Nefi Useini, nuk dha dorëheqje gjatë konstituimit të këshillit komunal në Ohër

    Biznesmeni dhe këshilltari komunal nga radhët e BDI-së në Ohër, përkundër paralajmërimit se do të japë dorëheqje, këtë nuk e ka bërë në seancën e sotme të këshillit të qytetit. Përkundrazi, sot iu verifikua mandati. Nëse do të tërhiqet do të vendosë më tej.

    “Do të kemi mbledhje e gjithë partia në degën e Ohrit dhe do të vendosim nëse do të jap dorëheqje apo do të vazhdoj. Por tani për tani do të vazhdoj. Në seancat e ardhshme nëse do të ketë vendim për dorëheqje do të merrni përgjigje”, tha Nefi Useini – këshilltar i BDI-së.

    Edhe pse formalisht janë në koalicion me LSDM-në, i pyetur se kë do të mbështesin këto katër vite në nivel lokal, ai nuk kishte përgjigje konkrete.

    “Nuk kemi asnjë vendim për momentin për pozicionim. Koalicioni ynë i madh është me LSDM-në, ndërsa për nivelin lokal do të shohim më tutje se si do të dakordohen më lart”, u shpreh Nefi Useini-këshilltar i BDI-së.

    Ndërsa, gjatë seancës së sotme konstituive të pushtetit vendor, këshilltarja nga E majta e ka fshirë fjalën E VERIUT nga emri i shtetit gjatë nënshkrimit të verifikimit të mandatit të saj.

    “Deklaratën e kam nënshkruar si Republika e Maqedonisë sepse e kam fshirë E Veriut me korrektor. Mundeni lirisht të kontrolloni në arkiv. A mendoni se kjo mund të ketë pasoja? Mendoj se jo sepse është deklarata ime personale, sepse kam marrë mandat nga qytetarët. Sepse Ligji për Vetëqeverisjen Lokale nuk është i harmonizuar me Kushtetutën. Pse? Kjo është puna e tyre, jo problemi im. Unë punoj sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale ku kudo qëndron Republika e Maqedonisë”, deklaroi Violeta Avramoska, këshilltare nga E Majta.

    Shumicën në Këshillin në Ohër e ka VMRO-DPMNE-ja, së bashku me Të Majtën dhe anëtarët e listës së pavarur “Ohri mbi të gjitha”./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Duda: Do të ndërmarr disa hapa nëse Bullgaria i thotë jo RMV-së për në BE

    Lajmi i rradhës

    Amazona përjeton shpyllëzimin më të madh në 15 vjet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë