Nga kufizimet e lëvizjes së lirë ndërkufitare më të goditur janë fuqia punëtore dhe studentët

    Fuqia punëtore dhe studentët janë ndër kategoritë më të goditura nga kufizimet e lëvizjes së lirë ndërkufitare pas vendimit të Kosovës për masat anti-Covid.

    Odat e Ekonomisë nga vendet fqinje njëzëri konstatuan se dëmet ekonomike nga kjo masë dy javore janë të larta në ndërveprimin biznesorë të kompanive të vogla dhe të mesme. Nga Oda e Ekonomisë Veri-Perëndimore të Maqedonisë së Veriut thonë se ekonomitë tona janë në goditje të njëpasnjëshme nga krizat që kapluan, andaj vlerësojnë se kjo masë është barrierë shtesë për bizneset dhe ekonominë në përgjithësi. Mos lejimi i qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, sipas tyre, nuk përkon me logjikën ekonomike në këtë periudhë.

    “Duke shprehur mirëkuptimin tonë mbi gjendjen epidemiologjike i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të rishqyrtojë këtë vendim duke mos penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve në rajonin tonë si dhe duke mos dëmtuar akoma dhe më shumë sektorin e gastronomisë”, thonë nga Oda e Ekonomisë Veri-Perëndimore e Maqedonisë së Veriut.

    Meqë shumë punëtorë në baza ditore udhëtojnë drejt Kosovës, kjo masë i ka bllokuar. Kritika të ashpra ndaj këtij vendimi pati edhe nga vetë Oda e Ekonomisë së Kosovës. Kreu i kësaj Ode Berat Rukiqi tha për Alsat se pengesa më e madhe paraqitet në fuqinë punëtore që lëviz nga të dyja anët e kufirit.

    “Ne e kemi kundërshtuar këtë vendim për shkak se nuk është në frymën e vendimeve të kaluara, të cilat pak a shumë kanë qenë të harmonizuara, apo më mirë të themi në linjë me kushtet e lëvizjes me vendet tjera të Ballkanit për lëvizje të njerëzve. Ky vendim i tejkalon edhe kriteret e BE-së, por neve na dëmton më së shumti me lëvizjen e fuqisë punëtore me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës”, deklaroi Berat Rukiqi, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

    Nga Forumi Ekonomik mbarë-shqiptar njoftojnë se rreth 700 studentë të Luginës së Preshevës janë prekur nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ashpërsuar masat anti-COVID në kufi.

    “Personat që studiojnë në Kosovë, ata pas fundjavës nuk ktheheshin dot në Kosovë. Në këtë kategori rreth 700 studentë kanë pengesa në lëvizjen ndërkufitare për të vijuar studimet e tyre. Po ashtu ky vendim arbitrar ka prekur edhe bizneset. Këto masa të pa menduara mirë kanë prekur të gjithë shtresat, kategoritë, grupet e interesit”, njoftojnë nga Forumi Ekonomik mbarë-shqiptar në Luginë të Preshevës.

    Nga 22 janari deri në datën 4 shkurt, shtetasit e huaj që duan të udhëtojnë drejt Kosovës, duhet të kenë certifikatë vaksinimi me 3 doza, ose një certifikatë vaksinimi me dy doza dhe një test PCR negativ. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nuk është e vërtetë se skocezët e pavaksinuar infektohen dhe vdesin më pak se të vaksinuarit

    Lajmi i rradhës

    Vaksinat kundër Covid-19 nuk shkaktojnë “një lloj të ri të SIDA-s”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë