Në mungesë të “bankës së gjakut”, dibranët  gjak dhurojnë në spitalet fqinje

    Dhurimi vullnetar i gjakut në Komunën e Dibrës realizohet kryesisht gjatë aksioneve që organizon organizata e Kryqit të Kuq në Dibër, në bashkëpunim me Entin Shtetëror për Transfuziologji të RMV-së. Këto aksione shpesh zhvillohen në spitalet e qyteteve fqinje, por jo në vetë spitalin e qytetit. Në këtë institucion shëndetësor, dhurimi vullnetar nuk mund të realizohet, pasi nuk disponon një Bankë Gjaku për grumbullimin dhe ruajtjen e gjakut të dhuruar.

    Kjo situatë vazhdon prej dekadash, megjithëse drejtuesit e spitalit janë angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për të siguruar ngritjen e një Banke Gjaku. Për shkak të mungesës së saj, në mungesë aksionesh të Kryqit të Kuq, qytetarët dibranë që dëshirojnë të dhurojnë gjak, detyrohen ta bëjnë këtë në spitalet e Strugës, Ohrit, Gostivarit, Tetovës apo Shkupit.

    Sekretari i Organizatës Komunale të Kryqit të Kuq në Dibër, Isni Telqiu, për gazetën Koha thekson se janë bërë përpjekje të shumta që edhe spitali i Dibrës të pajiset me një depozitë – përkatësisht një Bankë Gjaku.

    “Dibra dhe rrethina e saj kanë qenë gjithmonë ndër komunat ku dhurimi vullnetar i gjakut është një praktikë e përhapur dhe e mirëpritur. Kemi shumë dhurues vullnetarë të gatshëm të japin gjak. Por mbetet fakt se mungesa e një Banke Gjaku në spitalin tonë është një pengesë serioze. Ka raste kur dhurimi i gjakut është urgjent për arsye shëndetësore dhe dhuruesit nuk mund të presin aksionet e planifikuara; prandaj ata detyrohen të udhëtojnë në qytete të tjera, kryesisht në Strugë. Kemi zhvilluar disa biseda me drejtuesit e spitalit për të mundësuar ngritjen e një Banke Gjaku, por deri më tani kjo nuk është realizuar”, thekson Telqiu.

    Nga Spitali i Dibrës shprehen se, për shkak të mungesës së Bankës së Gjakut, bashkëpunimi me Spitalin e Strugës është shumë i mirë. Po ashtu, theksohet se në Dibër mungon edhe një specialist transfuziolog. Me marrëveshjen e arritur me Spitalin e Strugës, një herë në muaj në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër vjen një transfuziolog nga Struga, i cili u del në ndihmë pacientëve vendorë. Në këtë mënyrë, sipas drejtuesve të spitalit, plotësohen të gjitha nevojat dhe kërkesat e pacientëve nga Dibra dhe rrethina. Transfuziologu nga Struga, përveç vizitave mujore, ka realizuar edhe një sërë aktivitetesh të nevojshme për pacientët dibranë.

    Mungesa e një Banke Gjaku është diskutuar edhe në institucionet lokale, rajonale dhe qendrore. Kjo temë ka qenë gjithashtu pjesë e debatit mes vullnetarëve të Kryqit të Kuq në Dibër. Gjatë takimeve me dhuruesit e rregullt të gjakut, është theksuar se me ndihmën e donatorëve nga diaspora mund të sigurohen pajisjet për një Bankë Gjaku, por pengesë vazhdon të mbetet mungesa e transfuziologut në qytet.

     

    Lajmi Paraprak

    Deri në 50 euro në RMV nuk konsiderohet ryshfet!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë