Një “buldozer europian” për ndryshimet kushtetuese!

    Derisa procesi i skriningut për përputhshmërinë e legjislacionit maqedonas me atë evropian është në vazhdim, në të njëjtën kohë zhvillohet “operacioni” për të siguruar një shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si një kusht i ri i imponuar që Maqedonia të fillojë hapjen e kapitujve të negociatave. E derisa deklaratat që vijnë nga opozita se janë kundër çdo ndryshimi kushtetues pa masa reciproke nga ana e Bullgarisë, qeveria thotë se në funksion të integrimit evropian – po bisedohet me të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe ato të opozitës, ku thonë se ka disponim për të arritur shumicën e nevojshme prej dy të tretash.

    Në ndërkohë, presioni nga bashkësia ndërkombëtare po intensifikohet përmes mesazheve që vijnë pothuajse çdo ditë nga Brukseli, drejtuar të gjithë aktorëve politikë në vend, gjë që krijon dilemë në opinionin maqedonas, nëse Maqedonia “kërcënohet” sërish me të njëjtin skenar si me Marrëveshjen e Prespës, kur të huajt ndërhynë drejtpërdrejt për të siguruar deputetët e nevojshëm për ndryshimin e emrit të shtetit.

    Presidenti Stevo Pendarovski së fundi deklaroi publikisht se kjo ka ndodhur në të kaluarën e afërt dhe se tani është e pamundur të imagjinohet se e njëjta gjë do të na përsëritet. Edhe deklarata e fundit e zëvendëskryeministrit për integrime evropiane, Bojan Mariçiq, për ndihmën e pritur nga partnerët ndërkombëtarë për të siguruar shumicën e nevojshme dy të tretash për votimin e ndryshimeve kushtetuese, ngriti dilemën se mund të presim vizita të shumta të ndërkombëtarëve gjatë vitit të ardhshëm, njëjtë sikur ndodhi para nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, kur Shkupin vizituan liderë të shumtë botërorë, përfshirë edhe kancelaren e atëhershme, Angela Merkel e shumë të tjerë. 

    “Për mua është e pa mendueshme që vetë të bllokohemi  në të njëjtin vend. Sigurisht që do të vijnë në Parlament për të ndihmuar. Ka interes nga kancelari gjerman (Olaf Scholz) dhe presidenti francez (Emanuel Macron) për të ndihmuar në të gjitha mënyrat e mundshme për të arritur 80 deputetë”, theksoi Mariçiq.

    Analistët thonë se Maqedonia ka nevojë për ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar kur janë në pyetje çështjet e jashtme, sepse nuk ka konsensus mes pushtetit dhe opozitës.

    “Së pari mirë është të arrihet një konsensus në mes partive në qeveri dhe opozitës për ndryshimet kushtetuese. Mund të bëhet edhe pa presionin e ndërkombëtarëve, megjithatë prapë Maqedonia e Veriut ka nevojë për ndërmjetësim të huaj kur flitet për çështjet e jashtme. Kështu që gjasat janë që të kemi vizita dhe takime më të shpeshta me diplomatë euro-amerikanë. Dhe kjo vlen për të zbutur opozitës maqedonase”, ka deklaruar Selim Ibraimi, analist. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dibra kërkon kthimin e kompetencave

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia, ndër vendet më të varfra në Europë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë