Larg është Amerika. Këtë e deklaroi guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Trajko Sllaveski, në përgjigje të një pyetjeje gazetareske nëse Banka Qendrore do të ndjekë lëvizjet e Rezervës Federale të SHBA-së për të ulur normën bazë të interesit që dikton edhe normat e tjera të kamatave. Pas një sesioni dy-ditor, udhëheqësit e Rezervës Federale Amerikane ulën në mesin e shtatorit normat e interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në një interval prej 4.0 deri në 4.25 për qind, siç pritej nga tregu.
Presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell, shpjegoi në konferencën për shtyp se normat e interesit u ulën për shkak të dobësisë së tregut të punës, por ai paralajmëroi gjithashtu se inflacioni është ende i lartë dhe pritet të rritet më tej për shkak të futjes së tarifave. Janë publikuar gjithashtu vlerësime të reja, sipas të cilave një shumicë e ngushtë e udhëheqësve të Rezervës Federale presin që normat e interesit të ulen edhe dy herë deri në fund të vitit.
INFLACIONI, PENGESË PËR ULJEN E NORMAVE
Ulja e normave bazë të interesit e diktuar nga Banka Popullore në Maqedoni, ngjashëm me shtetet e tjera, është një sinjal për lehtësimin e politikës monetare, por për momentin, sipas vlerësimeve të autoriteteve vendore, nuk ka vend për këtë në vendin tonë. Arsyeja kryesore për “frenimin” e Bankës Qendrore mbetet inflacioni, i cili është mbi parashikimet. “Amerika është larg, rrethanat janë krejtësisht të ndryshme. Ne udhëhiqemi nga kushtet e pranishme në ekonominë tonë, vlerësimet, projeksionet, lëvizja e normës së inflacionit.
Megjithatë, fakti që të dhënat e inflacionit në gusht ishin më të favorshme se ato të korrikut është inkurajues; patëm një rënie dhe mendoj se ky trend do të vazhdojë. Do të veprojmë në përputhje me rrethanat dhe me ato që janë ende sfida në aspektin e lëvizjes së inflacionit bazë dhe për disa tronditje të paparashikueshme në të ardhmen”, tha Slaveski. Si rëndom, Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore do të takohet edhe dy herë deri në fund të vitit, në nëntor dhe dhjetor, kur mund të vendosë për masa të tjera në raport me lëvizjen e kamatave apo normave të interesit.
NORMA MESATARE E INTERESIT NË MAQEDONI
Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në gusht 2025 norma mesatare e interesit për totalin e kredive ishte 4.90 për qind, duke u ulur me 0.01 pikë përqindjeje në baza mujore dhe 0.54 pikë përqindjeje në baza vjetore. Norma mesatare e interesit për kreditë e sapomiratuara në gusht ishte më e lartë me 0.06 pikë përqindjeje në bazë mujore dhe arriti në 4.48 për qind, ndërsa në bazë vjetore u ul me 0.56 pikë përqindjeje. Në gusht të vitit 2025, norma mesatare e interesit për kreditë totale të sektorit të korporatave arriti në 4.52 për qind dhe u ul me 0.02 pikë përqindjeje në bazë mujore. Ndërsa norma e interesit për kreditë totale për familjet u ul me 0.01 pikë përqindjeje në bazë mujore dhe arriti në 5.27 për qind. Norma mesatare e interesit për kreditë e miratuara rishtazi për familjet në gusht ishte 4.68 për qind, duke u rritur me 0.01 pikë përqindjeje në bazë mujore.
KOSOVA ME NORMA TË LARTA INTERESI
Ndërkohë, në Kosovë shënohen norma të larta të interesit. Disa banka ofrojnë kredi me normë interesi mbi 7 për qind, ndërsa për bizneset norma është bërë 10 për qind. Ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, që tashmë udhëheq Institutin Hulumtues për Ekonomi dhe Financa, përmend disa faktorë. Në emisionin Radar në Radio Dukagjini ai tha se një vendim i BQK-së ka ndikuar, pastaj inflacioni dhe situata politike me moskrijimin e institucioneve.
“Në rend të parë vendimi i BQK-së. BQK-ja dimë që nuk cakton norma të interesit direkt, mirëpo përmes rregulloreve të ndryshme, rezervave të detyrueshme dhe kërkesës për kapital, kjo ndikon në koston e bankave. Deri më tani në gusht të këtij viti, kur u rrit norma e interesit, mjaftueshmëria ka qenë 8 në raport me klasën e parë dhe 12 në total. Nga gushti i këtij viti, BQK-ja e ka rritur këtë mjaftueshmëri të kapitalit nga 10 dhe 14 për qind. Pra, bankat duhet të mbajnë më shumë kapital rezervë për çdo kredi që japin. Kjo do të thotë se kanë më pak hapësirë për dhënien e kredive të reja. Kosto e kapitalit rritet sepse aksionarët dhe bankat duhet të investojnë shumë para në Kosovë për të mbrojtur normat e reja. Normat e interesit rriten për të kompensuar këtë bllokim të kapitalit të bankave dhe këtë kosto këta zakonisht e transferojnë tek klientët e tyre”, tha Mehmeti.
SITUATA NË RAJON DHE EVROPË
Faktor tjetër i përmendur është inflacioni. Bankat në eurozonë kanë ulur nivelin për miratimin e kredive hipotekare, por kërkesa për to vazhdon të bjerë për shkak të kostove të larta të huamarrjes. Në shtetet e tjera të rajonit dhe në Evropë, kamatat e kredive janë të ndryshme. Normat mesatare të interesit sipas vendeve janë: Gjermania: 3.5% – 4.5%, Franca: 2.9% – 3.5%, Holanda: 3.8% – 4.2% dhe Austria: 3.0% – 3.8%. Nga ana tjetër, kreditë në para të gatshme dhe konsumatore në Hungari janë shumë të shtrenjta. Normat e interesit variojnë nga rreth 10 për qind për konsumatorët deri në 15 për qind për paratë e gatshme.
Rumania, vendi me inflacionin më të lartë në BE për momentin (6.6 për qind në korrik), gjithashtu ka një normë interesi dyshifrore për këtë lloj kredie, mesatarisht 10 për qind. Në Republikën Çeke, normat e interesit për këto kredi janë 8 për qind, ndërsa në Poloni janë rreth 8.7 për qind. Bullgarët paguajnë një normë interesi prej 6.9 për qind për kreditë në leva dhe rreth 5 për qind për kreditë e indeksuara në euro. Në Malin e Zi, që përdor euron, norma e interesit është rreth 7 për qind, dhe në Kroaci, e cila hyri në eurozonë në fillim të vitit, norma varion nga 5 për qind për kreditë e konsumit deri në 5.5 për qind për kreditë e tjera, përfshirë kreditë në para të gatshme. /Koha/






