Nepotizëm në vend të meritës!

    Në raportet e fundit të progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë janë theksuar korrupsioni, nepotizmi dhe mbipunësimi në sektorin publik, ndërsa problemet janë adresuar apo gishti është drejtuar ndaj punonjësve. Sa herë që përmenden reformat në sektorin publik, atëherë duhet të ketë pushime nga puna dhe të ndryshojnë ligjet. Politikanët nuk mund të zbatojnë reforma dhe raportet thonë se korrupsioni buron pikërisht nga personat e zgjedhur dhe të emëruar, thonë sindikalistët.Nepotizmi cilësohet si përkrahje a favorizim i farefisit e i miqve, duke shpërdoruar pushtetin. Sipas fjalorit, fjala ‘nepotizëm’ rrjedh nga italishtja ‘nepote’ që do të thotë nip. Fjala nepotizëm ka hyrë në përdorim nga praktika e dhënies favore të veçanta nipërve ose të afërmve të tyre. Pra,me nepotizëm kuptohet favorizimi i të afërmve mbi bazën e lidhjeve familjare. Thënë më saktë me fjalën nepotizëm nënkuptohet punësimi i të afërmve apo miqve të ngushtë, pa marrë parasysh meritat dhe aftësitë e tyre.

    Numri një i Konfederatës së Sindikatave, Bllagoja Rallpovski thotë se përgjegjësia për këtë gjendje duhet të kërkohet tek personat e zgjedhur dhe emëruar dhe jo tek te punësuarit në administratë. Analizat e sindikatave tregojnë se ekziston korrupsion pa përjashtim në të gjithë sektorin publik, ndërsa zgjidhja duhet kërkuar në dixhitalizimin e tij dhe zbatimin e ligjeve, në vend që të sjellë vazhdimisht ligje të reja.

    “Për të shtypur një korrupsion të tillë, duhet bërë dixhitalizimi, se dixhitalizimi do të mundësojë një sistem meritash sepse sistemi do të tregojë kush punon dhe kush nuk punon, dhe që kjo të ndodhë duhet të ketë vullnet politik, duhet të ketë ligje qe do të zbatohen dhe të ketë një moratorium në sektorin publik ku do të numërohemi se kush duhet të punojë dhe ku duhet të punojë”, thekson Ralpovski.

    Sipas tij shumica e nëpunësve e bëjnë punën e tyre me ndershmëri dhe vuajnë tortura të tmerrshme nga drejtuesit, të cilët fshehin jo profesionalizmin e tyre pas ndikimeve partiake. Nepotizmi është më i pranishëm në sektorin publik, ku ka pagat më të larta, ndërsa me i vogël është në institucionet ku pagat janë të ulëta, kështu që ata sektorë tashmë po humbasin staf profesional. Njëherësh nepotizmi e dëmton shëndetin psikofizik të të punësuarve në sektorin publik dhe i demotivon të rinjtë për të punuar në institucione.

    Për më tepër në raportin e fundit thuhet se Legjislacioni nuk i ka pranuar ende rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për nepotizmin, kronizmin dhe ndikimin politik në punësimin në sektorin publik dhe në emërimin e anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese. Përmirësimet në llogaridhënien e administratës publike janë dëmtuar nga mos miratimi i Ligjit të ri për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore.

    Profesori Llazar Jovevski nga Fakulteti Juridik i Universitetit “Kiril dhe Metodij”, beson se nëse sistemi është i korruptuar edhe përmes punësimit edhe përmes mbikëqyrjes dhe kontrollit, atëherë kjo paraqet një dekurajim të fortë për të gjithë, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin real, apo në ekonomi.

    “Prandaj është shumë e rëndësishme të zbulohet se nga buron problemi me korrupsionin në sektorin publik, nepotizmin, joprofesionalizmin. Nëse duam që shteti të ecë përpara në cilën do fushë, funksionimi i sektorit publik duhet të vendoset mirë në mënyrë fondamentale, ndërsa sektori publik duhet të inkurajojë dhe të kërkojë njerëz që janë profesionistë. Në letër kemi kritere dhe standarde që duhet të nxjerrin në sipërfaqe kandidatët më të mirë në sektorin publik, por në praktikë kjo nuk funksionon dhe ka shumë abuzime. Zgjidhje dhe mënyra ekzistojnë nëse duam ta rregullojmë vendin, por pyetja e vërtetë është nëse duam”, konstaton Jovevski.

    Sipas Bobi Dodevskit nga Sindikata e Policisë, nuk ka arsyetim për korrupsion në asnjë institucion.

    Problemi nuk janë ligjet, por zbatimi i tyre dhe ndoshta ndikimi politik që ka hyrë në të gjitha institucionet. “Duhet një reformë e mirë, për të hequr qafe nepotizmin, për të vlerësuar punëtorët profesionistë dhe së fundi, secili të bëjë punën për të cilën paguhet. Njëherësh nuk ka asnjë justifikim për korrupsion në asnjë institucion, paga e ulët apo e lartë. Më shumë, do të thosha, selektiviteti në caktimin e vendeve të punës, mosrespektimi i detyrimeve ligjore nga shefat , madje, mund të them, edhe ndryshimi i fushave dhe i sistemit të avancimit në karrierë çuan në vendosjen e kuadrove joprofesionistë”, thekson Dodevski.

    Ndryshe, në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian thuhet se për sa i përket parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit, niveli i gatishmërisë së vendit është i sigurt dhe i moderuar, nuk është bërë asnjë progres. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese. Vonesat dhe riprogramimi i gjykimeve të korrupsionit të nivelit të lartë u rritën, duke rezultuar në disa raste të parashkruara. Kodi Penal u ndryshua pas një procedure urgjente parlamentare. Dënimet maksimale ligjore për krime specifike të lidhura me korrupsionin u reduktuan, gjë që pati pasoja në zbatimin e parashkrimit dhe ndikoi, ndërpreu apo edhe ndaloi një sërë rastesh të korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë rastet nga ish-Prokuroria Publike Speciale. Ndryshimet pengojnë gjithashtu aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht akte të tilla. Kjo është një çështje shqetësuese dhe serioze. Sugjerohet përmirësimi i rezultatit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë – me hetime proaktive në kohë, profesionale dhe transparente, ndjekje penale, dënime përfundimtare dhe rikuperim, duke përfshirë konfiskimin e aseteve kriminale, konfiskimin e bazuar në vlerë, konfiskimin e zgjatur dhe konfiskimin nga palët e treta. (koha.mk)

    Lajmi Paraprak

    “LUFTA VAZHDON” – Dy Kongrese brenda dy dite: Taravari sot, Sela të dielën

    Lajmi i rradhës

    Për projektet do të pyeten qytetarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë