitalizimin e arsimit, ndërkohë në shumë shkolla nuk ka banka e tabela

    Lajmi i rradhës

    “Kanë zaptuar trotuaret dhe nuk paguajnë asgjë” / Tregtarët në Tetovë përballen me shitësit ambulantë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë