Nënat dhe gratë e ushtarëve rusë kërkojnë kthimin e tyre nga Ukraina

    “Vëllai im u dërgua për stërvitjet 333”, tha një grua nga rajoni jugor siberian, Buriatia, pasi familjari i saj po shërben për ushtrinë ruse në Ukrainë.

    “Ai nuk shkoi për të luftuar në një shtet tjetër. Në thelb ishte mashtrim. Vetëm në prag të pushtimit ata u informuan se do ta kalonin kufirin”.

    Kjo grua, e cila kërkoi të mos identifikohej nga frika e hakmarrjes për aktivitetet e saj kundër luftës, është një prej shumë nënave, motrave dhe partnereve të ushtarëve rusë nga rajonet e varfra sikurse Buriatia dhe Tiva, të cilat janë bashkuar për t’u bërë presion zyrtarëve që më të dashurit e tyre të kthehen në shtëpi.

    “Ai më thirri nga Bjellorusia [në prag të pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt]”, tregoi kjo grua. “U ankua se ‘po na i shtrëngojnë duart’, por e kuptova se ai kishte frikë që të refuzonte. Si duket, ai u kërcënua jo vetëm me përballje me tribunal, por edhe me lëndim fizik”.

    Duke përdorur grupe të mbyllura diskutimi në aplikacionin e mesazheve Viber, këto gra po ndajnë informacione dhe këshilla ligjore se si familjarët e tyre që po shërbejnë në Ukrainë, do të mund që ligjërisht të ndërpresin shërbimin e tyre në fushëbetejë.

    Ailana, nëna e një ushtari nga rajoni siberian Tiva, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë, tha se djali i saj ka pasur përvojë të ngjashme. Njësia e tij u zhvendos në Bjellorusi në janar për stërvitje dhe u dërgua në Ukrainë më 24 shkurt me urdhrin që ta marrin kontrollin e Kievit për dy ditë.

    Ai ishte në gjendje që të fliste me nënën e tij sërish në mes të muajit mars, kur njësia e tij u tërhoq nga Ukraina për t’u rigrupuar. Gjatë kësaj bisede, djali i Ailanës i tha asaj se njësia e tij ishte mashtruar dhe shumë ushtarë po kërkonin mënyra se si të mos kthehen sërish në fushëbetejë. Ailana u konsultua me avokatë, por ndërkohë djali i saj u dërgua edhe për një turne në Ukrainë.

    Për javë të tëra, Ailana nuk dëgjoi asnjë informacion për djalin e saj, periudhë që ajo e përshkruan si një prej periudhave më të këqija të jetës së saj. Megjithatë, në qershor ajo gjeti një avokat që ia shpjegoi asaj se si një ushtar me kontratë mundet që zyrtarisht të refuzojë që të shërbejë në luftime.

    Gratë e ushtarëve rusë nga Buriatia janë mbledhur për të kërkuar që burrat e tyre të lejohen të kthehen në shtëpi.
    Gratë e ushtarëve rusë nga Buriatia janë mbledhur për të kërkuar që burrat e tyre të lejohen të kthehen në shtëpi.

    “Kur djali im dorëzoi apelin duke thënë se ai nuk dëshiron të luftojë më, ata filluan ta kërcënojnë”, kujton Ailana. “Ata i thanë se do të përballej me tribunal dhe do të dërgohej në burg për tetë vjet. Ai më thirri dhe më tha: ‘Nënë, çfarë të bëj?’ Por, unë kisha biseduar me avokatë dhe i tregova se ky ishte blof”.

    Më vonë, ajo tha se djali i saj dhe 13 ushtarë të tjerë që kishin ndërmarrë të njëjtët hapa, u turpëruan para njësive të tyre dhe u cilësuan “tradhtarë”. Megjithatë, pjesërisht për shkak të këshillës së Ailanës, që të 14 ushtarët i bënë ballë turpërimit dhe kërcënimeve dhe u liruan nga shërbimi. Që atëherë, ata janë kthyer në Tërkto Tiva.

    Grupi për të drejtat e njeriut “Buriatia e Lirë” raportoi më 11 korrik se afër 150 ushtarë nga ky rajon me sukses kanë refuzuar që të dërgohen sërish në Ukrainë dhe janë kthyer në shtëpi më 9 korrik.

    Para se të dërgoheshin në shtëpi, ushtarët raportohet se janë mbajtur të mbyllur në një bazë ushtarake dhe janë kërcënuar se do të ndiqen penalisht. Udhëheqësja e grupit “Buriatia e Lirë”, Aleksandra Garmazhapova, përmes një postimi në Facebook uroi ushtarët dhe u tha atyre se “keni shpëtuar jetën tuaj dhe të të tjerëve”.

    Deri në fund të qershorit, mbi dhjetëra gra dhe nëna të ushtarëve nga Buriatia publikuan apelet e tyre përmes videove, dhe këto mesazhe ai drejtuan guvernatorit të Buriatias, Aleksei Tsydenov, të cilit i kërkuan që t’i kthejë më të dashurit e tyre nga Ukraina.

    “Ata po marrin pjesë në ‘operacionin e posaçëm’ që prej 24 shkurtit”, tha një grua në video-mesazhin e saj. “Ata janë të lodhur moralisht dhe fizikisht”.

    Një aktivist nga Tiva, që kërkoi të identifikohej vetëm si Vasily, tha se ai ishte i vetëdijshëm se të paktën 20 ushtarë nga rajoni, të cilët kanë refuzuar të vazhdojnë pjesëmarrjen në luftime, nuk janë lejuar që të kthehen në shtëpi. Ai dhe gruaja e tij aktivisht janë të përfshirë në grupet në Viber dhe Instagram, të cilat janë të dedikuara për të ndihmuar ushtarët të prishin kontratat e tyre me ushtrinë.

    “Së fundmi, gratë në këto grupe kanë diskutuar për burrat e tyre që po refuzojnë të marrin pjesë në ‘operacionin e posaçëm’”, tha Vasily për Radion Evropa e Lirë, teksa përdori termin që Kremlini insiston t’i referohet luftës në Ukrainë. “Si duket, ata po bëhen të vetëdijshëm për humbjet e mëdha në luftë. Më herët… ato thjesht shkëmbenin informacione kur ndonjëra prej tyre bisedonte në telefon me burrin e saj”.

    Gratë nga Tiva, po ashtu, kanë nisur të mbledhin para për të blerë ushqim dhe furnizime të tjera për trupat e tyre pasi kanë pranuar informacione se ka mungesë të theksuar të furnizimeve, tha Vasily. Ai shtoi se ka dëgjuar për raste të banorëve lokalë që po mbledhin para, se po dërgojnë radiolidhje dhe dronë për më të dashurit e tyre në Ukrainë.

    “Ne jemi në kontakt me Brigadën e 55-të të motorizuar të këmbësorisë”, tha Vasily. “Në këtë brigadë janë 29 burra që po refuzojnë të dërgohen sërish në Ukrainë. Ata ende nuk janë liruar nga ushtria, por janë dërguar që të punojnë në një detashment funerali. Por, shumica e tyre janë kthyer në Tiva. Ata na thanë se nga afër 100 persona që janë dërguar javën e kaluar në vijën e frontit, dhjetë janë vrarë dhe 20 janë plagosur”.

    Që nga ditët e para të pushtimit rus, analistët dhe aktivistët kanë theksuar se rajonet ruse që janë të varfra dhe etnikisht joruse, sikurse Tiva dhe Buriatia, por edhe rajonet në Kauzakin e Veriut sikurse Osetia e Veriut dhe Dagestani, kanë pësuar më shumë vdekje të ushtarëve. Edhe pse autoritetet ruse nuk i publikojnë shifrat e të vrarëve, Radio Evropa e Lirë ka regjistruar 159 ushtarë të vrarë nga Buriatia. Më shumë se 100 viktima, zyrtarisht është pranuar se janë ushtarë nga Tiva.

    Në prill, analisti nga Shtetet e Bashkuara, Adam Leton, tha se Osetia e Veriut, Buriatia, Tiva, Dagestani, Ingushetia dhe Çukotka ishin në mesin e nëntë rajoneve ruse me numrin më të lartë të vdekjeve në ushtri në 100,000 banorë.

    Djemtë e rinj nga këto rajone shpesh i shohin kontratat për shërbim ushtarak si forma e vetme për t’i ikur varfërisë. Të ardhurat mesatare në Tiva janë 170-260 dollarë në muaj.

    Numri i saktë i ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë ende është i panjohur.

    Autoritetet ukrainase pretendojnë se mbi 35,000 trupa ruse janë vrarë, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes më mars ka ofruar për herë të fundit shifrat e të vrarëve, duke pranuar se i janë vrarë 1,351 ushtarë.

    Ailana tha se kur djali i saj u dërgua në shtëpi, një tjetër ushtar, po ashtu nga Tiva, e zëvendësoi atë.

    “Ai arriti pa asnjë municion në pushkën e tij”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë. “Djali im e shikoi atë i shokuar dhe i tha: ‘Kush mendon se je? Kjo është luftë’. Më pas, personi tjetër vetëm shikoi i shtangur”.

    Ailana tha se djali i saj i dha ushtarit të ri helmetën e tij, jelekun anti-plumb dhe municionin që i kishte mbetur. /REL/

    Lajmi Paraprak

    LSDM-ja dënon krahasimin e BE-së dhe Ursula Von der Leyenit, me nazistët dhe regjimin nazist

    Lajmi i rradhës

    Mario Balotelli afër transferimit në Zvicër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë