Ngasësit e trotineteve në RMV nuk njohin rregulla!

    Trotinetet elektrikë, me të gjithë promovimin e tyre të mënyrës së qëndrueshme të udhëtimit dhe lehtësisë së përdorimit, janë bërë një pjesë e zakonshme e rrugëve tona. Megjithatë, në këtë rritje të madhe të përdorimit të tyre, një shqetësim i pandryshuar dhe për të cilin duhet bërë më shumë, është siguria. Kuvendi në fillim të vitit 2020 për herë të parë i ka futur në Ligjin për siguri në komunikacion dhe ka përcaktuar rregullat, mënyrën e vozitjes dhe dënimet për shoferët e pakujdesshëm. Ndërsa qytetarët, as që janë të informuar se ekziston ndonjë ligj për trotinetët elektrikë.

    Gazeta Koha doli në terren për të biseduar me disa nga ata që ngasin trotinete dhe për t’i pyetur se a e respektojnë ligjin për trotinetet elektrike, mirëpo ata nuk kishin ndonjë informatë se ekzistojnë rregulla të posaçme për trotinetet elektrikë.

    “Për herë të parë po e dëgjoj vërtetë, unë ngas thuajse tre vite, por nuk më ka ndodhur të gjobitem. Sa i përket shpejtësisë, ngasim sipas rrugës. Në rrugë më të ngushta ngasim më ngadalë sigurisht. Unë i di rregullat e kufizimit të shpejtësisë, nuk mendoj se është e nevojshme të ketë rregulla të posaçme për trotinete”, tha Agon Emini.

    Ndërkaq, Ligji për sigurinë në komunikacion njoftoi se qytetarët që ngasin trotinetë elektrikë duhet të lëvizin në një shteg biçikletash nëse ka një me shpejtësi maksimale 25 km/h dhe në një shteg apo trotuar me shpejtësi maksimale 6 km/h. Nëse nuk ka rrugë të shënuar me të kuqe në vendkalim, ata duhet të zbresin. Gjobat për mosrespektim të këtyre rregullave janë nga 80 deri në 120 euro.

    “Një trotinet elektrikë mund të përdoret nga një person që ka mbushur moshën 14 vjeç. Shoferi nuk duhet të transportojë persona të tjerë gjatë drejtimit të mjetit, si dhe nuk mund të drejtojë kafshë gjatë kohës që drejton mjetin. Është mirë të vendoset helmetë gjatë vozitjes dhe është e detyrueshme kur bie errësirë të vishet jelek reflektues, sepse në të kundërtën gjoba do të jetë 50 euro”, thuhet në Ligj.

    Nga ana tjetër, sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) trotinetet elektrikë janë përfshirë në ligj, por nuk zbatohen. “Sa i përket kundërvajtjeve të kryera nga drejtuesit e trotineteve elektrikë, në vitin 2022 janë sanksionuar gjithsej 66 vozitës, ndërsa në vitin 2021 janë sanksionuar gjithsej 29 drejtues të trotinetëve elektrikë. Ne inkurajojmë përdorimin e biçikletave dhe trotinetëve elektrikë, të cilët si kategori automjetesh nuk kontribuojnë në ndotjen dhe reduktimin e bllokimit të trafikut, por vërejmë se ato automjete duhet të drejtohen edhe me përgjegjësi, duke respektuar rregullat dhe rregulloret e përcaktuara për qarkullim të sigurt për të gjithë ne”, theksoi MPB.

    Ndryshe, sipas Këshillit Republikan për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), nuk ka të dhëna për numrin e trotineteve në vend.

    “Ndryshe nga mjetet e tjera të transportit për të cilat ka rregullore të përbashkëta evropiane, ende nuk ka asnjë për trotinet. Megjithatë në ligjin tonë rregullat janë të vendosura, por fatkeqësisht nuk respektohen. Jemi dëshmitarë se ata shkojnë në drejtim të kundërt, kalojnë në vendkalime që nuk janë të shënuara dhe në mënyrë që nuk lejohet dhe aty ku nuk ka vendkalim të shënuar nuk zbresin nga trotineti”, thanë nga KRSKRR.

    Lajmi Paraprak

    Mitsotakis: kryeministri dhe presidentja e RMV po e shkelin marrëveshjen e Prespës

    Lajmi i rradhës

    NË DET ME USHQIME NGA SHTËPIA!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë