Ne në Gjermani, të huajt në Maqedoninë e Veriut!

    Me vite në Gjermani mungon fuqia punëtore e profileve të ndryshme. Vetëm në vitin e kaluar është rritur në shifra rekorde kërkesa për fuqi punëtore të kualifikuar. Më shumë se 630.000 vende të punës për punëtorë të kualifikuar, nuk kanë mundur të plotësohen në vitin 2023 , për shkak se të papunët nuk kanë qenë të kualifikuar për kërkesat, ka thënë Qendra e Kompetencës për Punëtorë të Kualifikuar, e cila funksionon në kuadër të Institutit Ekonomik Gjerman. Ky realitet, sipas institutit, ka shënuar hendekun më të madh në ofertën dhe kërkesën për punë, prej kur kanë nisur të bëhen analiza të tilla më 2010. Sektorët e shëndetësisë, shërbimeve sociale dhe edukimit, janë prekur më së keqi, bashkë me sektorët e ndërtimit, arkitekturës, dhe ndërtimit të teknologjisë.

    Mungesa e fuqisë punëtore është një nga sfidat më të mëdha për ekonominë gjermane. “Ne presim që në Gjermani do të mbeten të pazëna rreth dy milionë vende pune”, ka thënë kreu i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, DIHK, Achim Dercks.

    “Kjo i përket një vëllimi prej 100 miliardë eurosh në potencialin për krijimin e vlerës së punës.”

    Edhe ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil e quan të nevojshme tërheqjen masive të fuqisë së kualifikuar punëtore nga jashtë BE në vitet e ardhshme.

    “Ne kemi nevojë deri në vitin 2035 për rreth shtatë milionë forca të kualifikuara punëtore shtesë”, ka thënë Heil.

    Një boshllëk të tillë ekonomia më e fuqishme , Gjermania po e plotëson me punëtorët nga Ballkani. Por jo vetëm. Sipas Zoran Koçovskit, drejtor i Agjencisë Kouzon, e cila ndërmjetëson për punë jashtë vendit, vetëm në Gjermani shkojnë nga 2000 deri në 3500 qytetarët të Maqedonisë për çdo vit.

    “Flasim për emigrim të rregullt përmes marrjes së dokumenteve, pra leje pune dhe vizë qëndrimi. Natyrisht, ka një numër shtesë që nuk mund ta përcaktojmë saktësisht, por supozimet janë se nga 3 000 deri në 5000 janë pjesa tjetër që kërkojnë kanale të tjera për të kaluar në Gjermani”, thotë Koçovski.

    Nëse nga njëra anë fuqia punëtore nga Maqedonia dhe Ballkani po orientohet ndaj shteteve evropiane, kryesisht ndaj Gjermanisë, kompanitë vendore po përpiqen që këtë mungesë ta mbulojnë me ardhjen e punëtorëve të huaj në Maqedoni.

    Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve thotë se pothuajse nuk ka sektor ku të mos mungojë fuqia punëtore, e veçanërisht alarmuese është gjendja në industrinë përpunuese, tekstile, përpunuese të metaleve, në hoteleri dhe ndërtimtari.

    Sipas Dimitrovit, përveç ikjes , ndikim të madh kanë edhe lindshmëria e ulët dhe plakja e popullatës , prandaj Maqedonia mbetet pa fuqi punëtore. Ai më tej shton se ky problem jo vetëm që është prezent tani, por do të jetë edhe më i pranishëm në të ardhmen, kështu që nuk ekziston asnjë mënyrë tjetër për të kompensuar këtë fuqi punëtore që po humbet Maqedonia, përveç importimit të fuqisë punëtore nga jashtë.

    Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se edhe rritje e kuotës për importin e punëtorëve të huaj nga 5000 në 7000 , nuk do të zgjidh por vetëm do të zbusë problemin dhe kjo shifër bile do të jetë edhe e vogël që në vitin e ardhshëm karshi kërkesave dhe nevojave të biznesit në vend. Për më tepër shtojnë se nevojitet të lehtësohen procedurat për importin e fuqisë punëtore nga jashtë ngjashëm me shtetet e rajonit. Dimitrov thotë se Maqedonia ka çfarë tu ofron e punëtorëve të huaj.

    “Pagat tona, por jo vetëm pagat tona, por edhe infrastruktura jonë me standardin e përgjithshëm dhe mbrojtjen sociale janë në një nivel shumë më të lartë se, të themi, vendet në Lindjen e Largët, këtu për krahasim paga mesatare bruto në Bangladesh është 200 euro , ne kemi minimalisht 330 euro, pra rrogat tona janë më të larta, dhe nga ana tjetër, kemi edhe një standard më të lartë social dhe shoqëror dhe është e sigurt se punonjësit nga Lindja e Largët do të ishin të interesuar të vijnë në Maqedoni.” thekson ai.

    Nga ana tjetër, njohësit e kësaj problematike thonë se vendi ka nevojë të madhe për import të punëtorëve nga jashtë, por edhe se nevojitet rregullimi i duhur i këtij importi, duke filluar nga përcaktimi i nevojave, të cilat tani askush nuk e di se çfarë janë , përmes zhvillimit të një strategjie.

    Me fjalë tjera duhet marrë parasysh realizimin e të drejtave të këtyre punëtorëve për sigurime shëndetësore dhe mundësinë e qëndrimit në vend, së bashku me thjeshtimin e procedurave për ardhjen e tyre.

    “Ekziston nevoja për ndryshime në disa ligje që duhet të bëhen nga disa ministri në mënyrë të koordinuar. Është gjithashtu e nevojshme të përcaktohen nevojat e punëtorëve që do të importohen dhe të përgatitet një strategji. Për të përcaktuar statusin e tyre, nëse ai do të jetë i përkohshëm apo nëse do të ketë mundësi që ata të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë dhe të integrohen në shoqëri dhe të përcaktohen të drejtat e tyre për punë dhe sigurime shëndetësore dhe pensionale dhe një sërë aktivitetesh të tjera që nuk mund të realizohen nëse institucionet shtetërore nuk bashkëpunojnë”. thotë Koçovski.

    Sipas tij, duhet të përcaktohen të qartë interesat e biznesit dhe shtetit, që të mbulojë boshllëkun e madh të fuqisë punëtore.

    Ndryshe, në shtetet e rajonit po angazhohen shumë më shumë fuqi punëtore në raport me tregun vendor të punës. Në Bullgari po ofrohen 40 mijë leje pune për të huaj, në Shqipëri kjo shifër është 20 mijë, në Greqi është afër 170 mijë dhe në Serbi mbi 30 mijë. Në Kroaci, që i mungon fuqi punëtore sidomos në turizëm , ku kroatët rendin pas pagave më të lata në Gjermani, Austri apo Zvicër, janë lëshuar 120 mijë leje pune për të huajt , me tendencë të rritjes së këtij numri në vitin 2024. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Sa pak mund të blesh me denarë!

    Lajmi i rradhës

    Laboratori Shtetëror në RMV nuk mund të gjejë të punësuar për akreditimin e matjes së ndotjes së ajrit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë