Propozim-Ligji i ri për Arsimin e Lartë sjell pasoja të drejtpërdrejta për pushimin e institucioneve, studimet e doktoraturës, si dhe për zgjedhjen dhe rizgjedhjen e titujve akademikë, duke i përjashtuar njëkohësisht universitetet (senatet) nga roli i partnerëve socialë të barabartë. Një komision i posaçëm i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ka përgatitur një analizë me vërejtje për dispozitat problematike të propozim-ligjit të hartuar nga Ministria e Arsimit. Vërejtjet, të përmbledhura në dhjetëra faqe, pritet t’i dorëzohen ministres Vesna Janevska gjatë vizitës së saj të enjten në UNT.
Komisioni i UNT-së e ka bazuar analizën në disa parime referuese kyçe: autonominë universitare si garanci kushtetuese; sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike si vlera themelore kushtetuese; të drejtën për punë dhe mbrojtjen në punë si kufi ndaj përfundimeve automatike të marrëdhënies së punës; parimet evropiane të lirisë akademike dhe autonomisë institucionale të sanksionuara në Magna Charta Universitatum; standardet evropiane të cilësisë (ESG), që kërkojnë balancë ndërmjet cilësisë, mekanizmave të brendshëm dhe verifikimit të jashtëm; si dhe dialogun social si mekanizëm normal për politikat që ndikojnë në pozitën e të punësuarve.
KONFLIKT DHE NORMA QË VËSHTIRË ZBATOHEN
“Në praktikë Propozim-Ligji për Arsim të Lartë krijon norma që duken ‘të rrepta’, por që zbatohen vështirë; interpretime të ndryshme sipas institucioneve; konflikt ndërmjet organeve akademike dhe administratës; si dhe më shumë konteste gjyqësore dhe administrative. Duhet theksuar se Neni 63 parashikon pushimin e një institucioni të arsimit të lartë, nëse themeluesi konstaton se ka pushuar nevoja për ekzistencë; ministri nxjerr vendim për pushim/heqje lejeje për institucion privat; ekziston falimentim i institucionit privat; ekzistojnë ‘baza të tjera për pushim’”, thuhet në Analizë, ndërsa theksohen në detaje çështjet problematike të propozim-ligjit, raporton Koha.
“Dobësitë kryesore janë baza të gjera dhe të paqarta (“ka pushuar nevoja”, “baza të tjera”), që hapin hapësirë për arbitraritet; mungesë e procedurës akademike në paragrafët 1 dhe 3 për institucionet publike, pa mendim të detyrueshëm nga Senati dhe këshillat mësimor-shkencorë; boshllëk juridik rreth ‘pushon me ligj’ pa garanci procedurale dhe kritere. Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Universitet publik ose njësi mund të çojë drejt pushimit/bashkimit pa rol real të organeve akademike; autonomia bëhet formale, sepse institucioni nuk merr pjesë në vendimmarrje për statusin e vet; si dhe studentët dhe të punësuarit hyjnë në periudhë pasigurie, ndërsa zgjidhja zbatohet me shpejtësi administrative”.
Komisioni i UNT-së konstaton gjithashtu se shumë çështje bien ndesh edhe me Kushtetutën e shtetit. “Kushtetuta garanton autonominë e universitetit (neni 46). Autonomia e humb thelbin nëse institucioni nuk ka të drejtë pjesëmarrjeje në vendime statusore që e prekin ekzistencën dhe strukturën. Formulimet e paqarta e dobësojnë edhe sigurinë juridike si pjesë e sundimit të ligjit (neni 8). Komisioni mbështet norma për mbrojtjen e studentëve në rast pushimi të institucioneve private (transferim, dokumentacion, garanci). Problemi lind kur institucionet publike trajtohen si objekt i ristrukturimit administrativ/politik pa procedurë akademike”.
RREZIKOHEN UNIVERSITETET E REJA
Problematik dhe kundër-kushtetues, sipas Komisionit, është edhe Neni 124 që parasheh “Ciklin e tretë” – studimet doktorate.
Çfarë parashikon ligji? Neni 124 lejon studime doktorale vetëm për universitete që i plotësojnë kushte të larta dhe kumulative, ose të jenë ndër ‘katër të parët’ të renditur; të ushtrojnë veprimtari të paktën 15 vjet; pragje të larta për projekte dhe publikime; si dhe kushtet të vlejnë në mënyrë kumulative. Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Ky nen parasheh përqendrim të studimeve doktorale në shumë pak institucione, ul shanset zhvillimore të universiteteve më të vogla/më të reja, dobëson zhvillimin shkencor rajonal, si dhe kufizon zgjedhjen për studiuesit e rinj”, thuhet në Analizën e UNT-së, ndërsa propozojnë të fshihen kushtet në nenin 124 si ‘të ushtrojë veprimtari të arsimit të lartë të paktën 15 vjet’, ‘të jetë ndër katër të parët të renditur’, të fshihet paragrafi për kumulativitet’, ndërsa të shtohet ‘Studime doktorale mund të organizojë universiteti që për programin konkret dëshmon kapacitet mentorësh, infrastrukturë shkencore, plan kërkimi, mekanizma etikë dhe sistem funksional të sigurimit të cilësisë’”.
Problematik, sipas UNT-së, është edhe Neni 161 i propozim-ligjit. Neni 161 përcakton numër të lartë punimesh të recenzuara brenda një periudhe të shkurtër; lidhje të fortë me një bazë të vetme (Web of Science) dhe “faktor ndikimi”; pragje të detyrueshme të h-index-it; si dhe kushte shtesë – projekte, tekste mësimore, mentorime, si dhe model të rizgjedhjes së përsëritur për titullin më të lartë.
“H-index është indikator statistikor që ndryshon ndjeshëm sipas disiplinave dhe kulturave akademike dhe ligji krijon pabarazi. Nuk është normë juridike. Shembull: një punim në Matematikë, në fushën e Topologjisë në hapësira 4D, në shkallë botërore ka vetëm 7 ekspertë që punojnë në këtë fushë dhe mund të marrë maksimumi 3-7 citime. Një punim në Shkencat Sociale, p.sh. për përfshirjen e grave në politikë ose menaxhim, është fushë popullore ku shkruajnë mbi 10 milionë njerëz dhe edhe një punim shumë i thjeshtë mund të marrë mbi 100.000 citime vetëm sepse tema është popullore dhe ka shumë autorë, krahasuar me temën e parë. Megjithatë, në asnjë rast punimi për Topologji nuk është më pak cilësor – përkundrazi është shumë cilësor, por h-index do të sillte keqkuptim në këtë rast: punimi më i mirë shkencor do të kishte 3 citime, krahasuar me një anketë të zakonshme që do të kishte mbi 100.000 citime”.
UNT vlerëson se me këtë nen do të ketë presion publikimesh, konkretisht kuota të larta në periudhë të shkurtër e shtyjnë në plan të dytë mësimdhënien, mentorimin dhe punën institucionale.
“Do të kemi edhe mospërputhje me revistat dhe konferencat vendore, sepse nëse insistohet vetëm në revista të indeksuara në baza prestigjioze ndërkombëtare, askush nuk do të publikojë në revista vendore dhe nuk do të marrë pjesë në konferenca vendore. Do ketë dhe barrë financiare dhe kohore, pasi publikimi në revista të caktuara shpesh kërkon shpenzime dhe cikël të gjatë recenzimi. Do të humb edhe autonomia universitare, sepse kriteret uniforme në nivel ligji e ngushtojnë mundësinë që universitetet t’i përshtatin kriteret sipas fushave shkencore”.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë, sipas Analizës së Komisionit të UNT-së. “Kuadri mësimor e zhvendos fokusin drejt ‘plotësimit të shifrave’, zvogëlohet koha për punë me studentët, rritet formalizmi në prodhimin shkencor, dështojnë revistat dhe konferencat shkencore vendore, si dhe krijohet rrezik për demotivim dhe largim të kuadrove. Ky nen bie ndesh edhe me frymën e autonomisë institucionale dhe lirisë akademike që e thekson tradita evropiane Magna Charta. Për më tepër, kritere jo-proporcionale të rrepta të lidhura me rizgjedhjen mund, indirekt, ta prekin të drejtën e punës (neni 32 i Kushtetutës) kur lidhen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës”.
LIGJ QË LARGON NGA PUNA PROFESORË
Analiza e konteston edhe Nenin 164 që parasheh rizgjedhjen dhe humbjen e vendit të punës për stafin akademik.
“Neni 164 rregullon rizgjedhjen në të njëjtin titull dhe parashikon se, nëse një person nuk i plotëson kushtet në rizgjedhje, mund të humbet titullin, si dhe humbet marrëdhënien e punës (si pasojë e drejtpërdrejtë). Pse është problem? Pasoja më e rëndë lidhet me mosplotësim formal të indikatorëve, pa shkallëzim (pa gradualitet). Kemi dhe mungesë periudhe tranzitore, konkretisht injorohet cikli real akademik (projekte, recenzime, publikime), si dhe pasiguri sociale – karriera akademike bëhet e paqëndrueshme dhe kjo ndikon në cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit”, konstaton UNT, ndërsa shton se në praktikë, kjo do të thotë që profesorë me vite pune – mund të mbetet pa punë për shkak të indikatorëve që varen nga faktorë jashtë kontrollit (koha e recenzimit, shpenzimet, praktikat disiplinore), fakultetet përfundojnë në paqëndrueshmëri kadrovike dhe ndërprerje në procesin mësimor, si dhe do rritet numri i ankesave, kundërshtimeve dhe kontesteve.
“Kjo bie ndesh me të drejtën e punës dhe mbrojtjen në punë (neni 32) nëse ndërprerja bazohet në automatizëm pa procedurë proporcionale. Po ashtu, prek sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit kur pasojat janë ekstreme, ndërsa mekanizmat korrigjues janë të dobët”, thuhet në Analizë, ndërsa propozohet paragrafi që parasheh humbjen automatike të marrëdhënies së punës si pasojë e rizgjedhjes së pasuksesshme, të vendoset afat tranzitor (12 muaj) me plan individual për përmbushje dhe mundësi për rivlerësim, si dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës të lejohet vetëm pas procedurave të arsyetuara, me proporcionalitet dhe mbrojtje juridike efektive.
Problematik dhe përzirje direkte në autonominë e universiteteve është edhe Nëni 81 që parasheh Raportin Vjetor të Rektorit dhe Raportin Financiar. Gjithashtu, pavarësinë e Universiteteve e cenon edhe Neni 86 që përcakton anëtarët e Këshillit të Universitetit, konkretisht Qeveria ka në dorë emërimin e anëtarëve. Gjithashtu edhe paragrafët që përcaktojnë angazhimin e profesorëve të huaj prek autonominë e universiteteve, ndërsa paradoks në vetvete paraqet edhe paragrafi që rregullon financimin e hulumtimeve shkencore. Komisioni i UNT-së gjithashtu ka vërejtur se vështirësohet emërimi i docentëve, ndërkohë që paragrafët e Nenit 161 detyrojnë profesorët të braktisin Arsimin e Lartë në shtet. Sidomos te pjesa e heqjes së termit “profesor i çrregullt”, gjë që sipas UNT-së, humb e drejta e universiteteve për punësime të reja dhe mbyllje të programeve studimore.
“Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Universitetet më të vogla nuk mund të sigurojnë kuadrin minimal mësimor për programet e akredituara, studentët humbasin qasjen te profesionistë me përvojë praktike, rritet ngarkesa mbi kuadrin ekzistues, gjë që çon në rënie të cilësisë së mësimdhënies, si dhe Universitetet bëhen të varura ekskluzivisht nga miratimet buxhetore për punësime të reja. Paragrafi në fjalë bie ndesh me garancinë kushtetuese për autonominë (neni 46) që nënkupton edhe autonominë kadrovike të universiteteve. Gjithashtu, heqja e titujve honorifikë (titujve të angazhimit) e kufizon këtë autonomi pa arsyetim të vlefshëm, ndërkohë që në kontekstin evropian, shumica e vendeve të rajonit (Kroacia, Sllovenia, Serbia) i ruajnë titujt e tillë si mekanizëm legjitim për angazhim fleksibil të kuadrit”.
QEVERIA DHE MINISTRI ME ROL VENDIMARRËS NË UNIVERSITETE!
Goditje e drejtpërdrejt ndaj autonomisë universitare është edhe Neni 17, që parasheh “pëlqimin të Qeverisë për Statutin e Universitetit”. Konkretisht, Neni 17, paragrafi (3) parashikon që statuti i universitetit dhe i shkollës së lartë profesionale të miratohet nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, pas një mendimi paraprak pozitiv nga Qeveria. Kjo, sipas Analizës së UNT-së, do të thotë se Qeveria, si pjesë e pushtetit ekzekutiv, ka rol formal në miratimin e aktit themelor të universitetit.
“Pse është problem kjo? Parlamenti është themelues i universiteteve publike dhe ka Komision për arsim dhe shkencë, ndërsa deputetët kanë kapacitet të mjaftueshëm për të komunikuar drejtpërdrejt me universitetet publike. Përfshirja e Qeverisë si ndërmjetëse në procedurën e miratimit të statutit vendos një filtër të panevojshëm të pushtetit ekzekutiv mbi autonominë normative të brendshme të universitetit. Kjo krijon hapësirë për ndikim politik mbi përmbajtjen e statutit. Kjo në praktikë do të thotë se procesi i miratimit ose ndryshimit të statutit bëhet më i gjatë dhe më i ndërlikuar, Qeverisë i lihet hapësirë ta kushtëzojë pëlqimin me kërkesa që tejkalojnë çështjet e ligjshmërisë, ndërsa futet një ndërmjetës i panevojshëm midis themeluesit (Parlamentit) dhe universitetit. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën dhe konceptet ndërkombëtare, pasi autonomia kushtetuese (neni 46) nënkupton të drejtën e universitetit që t’i rregullojë vetë çështjet e brendshme me aktin e tij themelor”, thuhet në Analizën e UNT-së, ndërsa shtojnë se “mendimi i Qeverisë përbën një formë të tërthortë kontrolli të pushtetit ekzekutiv mbi autonominë normative, gjë që bie në tension me parimet e “Magna Charta Universitatum”.
Në renditjen e neneve absurde renditet edhe Neni 200 që parasheh kompetenca të ministrit për pezullimin e akteve të universitetit.
“Neni 200 i jep të drejtë ministrit përgjegjës për arsimin e lartë të pezullojë zbatimin e një akti të përgjithshëm të një institucioni të arsimit të lartë nëse vlerëson se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën ose me ligjin, me detyrimin që brenda tetë ditëve të nisë procedurë para Gjykatës Kushtetuese. Pse është problem kjo? Universiteti është autonom dhe ka detyrimin të respektojë ligjet. Nëse ministri konstaton parregullsi, ekzistojnë mjete të rregullta juridike: ankesë në Komisionin Shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative ose padi në Gjykatën Administrative. Sipas parimeve të së drejtës administrative, palët janë të barabarta. Atëherë, pse një ministër duhet të ketë pozitë kaq të privilegjuar ndaj një universiteti, kur ekzistojnë institucione që vlejnë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ministrat? Kompetenca për pezullimin e akteve e vendos de facto ministrin në rolin e kontrollorit paraprak të prodhimit normativ universitar, gjë që nuk është e përputhshme me autonominë universitare”, thuhet në Analizë, ndërsa sqarohet se me këtë nen, ministri mund të pezullojë akte kyçe të universitetit (rregullore, vendime) pa vendim gjyqësor, ndërsa përveçse krijon presion dhe pasiguri në punën e organeve universitare, cenohet edhe barazia e subjekteve juridike para ligjit.
HUMBET AUTONOMIA FINANCIARE
Neni 109 dhe 114, sipas Analizës së UNT-së, rrezikon autonominë financiare të universiteteve. Në nenin 109, paragrafi (8) i Propozim-ligjit parashikohet që planet financiare për llogaritë nga aktivitetet vetëfinancuese dhe donacionet të pranohen në tërësi, pa ndryshime nga Ministria e Financave. “Megjithatë, në paragrafin (9) të të njëjtit nen përcaktohet një përjashtim, sipas të cilit, Ministria e Financave mund të bëjë ndryshime dhe rregullime përkatëse në këto plane. Gjithashtu, neni 114, paragrafi (2) parashikon se një universitet publik mund të vendosë tarifë shkollimi për studentët, arsimi i të cilëve nuk financohet nga Buxheti, por vetëm me pëlqimin paraprak të Qeverisë. Pse është problem kjo? Paragrafi (9) i nenit 109 përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në të drejtën e universiteteve për të disponuar në mënyrë të pavarur me të ardhurat e tyre. Mjetet nga aktivitetet vetëfinancuese dhe donacionet nuk janë mjete buxhetore publike; ato gjenerohen nga vetë aktiviteti i universitetit. Dhënia e të drejtës Ministrisë së Financave për t’i ndryshuar këto plane bie në kundërshtim me paragrafin (8) dhe nuk është në përputhje me parimin e autonomisë financiare”, thuhet në Analizë.
Në të njëjtën kohë, vijon Analiza, kërkesa për pëlqimin e Qeverisë për lartësinë e tarifës së shkollimit për studentët e pafinancuar (neni 114, paragrafi 2) paraqet një ndërhyrje të panevojshme në një çështje që universiteti mund ta rregullojë vetë. “Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Ministria e Financave mund t’i ndryshojë në mënyrë arbitrare planet financiare të universiteteve për mjetet e veta, Universitetet nuk mund ta përcaktojnë në mënyrë të pavarur tarifën e shkollimit për studentët e pafinancuar, ndërsa krijohet pasiguri në planifikimin dhe investimin financiar. Autonomia financiare është pjesë përbërëse e autonomisë kushtetuese të universitetit (neni 46). Kufizimi i të drejtës për të disponuar me mjetet e veta, pa bazë ligjore që e arsyeton një ndërhyrje të tillë, bie ndesh me këtë parim kushtetues. Gjithashtu, standardet evropiane për autonominë institucionale (EUA Autonomy Scorecard) e përfshijnë autonominë financiare si dimension kyç”.
Në arsyetimin e vërejtjeve, Komisioni UNT-së thekson se Propozim-Ligji për Arsim të Lartë, në kundërshtim me parimet evropiane për autonominë dhe lirinë akademike “Magna Charta”, si dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ndërhyn në ndërprerje të programeve studimore dhe dhe riorganizimin e tyre, parasheh kritere të rrepta kuantitative për avancim në karrierë, kufizon studimet e doktoraturës, ndërsa shkakton pasoja që mund të çojnë në humbje të marrëdhënies së punës të një numri të madh profesorësh. Në mënyrë të përmbledhur, Komisioni vlerëson se ky Propozim-Ligj dobëson autonominë e universiteteve, krijon pasiguri juridike dhe kadrovike, monopolizon ciklin e tretë të studimeve, si dhe ul fokusin e mësimdhënies dhe interesin e studentëve. Rezultati mund të jetë një arsim i lartë me menaxhim administrativ, pabarazi institucionale dhe staf të demotivuar, me më shumë konteste dhe më pak zhvillim.
“Komisioni identifikon përplasje kyçe me Kushtetutën dhe konceptin ndërkombëtar (neni 46 -autonomia, nenin 8 – sundimi i së drejtës), nenin 32 – e drejta për punë. Gjithashtu bie ndesh me parimet evropiane për autonominë dhe lirinë akademike ‘Magna Charta’, me logjikën ESG për cilësi, që kërkon qasje të bazuar në programe dhe jo model me barriera statusore, si dhe bie ndesh me konceptin evropian të dialogut social”. /Koha/






