Në pritje të vazhdimit të dialogut “Zhan Mone”

    Dialogu Zhan Mone i filluar në vitin 2018 akoma nuk i ka prodhuar rezultatet e pritshme. Partitë duhet të kthehen në tavolinën e punës, për të përpiluar një draft Rregullore e cila do të ofronte zgjidhje për çështjet problematike në funksionimin e Kuvendit.

    Ligjvënësi përballet me bllokime të qëllimshme nga debatet e pafundme, komisione që nuk kryejnë detyrimet e tyre, deputetë që mungojnë në seanca, etj. Me nismën “Zhan Mone”, të mbështetur nga Parlamenti Evropian me vetë prezencën e eurodeputetëve, Kuvendi duhet të vetëpërmirësohet.

    “Jam në pritje, ta them sinqerisht, jam në pritje të një takimi të ri për shkak se nga janari e këndej nuk kemi pasur takim, për të parë dhe për t’i përafruar qëndrimet për çështjet të cilat janë të hapura”, tha Arta Bilalli, deputete e BDI-së.

    “Ne gjithsesi jemi të interesuar që ai proces të vazhdojë dhe të gjitha përpjekjet mes subjekteve politike për të pasur një Rregullore të mirëfilltë dhe efikase të parlamentit, duhet të vazhdojnë dhe të arrijmë te një konsensus i përgjithshëm mes subjekteve politike”, u shpreh Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.

    “Dialogu Zhan Mone duhet të vazhdojë patjetër. Në disa koordinime të mëhershme kemi biseduar për nevojën që ai të vazhdojë”, pohoi Jovan Mitreski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

    “Për momentin, më e rëndësishme është të respektohen dispozitat ekzistuese, sepse kemi Rregullore ekzistuese. Por, për fat të keq, në shumë raste në praktikë nuk respektohen ata dispozita”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE.

    Deputetët kërkojnë një mes të përbashkët për të ashtuquajturin “filibustering” ose mundësinë që u jepet deputetëve me Rregullore për të prolonguar qëllimisht debatin kur duan që një ligj të mos miratohet. BDI-ja vlerëson se nuk duhet të shpejtohet duke i hequr mundësinë opozitës që të japë mendimin e saj mbi ligjet.

    “Mendoj se pikërisht vendi ku kryqëzohen shpatat apo thënë ndryshe ku të gjithë jemi pak sa të përmbajtur është pikërisht mundësia se si ta ndalojmë “filibustering” por edhe gjithmonë të lejmë mundësinë që të mos kemi imponim të një vullneti të njëanshëm të shumicës ndaj pakicës. Kam përshtypjen se këtu do të na nevojitet shumë praktika e vendeve të tjera”, u shpreh Arta Bilalli, deputete e BDI-së.

    Edhe LSDM-ja kërkon zgjidhje për bllokimin e punës së komisioneve.

    “Në këtë mandat ka situata që ndodhin për herë të parë dhe të cilat duhet t’i hapim si tema plotësuese dhe ata janë moscaktimi i seancave ku kryetarë janë deputetët e opozitës, zvarritja e komisioneve pa sqarim dhe gjithçka që nënkupton pengimin e punës së Kuvendit”, tha ndër të tjera Jovan Mitreski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

    Aleanca për Shqiptarët kërkon vendosjen e kalendarit të punës, që puna e deputetëve të jetë më e organizuar.

    “Ndodh shpesh herë që brenda një dite të ketë disa seanca të komisioneve, të ketë disa seanca të plenumit apo të Kuvendit dhe deputetët janë të shpërqendruar dhe nuk kanë mundësi të marrin pjesë aty ku vlerësojnë se duhet të marrin pjesë”, pohoi Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.

    Për VMRO-DPMNE-ja, debati nuk duhet të përjashtojë asnjë nga çështjet që kanë të bëjnë me ligjvënësin.

    “Nuk ka çështje më problematike. Ne duhet të bisedojmë për të gjitha çështjet dhe problemet me të cilat përballemi gjatë punës. Rregullorja miratohet me konsensus dhe vlen rregulli: Nëse nuk jeni marrë vesh për DIÇKA, nuk jeni marrë vesh për ASGJË”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE.

    Në kuadër të Dialogut Zhan Mone ka pasur tre tryeza të gjëra, me të gjithë partitë parlamentare. Bashkëkryesues të këtij dialogu janë kreu i Kuvendit Talat Xhaferi dhe tre eurodeputetët Andreas Shider, Marion Valsman dhe Ilhan Kuçuk. Për opozitën, kontestuese ishte procedura se si zgjidhet sekretari i përgjithshëm i Kuvendit dhe termi “së Veriut” përskaj emrit Rregullorja e Republikës së Maqedonisë.

    Ajo për të cilën besohet se është arritur konsensus është kufizimi i kohëzgjatjes së seancës konstituive që të mos përsëriten zhvillimet e vitit 2017. Gjithashtu, partitë janë të një mendimi që të paktën njëri nga nënkryetarët e Kuvendit, me Rregullore, të jetë grua.

    “Zhan Mone” solli marrëveshjen për pavarësinë ekonomike të Kuvendit i cili prej vitit 2021 ka buxhet të ndarë dhe të pavarur nga institucionet e tjera si dhe Kod etik të sjelljes. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shkarkohet prokuroja Lejla Kadriu në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Me 11 prill grevë e përgjithshme në arsim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë