Uji në fshatrat e Pollogut, i pasigurt për pije

     Problemi me ujin në vendbanimet rurale në Pollog vazhdon të thellohet. Në vend se gjendja të përmirësohet, megjithatë mungesa e ujit dhe uji jocilësor janë probleme që gjithnjë e më shumë i shqetësojnë banorët e shumë fshatrave në komunat rurale. Mungesa e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit nuk është në nivel prandaj edhe analizat tregojnë se uji nuk është i pastër për pije.

    “Për fat të keq, gjendja është më e keqe me ujin e pijshëm, sepse 70 për qind e analizave tregojnë se uji nuk është i sigurt për pije apo 90 për qind është mikrobiologjikisht i pasigurt dhe 10 për qind në parametrat fizik dhe kimik është i pasigurt për pije. Tek parametrat kimik dhe fizik, më shumë donion uji i turbullt, kurse tek parametrat mikrobiologjik më shumë kemi të bëjmë me prezencë të bektereve kolforne dhe Esheria Koli. Pra, kjo tregon se ka mungesë të dezinfektimit të rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e Pollogut”, deklaroi mjeku Ratko Davidovski. Sipas tij, në ato fshatra ku uji menaxhohet nga Ndërmarrjet Publike, uji është i sigurt për shkak të mirëmbajtjes, ndërsa aty ku menaxhohet nga vet bashkësitë lokale ka probleme.

    “Aty ku ujësjellësi është në menaxhim të ndërmarrjeve publike ose komunës, uji është më i mirë, apo aty ku komuna ka marrë në pronësi ujësjellësin nga bashkësitë lokale dhe ekziston Ndërmarrje Publike, rezultatet janë të mira, sepse aty bëhet dezinfektim i rregullt i ujit dhe bëhen kontrolle të vazhdueshme, por 70 për qind e vendbanimeve rurale nuk kanë ujë të mirë për pije”,dekaroi Davidovski. Në ndërkohë, sikurse shumë fshatra në Pollog, edhe fshati Zherovjan ka probleme me ujin e pijshëm. Edhe ai pak ujë që vjen përmes ujësjellësit, nuk i plotëson nevojat e banorëve, ndërsa i njëjti nuk është i sigurtë për pije gjatë verës.

    “Ka një sistem të ujësjellësit që vjen nga lartë prej Malit Sharr edhe është sjellur uji në fshat. Ai ujësjellës kaloi në menaxhim të pushtetit lokal dhe tash nuk është për pije. Shumica e banorëve, më shumë se 90 për qind kanë hapur puse dhe është një kosto e madhe, por sërish uji nuk është i pijshëm dhe duhet të blejnë ujin për pije ose të furnizohen nga vendbanime tjera, pasi që uji është i kontaminuar nga ujërat e kanalizimit”, thotë Ismail Ferati, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Zherovjan. Nga komunat rurale, në Bërvenicë uji është i mirë për pije, ndërsa në Komunën e Tearcës uji është i ndaluar për pije në disa fshatra për shkak të kyçjes së ujit të lumenjve në rrjetin e ujësjellësit.

    Nga Instituti për Shëndet Publik në Tetovë, thonë se pasi që në tetor ka zgjedhje lokale, secili që do të kandidojë dhe do të zgjidhet kryetar komune, duhet që të punojë të gjejë fonde që të sigurojë sasi të mjaftueshme të ujit dhe ujë të sigurt. Ndërkaq, edhe këtë verë në shumë fshatra ka ankesa për mungesë të ujit në sasi të mjaftueshme. Banorët kërkojnë që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.  /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Listë e gjatë e pronave të sekuestruara në RMV

    Lajmi i rradhës

    Nga “baby boom” tek “invitro falas”, 7.5 mijë bebe më pak në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë