Nga papunësia, fëmijët i detyrojnë të bëhen lypsarë!

    Allmedina Doboviç, nënë e 8 fëmijëve, tregon historinë e saj se si nga mosha e vogël ka dalë për të kërkuar lëmoshë. Rrëfen se prindërit nuk e kanë lejuar të shkojë në shkollë as edhe një vit, por të dalë të mbledh të holla për babin e saj të sëmurë.

    “Prindërit e mi, nëna ime babai im… kjo histori është shumë e madhe, nëna ime ishte asmatike, babai im ka qenë në Bardovcë, me një ndihmë sociale e dini atëherë, fletore duhet të blesh, barna, me një ndihmë nuk mundeshim. Nëna ime më thoshte, vajzë mos shko në shkollë shko të blesh, shko të kërkosh lëmoshë që të blesh për babin barna”, tha Allmedina Doboviç, prind.

    Për fëmijët të cilët gjenden rrugëve duke kërkuar të holla thotë në këtë gjendje i sjell mungesa e kushteve në familje, teksa shton se prej kur ka filluar në punë para 6 muajve, nuk ka dalë të kërkojë ndihmë, as fëmijët e saj nuk i lejon.

    “Kur u rrita u martova kisha 2-3 fëmijë, nuk kisha shkollë të mbaruar, as klasën e parë, kush do të pranojë, pastaj hyra në shkollë, më vendosën me shpejtësi 2 herë, dhe e kam nxjerrë atë për punë dhe tani kam filluar ta kem punën time”, u shpreh Doboviç.

    Këshilltarja shtetërore, nga zyra e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa, tregon se edhe pse ndërmarrin masa për fëmijët që gjenden në rrugë, duke miratuar protokolle për tejkalimin e këtij problemi, përsëri numri i fëmijëve është i madh.

    “Nuk është mjaftueshëm që këta fëmijë të largohen nga rruga, kërkesat tona dhe porositë që i kemi dhënë janë pikërisht në këtë drejtim, që duhet të punohet në vazhdimësi me familjet, të punohet për përmirësimin e gjendjes material dhe sociale në këto familje, të mundësohet punësimi në familje e të ardhurave të përhershme”, tha Bajramovska.

    Përveç kësaj, Bajramovska thekson se ka fëmijë të cilët jetojnë në kushte të tmerrshme pa energji elektrike, dhe pa asnjë mundësi për rritje normale.

    Ndryshe, dje ishte dita ndërkombëtare e fëmijëve në rrugë dhe për këtë u organizua ngjarje në “Qendrën Ditore për Fëmijët në Rrezik” në Shuto Orizarë në kuadër të projektit të BE-së “Forcimi i të drejtave themelore dhe zbatimi i zgjeruar i masave alternative” i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Vendosja e kamerave gjatë zgjedhjeve në Kosovë – të mirat dhe mangësitë

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët e RMV-së kërkojnë rikthimin e “policit të lagjes”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë