Nepotizmi si “traditë” në institucionet e Maqedonisë së Veriut

    Fotografia: Nistori

    Nepotizmi i skajshëm në institucione me vite brengos shoqërinë dhe ndoshta këtu duhet kërkuar arsyeja pse kaq shumë të rinj janë larguar nga Maqedonia e Veriut në vitet e kaluara pa asnjë qëllim për t’u kthyer. Pavarësisht angazhimeve deklarative të funksionarëve se do ta luftojnë nepotizmin me të gjitha forcat, opinioni po dëshmohet pikërisht për të kundërtën, punësimin masiv të djemve, bashkëshorteve dhe të afërmve të tjerë në pozita kyçe. Dhe jo vetëm funksione, atyre u jepen biznese fitimprurëse, objekte ekskluzive biznesi, pasuri të paluajtshme dhe gjithçka që mund të sjellë fitim. Ata lejohen të ndërtojnë në zona të mbrojtura pa leje, të bëjnë shkelje dhe të kalojnë pa u ndëshkuar.

    Pa dyshim, shumë shembuj të nepotizmit do të përfundojë si gjithë të tjerët, pa asnjë përgjegjësi reale nga ata që duhet të luftojnë kundër nepotizmit dhe korrupsionit.

    “Ndjesia është më e madhe kur bëhet fjalë për fëmijën e një zyrtari. Edhe fëmija im ka të drejtë të konkurrojë dhe të pranohet në punë”, tha kohë më parë Talat Xhaferi, pa sqaruar se pse vetëm fëmijës së tij iu dha mundësia që të hyjë herët në provimin e jurisprudencës, nëse tashmë ai bën thirrje për barazi për të gjithë.

    Djali i Xhaferit është vetëm një nga fëmijët e politikanëve që ka kaluar Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë. Pothuajse 18 për qind e kandidatëve të miratuar, të cilët janë gjykatës dhe prokurorë të ardhshëm, janë djem, vajza, nuse dhe gra të politikanëve aktual, gjykatësve dhe prokurorëve aktual dhe të mëparshëm.

    Situata me nepotizmin është e ngjashme në fushat e tjera, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, kultura, madje edhe sporti. Djemtë dhe vajzat pasojnë baballarët dhe nënat e tyre në kolegje, klinika, institute, apo thënë më mirë, kudo ku prindi i tyre mund t’i përshtatë ata gjatë detyrës. Prandaj, nuk duhet të jetë çudi pse gjithnjë e më shumë të rinj nuk e shohin të ardhmen e tyre në vendin ku janë rritur dhe ikin jashtë vendit. Njohuritë që ata kanë marrë thjesht nuk mund të paguhen në Maqedoninë e Veriut, e aq më pak t’i zhvillojnë ato, ndërkohë që nuk bëhet fjalë fare për avancim në karrierë. Për ta bërë paradoksin edhe më të madh, edhe Afganistani, i cili konsiderohet një vend ku praktikisht nuk respektohen të drejtat e njeriut, thjesht vendosi t’i japë fund praktikës së nepotizmit dhe punësimit të të afërmve të zyrtarëve shtetërorë. Gjegjësisht, së fundi lideri i talebanëve urdhëroi zyrtarët afganë që t’i shkarkojnë të afërmit që i punësuan në pozita në administratën shtetërore dhe kompani të ndryshme.

    Dekreti i nënshkruar nga udhëheqësi suprem fetar tha se zyrtarët duhet të pushojnë dhe zëvendësojnë djemtë ose anëtarët e tjerë të familjes që kanë punësuar dhe të përmbahen nga punësimi i të afërmve në të ardhmen. Pra në një shtet ku praktikisht konsiderohet se nuk respektohen të drejtat e njeriut, tregohen më të vetëdijshëm të ndërmarrin disa hapa për ta parandaluar nepotizmin, ndërsa në të njëjtën kohë në Maqedoni jo vetëm që askush nuk lufton kundër nepotizmit, por ky fenomen bëhet një mënyrë normale e shoqërisë.

    Analisti politik Sinisha Pekevski mendon se nepotizmi tashmë ka marrë vrull dhe nuk reagon askush.

    “Në Maqedoni ka 30 vjet që sundon nepotizmi dhe ka qenë karakteristikë e të gjitha administratave deri më tani, pa marrë parasysh se nga vjen apo përkatësia etnike, dhe është kjo është jashtëzakonisht shumë keq. Një nga arsyet kryesore është nepotizmi, që i gjithë kuadri cilësor është larguar nga Maqedonia dhe nuk ka më një person cilësor që ka mbetur në vend pikërisht për shkak të politikave të tilla të punësimit të djemve, vajzave dhe të afërmve të tjerë”, thotë Pekevski.

    Sipas tij, kjo është edhe një nga arsyet e gjendjes në të cilën ndodhet Maqedonia, pra për shkak të politikave të tilla farefisnore për vendosjen e njerëzve në pozita kyçe.

    “Rezultati është se Maqedonia po fermentohet, por do të shohim në cilin drejtim. Kemi bartës të funksioneve publike që nuk kanë njohuri, arsim dhe cilësi as për të udhëhequr këshillin e shtëpisë, e jo shtetin. Përgjegjësi – askush! Kjo është e papranueshme! Prandaj po migrojnë njerëzit tanë, prandaj mbretëron korrupsioni, prandaj na vdesin fëmijët gjashtëvjeçarë në spitale, prandaj hiqen organet e gabuara gjatë operacioneve, prandaj të burgosurit dalin nga burgu si në shëtitore, etj. Gjendje e stagnimit sistematik”, thekson Pekevski.

    Është më se e qartë se problemi i nepotizmit është aq i rrënjosur sa që nuk njihet më si një e keqe në vetvete, por si diçka normale në shoqëri.

    Larg syve të opinionit, Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë në sallën e madhe të Gjykatës së Lartë pasditen e djeshme ndau solemnisht diplomat për klasën e të diplomuarve të këtij viti. Certifikatën për përfundimin e Akademisë e kanë marrë edhe një sërë djem, vajza, bashkëshorte dhe të afërm të tjerë të politikanëve aktualë dhe të dikurshëm, gjykatës dhe prokurorë, gjë që së fundmi ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Në këtë akt solemn ishte ftuar vetëm Agjencia e Lajmeve MIA.

    Diplomat i morën edhe prokurorët e ardhshëm: djali i kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Albulena Abazi, bashkëshortja e kreut aktual të Prokurorisë për ndjekje e Krimit dhe Korrupsionit, Islam Abazi, bashkëshortja e kryetarit të komunës Aerodrom, Timço Mucunski, i cili do të bëhet gjykatëse dhe mbi pesëdhjetë “dëgjues” të tjerë të Akademisë, emrat e të cilëve lidheshin me njerëz nga politika dhe gjyqësori. Ndërkaq, pas zgjedhjes për prokuror të djalit të Talat Xhaferit dhe gruas së shefit të Prokurorisë për ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit, kryeprokurori republikan Lubomir Joveski tha se këtyre njerëzve duhet t’u jepet një shans.

    ”Unë absolutisht nuk shoh asnjë arsye që të hapen dyshime për këta njerëz të ri, këtyre njerëzve duhet t’u jepet shans. Këta njerëz kanë mbaruar arsimim adekuat dhe i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore që të mundet në procedurë adekuate të zgjidhen për gjyqtarë dhe prokurorë publik”, tha Joveski. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania bëhet gati të “zbrazë” Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Më shumë vende parkimi në Tetovë për personat me nevoja të posaçme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë