NËN VIJËN E UJIT | Fati i përbashkët i Bregallnicës dhe Drinës (Foto)

    Shkatërrimi i lumenjve në gjithë Ballkanin gjatë dekadës së fundit është bërë alarmant – qoftë për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve, minierave apo nxjerrjes së pakontrolluar të zhavorrit. Dikur damarë të gjallë për komunitetet lokale dhe simbole të bukurisë natyrore, lumenjtë e Ballkanit po degradohen me ritme të frikshme. Rrjedhat e tyre natyrore janë destabilizuar dhe rreziqet nga përmbytjet po rriten. Inforadar nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Koha nga Maqedonia e Veriut realizuan një anketë online me qytetarë që jetojnë pranë lumenjve Drina dhe Bregallnica. Edhe pse larg njëri-tjetrit, këto dy shembuj tregojnë se neglizhenca dhe moskujdesi institucional janë probleme të përbashkëta.

    Foto nga Ivana Gjurgjeviç

    DRINA, ZHAVORRJA QË PO GËRRYEN GJITHÇKA

    Në Drinë, veçanërisht nga Bijellina deri në Zvornik, zhavorja ka dekada që vazhdon. Banorët tregojnë se si dikur brigje pjellore sot po zhduken, ndërsa vendet e njohura për banje tashmë duken si kratere të mëdhenj të hapur. Dëshmitar i kësaj është Zoran Zelenoviq nga Amajlija, afër Bijellinës, i cili ka kaluar gjithë jetën pranë Drinës – një prej lumenjve më të rrëmbyeshëm të Ballkanit. Ai thotë se ka peshkuar në këtë lum që nga mosha shtatëvjeçare, por sot gjendja është “katastrofale”. “Niveli i ujit në Amajlija ka rënë për gjashtë metra. Gjithçka nga Ura e Pavloviqit e më poshtë është shkatërruar. E gjithë zona është shndërruar në kanion… Pamje e tmerrshme. Atje është krijuar thellësi e madhe ku para disa vitesh u mbyt një fëmijë”, shpjegon ai. Dikur pas motelit të tij gjendej një liqen i vogël i mbushur me peshq. “Tani s’ka as ujë, as peshq – vetëm një kanion i thatë”.

    Foto e dërguar nga një qytetar i Shtipit

    Zelenoviq nuk ka besim tek institucionet dhe thotë se shpesh nuk i ka denoncuar zhavorrxhinjtë, sepse “asgjë s’do të ndryshonte”. Snezhana Jagodiq-Vujiq nga organizata “Eko put” shton se situata është jashtë kontrollit, sepse “askush s’është kompetent” – të gjithë institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës. Ndërkohë, edhe projektet e mëdha infrastrukturore kanë çrregulluar rrjedhat e ujërave nëntokësore. Sipas anketës së Inforadar dhe Koha-s, 33 të anketuar shprehen se problemet kryesore janë zhavorja ilegale dhe boshllëqet kadastrale mes Bosnjës dhe Serbisë. Ky kaos juridik krijon terren ideal për korrupsion.

    Mirosllav Mijatoviq nga PAKT (Loznicë) thekson: “Ka shumë zona ku banorët e Bosnjës kanë tokë në Serbi dhe anasjelltas. Aty askush nuk është kompetent të ndërhyjë. Eksploatuesit nuk i paguajnë detyrimet askund dhe korrupsioni lulëzon”.

    Harta që tregon një pjesë të lokacioneve në lumin Bregallnica ku, sipas banorëve, janë vërejtur bagerë

    BREGALLNICA, GËRMUESIT SI PJESË E PEIZAZHIT

    Modeli i njëjtë i shkatërrimit përsëritet qindra kilometra më larg, në lindje të Maqedonisë, përgjatë Bregallnicës – degës së dytë më të madhe të Vardarit. Dikur burim jete për fusha dhe fshatra, sot lumi shoqërohet nga tinguj që nuk kanë lidhje me natyrën: gërmues, kamionë dhe makina të rënda. Banorët nga Novo Sellë, Babini, Kezhovica deri në Karaorman thonë se lumi “po zhduket”, ndërsa zhavorri nxirret më shumë se kurrë. “Gropojnë gjithë ditën. Natën vetëm dëgjohet boshllëku i lumit që po shteron,” thotë një banor nga Novo Sella.

    Sipas të anketuarve, dikur vendet për banje ku mblidheshin mijëra njerëz tashmë duken si kantier ndërtimi. Gjysma e të anketuarve besojnë se aktivitetet janë ilegale, ndërsa pjesa tjetër nuk di nëse janë të ligjshme apo jo. Por shumica janë të bindur se nxjerrja e shpeshtë e zhavorrit shkakton përmbytje dhe shkatërron tokat bujqësore.

    Foto e dërguar nga një qytetar i Shtipitt

    INSTITUCIONET, GJITHMONË “JO KOMPETENTE”

    Komuna e Shtipit thotë se nuk ka as një ankesë këtë vit për nxjerrjen e materialeve në lum. Por gjatë vitit 2024 kishte disa ankesa nga Sofillari dhe Karaorman. Inspektori komunal Vllatko Panov sqaron se ai nuk ka kompetenca brenda shtratit të lumit. Për këtë përgjegjës është Inspektorati Shtetëror për Mjedisin. Inspektorati për ujërat thotë se disa segmente të lumit kanë leje për “përmirësim të regjimit të ujërave”, një justifikim i zakonshëm që shpesh përdoret për nxjerrje zhavorri.

    Zelenoviq është rritur pranë lumit Drina

    ABUZIMET MË TË MËDHA “MBULOHEN ME LIGJ”

    Ish-drejtoresha e Inspektoratit të Mjedisit, Ana Petrovska, thotë se pikërisht nën petkun e respektimit të ligjit kryhen manipulimet më të mëdha. “Shpesh lejet merren me arsyetimin e ‘rregullimit të shtratit’, por në terren nxirret shumë më tepër material se sa lejohet”.

    Ajo thotë se përdoren elaboratë gjeodezikë të falsifikuar, në dokumente paraqiten sasi shumë më të vogla se ato reale, kontrolli në terren shpesh nuk kryhet fare dhe kombinohen aktivitetet legale me ato ilegale. Kështu një pjesë e kamionëve qarkullojnë me dokumente, ndërsa pjesa tjetër pa to.

    Sipas të anketuarve, gërmimi i zhavorrit kryesisht kryhet pranë urës së Pavlloviqit

    “TË GJITHË E DINË SE KUSH GËRMON, POR ASKUSH S’E NDALON”

    Aktivisti nga Trshiç, Dušan Açimoviq, thotë se fenomeni vazhdon prej vitesh. “Institucionet nuk reagojnë. Lejet jepen për gërmim në shtratin e lumit, por zhavorri nxirret nga toka përreth, duke ndryshuar rrjedhën e lumit”. Ai tregon se muret e shtëpisë së tij janë çarë nga lëvizjet e tokës për shkak të kamionëve të rëndë. Açimoviq ka ngritur edhe kallëzim penal ndaj ndërmarrjes “Vode Srpske”, por Prokuroria e ka mbyllur rastin duke thënë se “nuk ka elemente të veprës”.

    Shepak-u, afër Zvornikutt

    Institucionet në Bosnjë thonë se inspektorët shpesh shkojnë në vendngjarje kur makineritë janë larguar, kanë vetëm 7 inspektorë për gjithë entitetin, dhe shumë raste nuk identifikohen fare. Ndërkohë, Revizorët e RS thonë qartë se nuk ka menaxhim të integruar të lumenjve, kontrolli është i dobët dhe zhavorrxhinjtë ilegale punojnë me vite pa u ndëshkuar.

    Nikoliç thotë se numri i inspektorëve është i kufizuar

    FRIKA E QYTETARËVE

    Më shumë se gjysma e të anketuarve pranë Drinës dhe Bregallnicës thonë se kanë frikë të flasin publikisht, sepse “eksploatuesit janë të fuqishëm”, “ka korrupsion dhe lidhje kriminale”, si dhe “njerëzit në këto zona sundohen nga zhavorrxhinjtë”.

    Shepak-u, afër Zvornikut

    PA REAGIM URGJENT, LUMENJTË DO TË ZHDUKEN

    Lumenjtë e Ballkanit po përballen me të njëjtin fat. Nëse nuk vendosen rregulla të qarta dhe një kontroll i fortë, Drina dhe Bregallnica rrezikojnë të bëhen lumenj të së kaluarës – me ekosisteme të shkatërruara dhe komunitete që humbasin një pjesë të identitetit të tyre. Ky alarm vjen jo vetëm nga ekologët, por nga vetë banorët që prej vitesh jetojnë me pasojat e shkatërrimit. Nëse institucionet nuk veprojnë menjëherë, Drina dhe Bregallnica mund të shndërrohen në monumente të neglizhencës njerëzore.

    Lajmi Paraprak

    Peshku luan “pushton” Gjirin e Vlorës, peshkatari: ka helm, nuk duhet të konsumohet

    Lajmi i rradhës

    “Polici i mirë, polici i keq”: Uashingtoni dhe Brukseli në drejtime të kundërta për Bjellorusinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë