Me ndryshimet e reja ligjore, deri në gjashtë përpjekje për “fertilizim in vitro” do të mbulohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, nga tre që ishte më parë. Kjo masë konsiderohet nga Qeveria si një nxitje për natalitetin dhe është cilësuar reformë që rikthen shpresën. Kështu e ka përshëndetur Unioni i Grave të VMRO-DPMNE. Deputetja Rashela Mizrahi ka theksuar se ndryshimet ligjore, të propozuara nga shumica parlamentare, hapin një kapitull të ri për mijëra qytetarë që kanë luftuar me infertilitetin për vite me radhë. Një hap drejt kujdesit shëndetësor që nuk përjashton, kujdes shëndetësor të dedikuar për secilin, u shpreh të premten në një konferencë për shtyp deputetja Rachela Mizrahi nga VMRO-DPMNE.
TRAJEKTORJA E NATALITETIT NË RËNIE TË FORTË
“Besoj se kjo masë do të nxisë rritjen e natalitetit”, deklaroi kreu i Unionit të Grave, Zhaklina Peshevska. Dhjetë vjet më parë ish kryeministri Nikolla Gruevski në një fjalim më 8 shtator, Ditën e Pavarësisë përshëndeti suksesin e fushatës qeveritare “Baby Boom” që synon të nxisë çiftet të kenë më shumë fëmijë.
“Po jep fryte. Të kesh një fëmijë të tretë në familje nuk është më një gjë e rrallë. Ngadalë por me siguri po bëhet një hit, modë, diçka normale. Masat e qeverisë po japin rezultate të dukshme dhe përpjekja ia vlejti, pavarësisht se shumë janë skeptikë”, deklaronte ish kryeministri Gruevski duke iu referuar një rritje të vogël të numrit të lindjeve, krahasuar me vitin 2008. Por që nga viti 2014 e deri në vitin e kaluar shifrat dhe projeksionet për natalitetin janë zhgënjyese. Nuk u përmirësuan as nga masat e tjera që ndryshuan nga LSDM. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, publikimit “Maqedonia në shifra” të Entit Shtetëror të Statistikave trajektorja e natalitetit, apo edhe numrit të lindjeve është në rënie të fortë çdo vit.
“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, numri i lindjeve ul me 7,535, dhe shkalla e lindjeve u ul nga 11.4 për qind në 8.8 për qind (lindje për 1,000 banorë). Sipas vlerësimit të fundit të popullsisë (që nga 31.12.2024), Maqedonia ka 1,822,612 banorë, që është 96,768 persona ose 5.0% më pak se vlerësimi i popullsisë në vitin 2014 dhe 60,893 persona ose 3.2% më pak se në vitin 2019. Sa i përket strukturës moshore, popullsia maqedonase po plaket gjithnjë e më shumë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, pjesa e popullsisë së moshuar (65 vjeç e lart) u rrit nga 13.5% në 18.6%.”, ceket në publikimin vjetor.
“BABY BROM” I DËSHTUAR NË RAJON
Masat “Baby boom” të ngjashme dhe pa ndonjë efekt të dukshëm në rritjen e numrit të lindjeve ka edhe në rajon. Bonuse financiare, subvencione strehimi, ndihma mujore, megjithatë, efektiviteti është i kufizuar ose i diskutueshëm – pa reforma strukturale më të thella nuk pritet të duket një “baby boom” i qëndrueshëm. Sipas vlerësimeve të gjitha masat janë orientuar drejt ndihmës financiare – një-herë ose mujore dhe pothuajse askush nuk ka investuar fort në infrastrukturë mbështetëse si çerdhe, leje prindërimi më të gjata. Nga ana tjetër mungesa e punësimit, infrastrukturës, korrupsioni dhe largimi i të rinjve janë faktorë strukturorë që pengojnë ndryshime të qenësishme në strukturën demografike
Që nga 2019, në Shqipëri u aplikua programi “Baby Bonus”: pagesa për lindje prej 40 mijë lek për të parin, 80 mijë për të dytin, 120 mijë për të tretin.
Me një kosto prej 148 milionë euro (20192023). E vlerësuar si ndihmë e kufizuar – jo e qëndrueshme dhe pa ndryshim të ndjeshëm në trendin e lindjeve. Ngjashëm edhe në Kosovë ku që nga viti 2021, aplikohet ndihmë mujore 20e euro për të parin, 40 për të dytin dhe 90 euro për të tretin, deri në moshën 16 vjeç . Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, u vendosën ndihma mujore për fëmijë, 30 euro për familjet me mbi 3 fëmijë) si dhe pagesa për nënat e papuna (minimumi 250 euro për 6 muaj mbi lejen e lindjes) . Vitin e kaluar Serbia rriti ndihmat financiare për lindjet rreth 4 336 euro për fëmijën e parë, 6 344 për të dytin, 20 695 për të tretin dhe 27 230 euro për të katërtin, shpërndarë në këste, plus 120 milionë euro shtesë buxhetor vjetor. Prindërit kanë përfituar gjithashtu subvencione për blerjen e shtëpisë – deri në 20 mijë euro. Megjithatë, numri i lindjeve në 2024 ishte më i ulëti që nga viti 1900 – vetëm 60 311 lindje. /Koha/






