Një fitore e vogël në luftën e madhe kundër diskriminimit

    Pikërisht në vitin që ishte shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara, Faruk Kukaj nga Prishtina, një person që përdor karrocën për lëvizje, ka fituar një padi kundër Komunës së Prishtinës, nga e cila pretendon se është diskriminuar. Ky aktgjykim fillestar, për të është vetëm një hap drejt realizimit të kërkesave për pjesëmarrje të barabartë në shoqëri për personat me nevoja të veçanta.


    Java e fundit e vitit 2022, Faruk Kukajn e gjen në takim me kolegët e tij në organizatën “Handikos” në Prishtinë, që merret me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

    Viti 2022 për 57-vjeçarin ishte plot me punë dhe angazhim për t’u dalë në ndihmë një prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë, së cilës edhe vetë i takon.

    Që nga fëmijëria, për shkak të një sëmundjeje nervore, Kukajt i duhet përdorimi i karrocës për lëvizje.

    Përveçse i është dashur gjithmonë ndihma e të paktën një personi tjetër për të kryer aktivitetet e përditshme, gjatë gjithë jetës, Kukaj thotë se u përball me vështirësi për lëvizje në rrugë e qasje në shumë objekte, përfshirë ato publike.

    Në kërkim të infrastrukturës për karroca

    Duke u ndier i diskriminuar dhe i frustruar nga kjo gjendje, Kukaj vendosi ta marrë drejtësinë në dorë në vitin 2018, duke dorëzuar padi ndaj Komunës së Prishtinës ku edhe banon.

    Në padi ai kishte kërkuar më shumë se 300 mijë euro dëmshpërblim në emër të dëmeve materiale e shpirtërore.

    Gjykatës, Kukaj po ashtu i kishte kërkuar që ta obligojë Komunën të krijojë kushtet infrastrukturore në mënyrë që të mos vazhdojë ende diskriminimi i tij.

    Ndërkohë, Komuna e kishte kundërshtuar këtë padi duke thënë se “në rastin në fjalë nuk kemi të bëjmë me asnjë nga llojet e diskriminimit”.

    Një shenjë e parë e drejtësisë për Kukajn erdhi vetëm në tetor të vitit 2022, kur Gjykata Themelore e Prishtinës i aprovoi pjesërisht padinë e tij, duke e njohur se ai ishte i diskriminuar.

    Insert dokument- Aktgjykimi i Gjykatës së Prishtinës për rastin e Faruk Kukajt

    Me këtë vendim, Gjykata e obligoi Komunën e Prishtinës që në emër të dëmit material e shpirtëror, Kukajt t’ia paguajë shumën prej 5 mijë e 500 eurosh.

    “Duke i ditur edhe rrethanat tona ku jetojmë pak jam befasuar, sepse e kam pasur një paragjykim dhe bindje që shumë vështirë është të fitosh (ndaj) institucionit, por mirë, mirë e kam pritur”, thotë Kukaj për Radion Evropa e Lirë.

    Në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2011, jetojnë rreth 77 mijë persona me aftësi të kufizuara, ku përfshihen edhe përdoruesit e karrocës.

    Qeveria e Kosovës vitin 2022 e kishte shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara, që, sipas saj, nënkupton mobilizim të të gjitha institucioneve për përmirësimin e kushteve për këtë kategori të shoqërisë.

    Faruku mendon se për të arritur jetë sa më të mirë për personat me aftësi të kufizuara, ata duhet t’i kërkojnë të drejtat në rrugë ligjore, pa pritur vetëm vullnetin e mirë të institucioneve.

    Kukaj: Dua ta bind institucionin të krijojë qasje për të gjithë

    Beteja në gjykatë vazhdon ende

    Ndonëse një vendim në favor të tij, Kukajt i ka sjellë pak gëzim, ai ende nuk është i kënaqur me ndarjen e drejtësisë në këtë rast.

    Fillimisht, gjykata nuk ka aprovuar shumën e saktë që Kukaj e ka kërkuar si dëmshpërblim.

    Mirëpo, ajo që ai mendon si më të padrejtë është se gjykata nuk ka vendosur ta obligojë komunën që të krijojë qasje infrastrukturore për përdoruesit e karrocës.

    “Ajo është pak a shumë paradoks, sepse mua më është pranuar, më është njohur si diskriminim kur nuk është obliguar institucioni që është përgjegjës për krijimin e qasjes për lëvizje të lirë për persona me aftësi të kufizuara, përdorues të karrocës”, thotë ai.

    Faruk Kukaj në zyrën e tij në shoqatën “Handikos”
    Faruk Kukaj në zyrën e tij në shoqatën “Handikos”

    Pikërisht për këtë arsye, avokati i Kukajt, Sylejman Klinaku në nëntor të këtij viti ka bërë ankesë ndaj vendimit të gjykatës duke kërkuar që padia e Kukajt të pranohet në tërësi.

    “Tani po e presim një aktgjykim meritor siç duhet. Po ashtu, kërkojmë që shuma dhe kompensimi të jenë ndryshe jo siç është. Kjo është shumë tejet e vogël për shkeljen e dinjitetit të z.Faruk”, thotë Klinaku.

    Klinaku thotë se në fakt, rasti i Kukajt është vetëm fillimi i betejave gjyqësore të personave me aftësi të kufizuara ndaj institucioneve.

    “Ky është vetëm fillimi. Ne jemi duke përgatitur padi të tjera për secilën komunë për personat me aftësi të kufizuara që nuk kanë qasje në institucione publike”, shpjegon Klinaku.

    Zyra e pensioneve në Prishtinë, pa qasje për karroca
    Zyra e pensioneve në Prishtinë, pa qasje për karroca

    Kosova ka ligj për integrimin e personave me aftësi të kufizuara, por disa raporte, si ai i Avokatit të Popullit, thonë se infrastruktura për ta mungon.

    “Lëvizja e papenguar dhe e drejta për mjedis të sigurt e të shëndetshëm të personave me aftësi të kufizuara është duke u kufizuar vazhdimisht nga mospërmirësimi i infrastrukturës për qasje në objekte të banimit kolektiv, sidomos në objekte të institucioneve publike”, thotë raporti për vitin 2021.

    Madje, në këtë raport, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen se “Komuna e Prishtinës, me një angazhim dhe me një buxhet të përballueshëm, mund t’i rregullojë pjerrinat dhe të krijojë kushte të përshtatshme në Prishtinë për qasjen fizike për personat me aftësi të kufizuara”.

    Komuna e Prishtinës, në anën tjetër, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, po ashtu ka bërë të ditur se ka bërë ankesë ndaj vendimit të gjykatës në favor të Kukajt.

    Në shtator, ky institucion, i kishte thënë REL-it se është angazhuar për rregullimin e pjerrinave për qasje në të dy objektet e Komunës. Po ashtu, edhe për disa përmirësime tjera infrastrukturore dhe për krijimin e qasjes së barabartë për persona të verbër, të shurdhër dhe persona të tjerë me aftësi të kufizuara.

    A ishte viti 2022 vit i personave me aftësi të kufizuara?

    “Nga ana ime, nga perspektiva ime, mund të them lehtë se në letër ka qenë viti i personave me aftësi të kufizuara”, thotë Kukaj.

    Ndonëse nuk ka një vlerësim të përgjithshëm për punën e institucioneve karshi personave me aftësi të kufizuara këtë vit, të dhënat tregojnë se ndaj kësaj kategorie nuk janë kryer as disa prej obligimeve bazike.

    Vetëm 99 persona që punojnë në institucionet publike të Kosovës janë me aftësi të kufizuara – nga mbi 83 mijë sa është numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë sektor.

    Me ligjin në Kosovë, sektori publik dhe ai privat janë të obliguar që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë.

    Në bazë të kësaj, i bie që institucionet publike do të duhej të kishin të punësuar më shumë se 1.600 persona me nevoja të veçanta.

    Në fund të muajit tetor, Radio Evropa e Lirë ka publikuar një seri të raportimeve lidhur me një kategori tjetër shumë specifike, që konsideron se është diskriminuar nga shteti, i cili parashihet t’i japë pension për lehtësimin e jetës.

    Bëhet fjalë për personat e ashtuquajtur paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

    Sipas ligjit, personat në këtë kategori konsiderohen ata që kanë problem me lëvizjen e gjymtyrëve.

    Meqë konsiderohet se e kanë të vështirë të punojnë apo të jetojnë pa ndihmën e një asistenti, Ministria e Financave parasheh që këtyre personave t’u japë pension mujor prej 150 ose 375 eurosh, varësisht nga niveli i invaliditetit.

    Këto pensione jepen për tre ose pesë vjet dhe rregullat parashohin që pas kësaj periudhe të bëhet rivlerësimi i gjendjes shëndetësore të përfituesit të pensionit.

    Persona që i përkasin kësaj kategorie të shoqërisë, në rrëfimet e tyre janë ankuar për diskriminim e maltretim në përpjekjet për të marrë pensionet, të cilat u takojnë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Botohet romani më i ri “Heshtja vret” i Mimoza Mustafai – Jonuzit

    Lajmi i rradhës

    Bernard Arnault – njeriu i ri më i pasur në botë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë