Shkarkime, moratoriume, akuza dhe përplasje mes anëtarëve. Në Lëvizjen BESA zhvillimet nuk kanë të ndalur, ndërsa në horizont po kristalizohet një përballje mes dy fraksioneve, atë të dyshes Billal Kasami dhe Adnan Azizi me fraksionin e Fatmir Limanit. Edhe pse partia kishte ndërmarrë shkarkimin e kryesisë, me arsyetimin për t’i hapur rrugë unifikimit të VLEN-it, veprimet e fundit dëshmojnë se përplasja reale është për marrjen e autoritetit dhe kontrollit brenda partisë. Së fundmi, kryesia e degës së Lëvizjes BESA në Kërçovë ka marrë vendim për shkarkimin dhe largimin e tre funksionarëve lokal. Ky veprim, sipas burimeve partiake, është nxitur nga ministri Fatmir Limani dhe interpretohet si hakmarrje ndaj individëve që përkrahin linjën e Bilall Kasamit. Pas kësaj pasoi një kumtesë sqaruese nga Lëvizja BESA, në të cilën thuhet se dega e Lëvizjes BESA në Kërçovë, me kryetar Agim Sadikun, sekretar Rexhep Asanin, anëtarët e kryesisë Valbona Adili Emini dhe Bejtulla Eminin, si dhe anëtarësinë e saj, si të gjitha degët e tjera, i nënshtrohet moratoriumit të shpallur të aktiviteteve partiake me qëllim bashkimin e VLEN-it në një subjekt.
“Kuvendi Qendror i Lëvizjes BESA, në mbledhjen e 12 shkurtit 2026, shkarkoi kryesinë e partisë dhe autorizoi kryetarin Bilall Kasami që të vijojë bisedimet për bashkimin e VLEN-it. Në të njëjtën mbledhje, u shkarkua nga anëtari i Kuvendit Qendror edhe individi i nënshkruar sot në një kumtesë pa bazë juridike në emër të Degës së Kërçovës. Këto që shohim sot janë tentativa të motivuara nga jashtë për ta dëmtuar Lëvizjen BESA dhe VLEN-in, përfshirë procesin e bashkimit të VLEN-it në një subjekt”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA. Pas kësaj kumtese i menjëhershëm ka qenë reagimi i Fatmir Limanit, i cili nuk pajtohet me këtë vendim të partisë. Sipas Limanit në praktikën politike dhe organizative, pezullimi i aktivitetit apo procesit duhet të jetë e arsyetuar, e konsultuar me strukturën dhe në funksion të stabilitetit dhe assesi në dëm të funksionimit demokratik të strukturave.
“Deklaratat e fundit lidhur me vendosjen e një ‘moratoriumi’ mbi aktivitetet politike ngrejnë shqetësime serioze për mënyrën e konceptimit dhe funksionalitetit organizativ. Strukturat politike nuk mund të paralizohen përmes vendimeve të njëanshme, pasi ato përfaqësojnë vullnetin dhe angazhimin e anëtarësisë në terren. Funksionimi normal i strukturave, komunikimi me qytetarët dhe organizimi politik janë elemente thelbësore të jetës demokratike të çdo subjekti politik”, theksoi Limani. Ai vlerëson se çdo qasje që synon kufizimin e këtyre proceseve rrezikon të prodhojë pasoja të kundërta nga ato që pretendohet të arrihen.
“Është e domosdoshme që vendimmarrja të mbështetet në parimet e konsultimit, transparencës dhe respektimit të rolit të strukturave në të gjitha nivelet. Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse mund të ruhet uniteti, besimi dhe funksionaliteti organizativ”, ka thënë Limani. Madje, ai paralajmëroi se vendi shumë shpejt do të shkon në zgjedhje, prandaj e sheh sit ë panevojshëm masën e moratoriumit. “Në këtë kontekst, lind natyrshëm edhe një pyetje: A do të vlejë masa e moratoriumit edhe në kohën e fushatës zgjedhore që pritet të pasojë së shpejti ?! Organizimi politik nuk ndërtohet mbi pezullime të imponuara, por mbi bashkëpunim, përgjegjësi dhe vendimmarrje kolektive. Nuk ka forcë që ndalon veprimtari, e cila filloi me mision të qartë. Në betejat e zhvilluara me “bërryla”, humbin hileqarët”, ka përfunduar Limani.
Reagime ka pasur edhe nga ish-anëtari i kryesisë qendrore të partisë, Hakim Suma, i cili ka ngritur pikëpyetje për humbjen e dinjitetit dhe meritokracisë brenda Lëvizjes BESA, duke akuzuar se po krijohet përçarje për shkak të ambicieve personale dhe logjikës së ngushtë klanore.
“Ne nuk hymë në këtë rrugë për karrige, por për dinjitet politik. Për përfaqësim real, Për standard dhe jo kompromis me mediokritetin. Nëse dikush mendon se energjia, struktura dhe besimi i njerëzve mund të përdoren vetëm si trampolinë për kalkulime personale, gabon rëndë. Koha e heshtjes ka kaluar. Mbetemi të palëkundur në parime, të qartë në qëndrime dhe të vendosur në mision: forcimin e faktorit politik shqiptar me dinjitet, seriozitet dhe përgjegjësi. Ishim pjesë e rritjes së Lëvizjes dhe nuk lejojmë të fshihemi nga faqet e saj”, është shprehur Suma.
Ndërkohë në rrjetet sociale vërehen edhe aktivistë, sidomos pjesëtar të forumeve rinore kanë shpërndarë fotografi mbështetje ndaj njërit apo tjetrit fraksion. Nga ana tjetër, i pyetur rreth zhvillimeve brenda VLEN-it, kryeministri Hristijan Mickoski refuzoi të jep koment, duke thënë se nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të partnerit të koalicionit qeveritar. Megjithatë, Mickoski inkurajon përfaqësuesit e VLEN-it që të bëhen një parti politike. “Unë nuk mund të komentoj si janë zhvillimet në VLEN, vetëm mund të them se kam komunikim korrekt me secili përfaqësues të qeverise qe vjen nga VLEN. Ashtu që një konsolidim i tillë në një subjekt politik është i mirëseardhur për skenën politike në Maqedoni”, theksoi kryeministri Mickoski.
Në opinion, prej kohësh flitet për mundësinë e formimit të një partie të re nga ana e Fatmir Limanit. Mbetet të shihet nëse përplasjet e fundit brenda Lëvizjes BESA do të jenë një nga arsyet që do ta përshpejtojnë këtë proces. /Koha/






