Në prag të një fushate të “pistë”!  

    Pas votimit të Qeverisë teknike tani më ditët deri në zgjedhje kanë filluar të numërohen mbrapshtë. Por ende pa filluar mirë fushata zgjedhore është tensionuar toni i politikanëve mes tyre. Derisa në opinion kanë filluar të qarkullojnë edhe lajme të rreme dhe akuza ndaj njëri tjetrit. Së fundmi kishim edhe një lajm që qarkulloj gjatë ditës së djeshme që kinse vetura e kreut të Aleancës për Shqiptarët (ASh) është e parkuar në garazhin e VMRO-së dhe i njëjti është takuar me Mickoskin. Por lajmi rezultoi të jetë i rremë pas demantit nga Aleanca për Shqiptarët dhe kërkim faljes të medias që publikoi lajmin.

    Gjithashtu rreth kësaj çështje reagoi edhe Taravari i cili tha se informacioni i dalë dje në media edhe kombëtare me një veturë të parkuar në selinë e VMRO-së, është tentim për njollosje të figurës time.

    “Unë asnjëherë nuk kam bërë dhe nuk bëj takime të fshehta sepse e llogaris politikën si një të mirë publike, prandaj edhe takimet mendoj se duhet të jenë publike. Ky fakt i dezinformatës më bëri të ndjehem keq për nivelin e gazetarisë e cila sot më shumë se kurrë është më shumë sensacionale se sa profesionale. Përgjegjësia sociale e mediave si pushtet i katërt është shumë e lartë, prandaj së bashku me një komunikim profesional të mundohemi të kontribojmë për shoqërinë ku jetojmë”, ka shkruar Taravari.

    Në përpjekje për të fituar mbështetjen e elektoratit, fushatat nacionaliste shpesh mund të shfaqin urrejtje mes qytetarëve, duke eksponuar keqpërdorimin e ndjenjave të qytetarëve për qëllime politike. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të analizojmë me kujdes praktikat e përdorura gjatë fushatave, duke i vlerësuar ato në kontekstin e integritetit demokratik dhe përgjegjësisë politike dhe publike.

    Këto mund të jenë finesa për të ndikuar në rrjedhën e fushatës zgjedhore dhe ajo të jetë më e ashpër dhe më e egër. Ekspertët dhe njohësit e çështjes thonë se në një vend si Maqedonia e Veriut, politikanët shfrytëzojnë ndjenjat e qytetarëve për të ardhur në pushtet. Profesori universitar Enver Abdulai, për gazetën Koha, ka deklaruar se narrativi për frontin evropian zgjoi imagjinatën politike të të gjithë aktorëve politik edhe atyre që janë realisht pro-evropian por edhe të atyre që kanë retorikë evropiane vetëm deklarativisht, por në esencë janë vetëm për të arritur deri te kulaçi qeveritar pa asnjë projekt real për reforma.

    “Këtë e liston me se miri ligji për administratoret shtetëror ku mungon debat i mirëfilltë. Kthimi prapa në narrativin nacionaliste është humbje kohe për tërë Ballkanin Perëndimor meqë vështirësitë gjeostrategjike që kalon Ballkani Perëndimor me luftën në Evropë dhe me refleksionin që krijon ajo në ngadalësimin e rritjes ekonomike si dhe tentativat për reforma në vendimmarrje e bëjnë imperativ garimin e narrativëve evropiane për reforma dhe qasje sa më të madhe ndaj fondeve evropiane. Nacionalizmat shprehin mospasjen e ideve dhe projekteve pro-evropiane dhe shpijnë në humbje kohe dhe regres politik”, shprehet Abdulai. Në fund ai ka shtuar se është i mendimit që me nisjen e kampanjës politike në debatet politike do të shoshiten këto tema dhe do të rritet disponimi pro evropian.

    Nga ana tjetër, gazetari dhe politologu Nikola Cvetkovski, për gazetën Koha, ka deklaruar se sa herë që ka një ndryshim qeverie, edhe në demokracitë me traditë më të gjatë, mund të pritet një proces i tensionuar zgjedhor. Sipas tij, faktorët kryesor janë sa kohë ka qenë partitë politike në pushtet i detyrohen faktorëve të tjerë me ndikim të rëndësishëm shoqëror.

    “Kur bëhet fjalë për BDI-në, ne e dimë se nuk ka gjasa që ta dorëzojnë pushtetin lehtësisht, pas më shumë se dy dekadash në pushtet. Kur është fjala për partnerin e tyre të koalicionit LSDM, mendoj se ata janë më se të vetëdijshëm se nuk janë favorit në garën e ardhshme politike, ndaj mund të presim një ‘lojë të pistë’ edhe prej tyre. Qytetarët, si për zgjedhjet, ashtu edhe për vendimet apo zhvillimet e rëndësishme shtetërore, duhet të kontrollojnë gjithmonë informacionin që plasohet në publik”, ka nënvizuar ai.

    Në fund Cvetkovski ka shtuar se qytetarët duhet të kontrollojnë se nga vjen lajmi dhe nëse është nga një media e besueshme, si dhe për të kontrolluar se çfarë thotë ana tjetër e medaljes, përpara se të vihet në një përfundim.

    Lajmi Paraprak

    Nxënësit shqiptarë në Çashkë që nga shtatori i kanë të mbyllura dyert e shkollës

    Lajmi i rradhës

    500 milionë euro për “Bechtel dhe Enka”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë