Qytetarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përballen me institucione të ngadalta, procedura të zvarritura, fatura të diskutueshme dhe mungesë mbrojtjeje për problemet më bazike të jetës së përditshme. Kjo reflektohet edhe në Raportin Vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2025, i prezantuar nga Faton Selami para deputetëve, ku mijëra ankesa tregojnë se problemet e qytetarëve mbeten pothuajse të pandryshuara prej vitesh. Gjatë vitit të kaluar janë shqyrtuar 2.921 raste, prej të cilave 2.400 ankesa të reja të qytetarëve, ndërsa 521 raste janë bartur nga viti paraprak. Mbi 40 për qind e ankesave kanë të bëjnë me shkelje të të drejtave nga institucionet dhe shërbimet publike, çka sipas raportit tregon se qytetarët vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre jashtë institucioneve që në fakt duhet t’i mbrojnë.
Një nga problemet më të mëdha vazhdon të mbetet gjyqësori. Sipas Faton Selamit, shumica e ankesave lidhen me mosrespektimin e afateve ligjore dhe zvarritjen e procedurave gjyqësore, problem i cili vazhdon prej vitesh pa përmirësime konkrete. Ai theksoi se procedurat zgjasin shumë dhe se efikasiteti i tyre shpesh nuk merret parasysh, ndërsa qytetarët mbeten për vite të tëra në pritje të një vendimi. “Përveç kësaj, palët nuk marrin njoftime në kohë për statusin e çështjeve të tyre. Lidhur me punën e përmbaruesve, shumica e ankesave të qytetarëve kanë të bëjnë me debitimin e llogarive të tyre, si dhe me shumën e interesit për borxhin në fjalë”, tha Selami.
Pikërisht procedurat përmbarimore vazhdojnë të jenë një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta. Në shumë raste, qytetarët përballen me situata ku një borxh relativisht i vogël shumëfishohet për shkak të kamatave dhe shpenzimeve procedurale, ndërsa bllokimi i llogarive bankare ua vështirëson edhe më shumë mbijetesën e përditshme.
Nga ana tjetër, faturat e energjisë elektrike vazhdojnë të jenë ndër arsyet kryesore të revoltës së qytetarëve. Shumica e ankesave në fushën e të drejtave të konsumatorëve lidhen me faturat fikse dhe dallimet mes konsumit real dhe shumave që paguajnë qytetarët. Në kushtet kur kostoja e jetesës vazhdon të rritet, faturat e energjisë mbeten një nga barrët më të mëdha për buxhetin familjar, ndërsa qytetarët ankohen se shpesh paguajnë më shumë sesa konsumi real. “Në këtë pjesë, duhet theksuar se Ligji për Energjetikën, i cili hyri në fuqi në maj të vitit 2025, parashikon një detyrim për EVN-në që të lexojë matësit të paktën një herë në tre muaj, që në praktikë do të thotë se faturat me çmim fiks do të vazhdojnë të lëshohen dhe do të shkaktojnë probleme për qytetarët”, deklaroi Selami.
Qytetarët janë ankuar edhe për furnizim të parregullt me ujë, veçanërisht banorët e zonave më të larta të Shkupit, të cilët prej vitesh përballen me mungesa të ujit gjatë periudhave të verës. Problemi vazhdon të përsëritet pothuajse çdo vit, ndërsa banorët ankohen se institucionet reagojnë vetëm përkohësisht pa ofruar zgjidhje afatgjata. Raporti evidenton rritje të ankesave edhe në fushën e mjedisit, sidomos pas rasteve si katastrofa mjedisore në Trubarevë, djegia e deponisë Drisla, problemet me ish-deponinë Vardarishte dhe hedhja e mbeturinave plastike në lumin Vardar. Këto raste kanë qenë në fokus të ankesave të qytetarëve gjatë vitit të kaluar dhe tregojnë se ndotja vazhdon të mbetet një nga problemet më serioze me të cilat përballen qytetarët, sidomos në Shkup dhe rrethinë.
Probleme serioze vazhdojnë të evidentohen edhe në marrëdhëniet e punës. Sipas raportit, qytetarët janë ankuar për paga të papaguara, mospagesë të shtesave dhe kompensimeve, procedura disiplinore dhe mosrespektim të marrëveshjeve kolektive nga punëdhënësit. Në një periudhë kur çmimet vazhdojnë të rriten, ndërsa shumë familje mbijetojnë me të ardhura minimale, pasiguria në vendin e punës vazhdon të mbetet një nga shqetësimet më të mëdha sociale. Shqetësuese mbeten edhe rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Sipas raportit, organizatat civile kanë paraqitur ankesa për rastet në Shkup dhe Veles, ndërsa Avokati i Popullit vlerëson se policia dhe qendrat për punë sociale nuk janë të trajnuara në mënyrë adekuate për mbrojtjen e viktimave.
Për këtë, Selami tha se organet hetuese duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje parandalimit të vrasjes së grave dhe formave të tjera të dhunës me bazë gjinore. Ndryshe, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar ankesa edhe për dhunë dhe ngacmime mes bashkëmoshatarëve, si dhe për kërcënime në rrjetet sociale, çështje për të cilat Avokati i Popullit vlerëson se nevojitet edukim më i madh i popullatës dhe rritje e shkrim-leximit digjital. Koha






