“NËNË TEREZA” E CEPAVE DHE SINDIKATAVE! Pa objekt të vetin dhe të studiosh si në kohë regjimi

    U fol e u stërfol për objektin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, i cili që kur u hap – pati kundërshtime pasi kishte akuza se kinse do ishte një strofull partiake dhe jo një institucion i dijes. Ky Universitet i cili pati paralajmërime të shumta për ndërtimin e objektit që në 2015, edhe sot vazhdon që studentët t’i ndjekin ligjëratat nëpër shkolla fillore e cepa zyrash të sindikatave, njëjtë sikurse në kohën e regjimit të viteve të viteve ‘90. Në vitin 2015, ishte ministri i Arsimit i asaj kohe, tashmë i ndjeri Abdilaqim Ademi, i cili pati deklaruar se objekti i Universitetit të ri do të ketë rreth 30.000 m2, ndërsa vlera e investimit për ndërtimin e objektit do të jetë diku rreth 15-20 milionë euro. Në gusht të vitit 2016, ministri Pishtar Lutfiu informoi se objekti i përkohshëm do të jetë në ish-Bankën Komerciale. “Unë kam propozuar në Qeveri për objektin e ish-Bankës Komerciale. Në bisedime e sipër komisionet amë kanë pasur propozime për disa alternativa. Me qëllim për t’i ikur barrës së qirasë, unë kam propozuar një objekt shtetëror ku nuk duhet të paguajmë qira”, kishte deklaruar aso kohe Lutfiu, por që vetëm një muaj më pas – ndryshoi mendimin dhe tha se objekti i përkohshëm i UNT-së do jetë hapësira e UEJL-së.

    OBJEKTI QË DUHET TË KISHTE PËRFUNDUAR NË 2020

    Në tetor të 2017, UNT-ja shpalosi vendimin për përzgjedhjen e projektit ideor për ndërtimin e kompleksit Universitar “Nënë Tereza”, madje në këtë vit u nda edhe buxhet prej 200 milionë denarë për nisjen e ndërtimit të këtij objekti. Po në këtë vit, ishte ministri Pishtar Lutfiu, i cili deklaroi se institucioni me të cilin ai drejtonte, asaj kohe i kishte deleguar të gjitha obligimet në vazhdimësi, e që ky universitet po funksiononte ashtu siç edhe kishin planifikuar. Nga ana tjetër, rektori i asaj kohe, Aziz Pollozhani kishte deklaruar se pret që nga shtatori i atij viti të fillojë ndërtimi i hapësirave të Universitetit. “Për ndërtimin e objektit ashtu siç ishte paraparë për tre vitet e ardhshme, ne kemi bërë pjesën tonë, detyrën projektuese me nevojat që duhet t’i ketë një universitet. Është në procedurë për tenderim, dhe shpresoj që ashtu siç është thënë, nga shtatori të vendoset themeli që brenda 2-3 viteve të kryhet”, ishte deklarata e tij.
    Zotime për ndërtimin e objektit kishte dhënë edhe Arbër Ademi në kohën kur ishte ministër i Arsimit. “Në planin për furnizime publike, por edhe buxhetin e MASH-it, janë paraparë të hollat përpara se të shpërbëhet Parlamenti dhe para vendimit për të shkuar në zgjedhje. Kështu që në aspektin ligjor, uroj që sa më shpejt të kryhet Plani Detal Urbanistik. Në qoftë se sot kryhet PDU-ja, nesër do të shpallet furnizimi publik”, ishin fjalët e Ademit në 2020.

    DRITË JESHILE OBJEKTIT I ISHTE DHËNË NË 2021

    Në 2021, pak para zgjedhjeve lokale kryetari i Çairit, Visar Ganiu, i cili kërkonte edhe një mandat, tha se u dha drita jeshile për këtë objekt. “Qytetarë të dashur, po ju sjellim një lajm të mrekullueshëm për të gjithë. Sot në mbledhjen e 59 Këshilli i Komunës së Çairit miratoi planin urban për bllokun 9 nga kuadri i qytetit, me të cilin është paraparë ndërtimi i objektit të Universitetit ‘Nënë Tereza’, në Komunën e Çairit. Me këtë ju dha dritë jeshile ndërtimit të këtij objekti”, ishte njoftimi i Ganiut. Në fund të marsit të vitit 2022, detyrën e rektorit të këtij Universiteti e mori akademiku Izet Zeqiri. Edhe Zeqiri në marrje të detyrës deklaroi se do të punojë për përmirësimin e kushteve studimore, sigurimin e infrastrukturës, renovimin e objekteve ekzistuese në kazermën ‘Ilinden’, si dhe ndërtimin e kompleksit studentor. Madje, në 27 prill 2022, Zeqiri njoftoi se është realizuar pranim-dorëzimi i lokacionit në rrethin e ish-kazermës “Ilinden” në kryeqytet, ku pritej të vendoset kompleksi i Universitetit. “Shpresoj që sa më shpejt të fillojnë dhe të përfundojnë aktivitetet investuese dhe do të kompletohemi si universitet, dhe me këtë do të rritet më shumë motivimi për punën e profesorëve por edhe motivimi i studentëve për të mësuar”, tha Zeqiri në prill të 2022.
    Më 15 nëntor të 2022, Zeqiri informoi se kanë filluar punimet për objektin e ri të universitetit e që hapi i parë që ishte pastrimi i hapësirave apo rrënimi i objekteve të vjetra, i cili do t’i hapte rrugë ndërtimit të objektit të ri. “Pas rrënimit të objekteve të vjetra, fillojmë që në javën e ardhshme renovimin e tërësishëm të objektit tre katesh prej 3000 metra katrorë, që sipas procedurave, duhet të përfundojë pas 4 muajve”, tha Zeqiri në atë periudhë. I pranishëm aty ishte edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu, i cili tha se “shtëpia e universitetit ‘Nënë Tereza’ po merr formën e vetë të vërtetë’.
    Në 28 nëntor të 2022 nisi rikonstruimi i objekteve të universitetit që, sipas deklaratës së Zeqirit atë kohë, edhe pse për momentin nuk ishte një objekt, i cili linte shumë për të dëshiruar, për të punësuarit e UNT-së ajo ishte vendi më i bukur ku do donin të ishin. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri si dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se UNT ka për obligim që nga tash e tutje të punoj në konsolidimin e tij. “Le të flasë universiteti. Aty ku e lë unë, le të vazhdojë universiteti”, tha Ahmeti.

    ZEQIRI: HAP I VOGËL NË DUKJE I NJË PROJEKTI TË MADH NË ARDHJE

    I pyetur se deri ku kanë arritur punimet për renovimin e objekteve pasi premtimet ishin që ato do përfundonin brenda 4 muajve, rektori Zeqiri tha për gazetën KOHA se pritet që brenda 2 muajve të ketë përfunduar renovimi, që na le të nënkuptojmë se afatit prej 4 muajsh i janë shtuar edhe 2 muaj të tjerë. “Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup më 28 nëntor të vitit të kaluar, një muaj pas marrjes në pronësi të tokës prej 50 mijë metra katrorë, të ndara nga qeveria e RMV-së, nisi rikonstruimin e objekteve në ish-kazermën Ilinden si një hap i vogël në dukje i një projekti të madh në ardhje e që është ndërtimi i kompleksit të ri të UNT-së, që do të zgjidh përfundimisht nevojat për zhvillim të procesit edukativo-arsimor”, tha Zeqiri duke shtuar se punimet kanë filluar nga zero pasi objektet ishin të trashëguara si dhe tërësisht të shkatërruara.

    “Kompania e cila fitoi në thirrjen publike, ka bërë largimin e gjithë instalimit të vjetër të ujit, të rrymës, të ngrohjes, ka larguar gjitha dyert dhe dritaret e demoluara. Objekti që është në renovim e sipër është në fazë të avancuar dhe punohet nga të gjitha anët për adaptimin e tij për nevoja të procesit arsimor. UNT veçmë ka bërë hapjen e portës së saj, ka bërë ndarjen fizike me kazermën Ilinden, ka projektuar dhe ka shtruar rrugën deri në godinat e tij, ndërsa është në fazë të rregullimit të gjelbërimit që do të ndodh sapo kushtet atmosferike të lejojnë”, tha rektori Zeqiri për KOHA. Sipas tij, viti i ardhshëm akademik është viti kur studentët dhe stafi do të shpërngulen në hapësirat e rinovuara të UNT-së.

    Lajmi Paraprak

    Si të dalloni nëse peshku është apo jo i frekskët

    Lajmi i rradhës

    A jeni duke marrë mjaftueshëm magnez

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë