Në vend që të zvogëlohet, po rritet numri i viktimave nëpër rrugët e RMV

    Foto ilustruese

    Rritje e numrit të jetëve të humbura në aksidentet rrugore në Maqedoninë e Veriut. Në vend që të zvogëlohet numri i viktimave, në tre vitet e fundit ka pasur trend të kundërt.

    Të dhënat e fundit tregojnë se në vitin 2024, gjithsej 142 persona humbën jetën në aksidente trafiku. Shndërruar në numra, vjet ka patur 15 viktima më shumë sesa në vitin 2023, kur 127 persona humbën jetën në aksidente trafiku. Në vitin 2024, siguria në trafikun rrugor ishte e pafavorshme, që do të thotë se po regjistrojmë një numër më të lartë vdekjesh në aksidente trafiku krahasuar me vitet e kaluara. Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se Maqedonia duhet të arrijë nivelin e sigurisë në trafikun rrugor, përkatësisht mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e cila është 5 vdekje në aksidente trafiku për 100.000 banorë, ose në numra absolutë, kjo do të thotë më pak se 100 vdekje në vit, dhe ky qëllim nuk është arritur.

    “Arsyeja kryesore për dështimin në arritjen e qëllimeve të Strategjisë së Dytë Kombëtare është zbatimi jo i plotë dhe joefikas i politikave dhe masave të përcaktuara në Strategji”, thuhet në raportin vjetor të Këshillit Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor (RSBSP).

    Kështu që, shifrat nga viti 2021 e tutje tregojnë se çdo vit kemi një rritje të numrit të viktimave në aksidentet rrugore. Sipas autoriteteve, viti 2021 ishte viti me numrin më të ulët të viktimave në aksidente rrugore në 15 vitet e fundit, me gjithsej 116 të vdekur. Megjithatë, ky trend pozitiv nuk vazhdoi. Që nga viti 2022, kur u regjistruan 124 viktima, numri i jetëve të humbura në trafik ka nisur të rritet sërish.

    Në vitin 2023, kjo shifër arriti në 127, ndërsa në vitin 2024 u rrit ndjeshëm, duke arritur në 142 viktima – 15 më shumë se një vit më parë. RSBSP thekson se “për përmirësimin afatgjatë dhe të përhershëm të sigurisë në trafikun rrugor, është e nevojshme të përfundojë procesi i miratimit të një dokumenti të ri strategjik për përmirësimin e sigurisë në trafikun rrugor, përkatësisht përgatitja e Strategjisë së Tretë Kombëtare për Përmirësimin e Sigurisë në Trafikun Rrugor 2024-2029”.

    Për të përmirësuar sigurinë në trafikun rrugor, thuhet në Strategji, është e nevojshme që në periudhën e ardhshme të gjitha institucionet kompetente në fushën e sigurisë në trafikun rrugor dhe të gjithë individët që marrin pjesë në trafik në çfarëdo mënyre, ta kenë sigurinë në trafikun rrugor si përgjegjësi të përbashkët, prioritet të lartë shoqëror dhe si qëllimin më të lartë të përbashkët.

    “Për të kontribuar drejtpërdrejt në krijimin e kushteve dhe mundësive për uljen e numrit të personave të vrarë dhe të lënduar në aksidente trafiku, është gjithashtu e nevojshme të vazhdohen dhe intensifikohen investimet në infrastrukturën rrugore dhe të trafikut në periudhën e ardhshme”, thekson raporti. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Për 12 vite, 18% më pak fëmijë në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë