Në rajonin e Dibrës ulet numri i kopeve të dhenve

    Dibra dhe rajoni më i gjerë posedojnë kullosa të pasura verore. Ata janë prezent në malet Korabi, Stogova, Bistra, Deshati etj. Kullosat kanë një vegjetacion të pasur, shumë ujëra dhe kushte shumë të mira për zhvillimin e blegtorisë. Por, nga viti në vit ka një ulje të numrit të bagëtisë dhe fermerëve të cilët merren me blegtori. Kjo dukuri është prezente si në komunën Dibër ashtu edhe në komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostush. Ky rajon sipas të dhënave zyrtare, pas Luftës së Dytë botërore ka pasur mbi 80 mijë dhen, kurse sot nuk janë as 35 mijë. Kjo do të thotë se kushtet për blegtori janë, por interesimi është jo në nivelin e duhur. Sipas ndërmarrjes publike për menaxhimin të kullosave njësia në Dibër, në rajonin në fjalë janë evidentuar afër 20 kullosa verore në malet për rreth Dibrës. Ilir Kosovrasti, drejtor i kësaj ndërmarrje thekson se kullosat verore me të cilën menaxhon njësia e Dibrës siç janë Lluçishta, Koxhaxhiku, Novaku, Guri i shkruar, Qernanica, Krasnica, Ajdar çeshma, Megadica e vogël dhe Megadicia e Madhe, Osmanica, lokaliteti mbi Bllatë, Marusha etj, ofrojnë kushte maksimale për zhvillimin e blegtorisë.

    Sipas tij, nga viti në vit janë përmirësuar kushtet në sferën e infrastrukturës, përkatësisht kushtet e rrugëve por edhe objekteve ku përpunohet djathi i bardhë. Një pjesë të këtyre objekteve kanë edhe panele diellore për rrymë elektrike me çka mundësohen kushte optimale për punë të fermerëve. Viteve të fundit poashtu nuk ka pasur probleme edhe në ndarjen e kullosave. Këta kullosa shfrytëzohen nga më se 100 blegtor të Dibrës dhe rajonit më të gjerë. Por, edhe pse kullosat kanë kushte shumë të mira nga viti në vit ka një rënie të numrit të kopeve të dhenve. Nga shoqata blegtorëve dibran “Dashi” thonë se aktualisht në të tre komunat numri i bagëtisë respektivisht dhenve arrin afro 35 mijë.

    “Ka një ulje drastike të numrit të dhenve në këtë rajon ku si shkaqe kryesore për këtë situatë të re përmenden ulja e interesimit të popullatës dhe familjeve blegtore për tu marr me këtë profesion, migrimi i popullatës së re, si dhe mungesa e dorës së punës sidomos barinjve dhe personave për përgatitjen e djathit tradicional dibran. Është shumë rëndë në situatë kur të rrallë janë personat që duan të përfitojnë nga ky profesion” thotë blegtori dhe kryetari i shoqatës “Dashi”, Skënder Ame. Ai potencon se subvencionet shtetërore ndihmojnë, por dora e punës mungon. Sipas tij fermerët e kësaj ane janë të angazhuar familjarisht që të merren me këtë profesion në sferën e blegtorisë. Edhe pse institucionet e Unionit Evropian, Maqedoninë e Veriut e kanë etiketuar si shtet ku duhet t’i jepet prioritet bujqësisë dhe blegtorisë, në rajonin perëndimor të vendit ku ka një ambient të pastër për zhvillimin e blegtorisë nuk shfrytëzohet sa duhet mundësia për një prodhimtari bio e produkteve të qumështit. Potencialet janë, por jo edhe angazhimi adekuat i fermerëve, por edhe i institucioneve shtetërore. (koha.mk)

    Lajmi Paraprak

    Lëvizja Besa: Zgjedhjet lokale rikonfirmuan peshën tonë politike

    Lajmi i rradhës

    Sot voton Dibra, deri tash kanë votuar më shumë se 2.5 për qind e qytetarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë