Në Zveçan ndalohet vetura me targa të Beogradit përplot armatim

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës sot ka arritur të identifikojë një veturë me targa të Beogradit në të cilën kishte sasi të madhe armatimi  (Zolla, Osa, armë automatike) dhe mjete eksplozive dhe municione të ndryshme, shok bomba dhe pajisje e uniforma ushtarake, të dedikuara për organizmin e sulmeve terroriste në Kosovë.

    Sveçla ka thënë se “falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”.

    “Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, ka shkruar Sveçla, transmeton telegrafi.

    Më tej ai ka thënë se “Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e çdo akti të mundshëm që synon cënimin e sigurisë së vendit tonë”.

    “Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, ka thënë Sveçla.

    Gjatë protestave të fundit në veri, grupe të ndryshme kriminale, kanë përdorur mjete të ndryshme dhe shok bomba në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ditëve të fundit në veri janë shpeshtuar edhe sulmet fizike ndaj qytetarëve shqiptarë në veri t Mitrovicës dhe hedhja e shok bombave. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Strimnica dhe Zhelina disa herë ngelin pa ujë, Sejdiu u kërkon falje banorëve të cilët janë të rregullt me pagesat e faturave

    Lajmi i rradhës

    Çfarë mund të pastroni me uthull dhe çfarë jo?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë