Një ligj për maqedonishten, as lektorë për shqipen  

    Shqetësimi social në rritje për përdorim korrekt në komunikimin publik dhe zyrtar të gjuhës maqedonase, respektimi i saj, promovimi i standardit gjuhësor dhe organizimi i aktiviteteve në atë drejtim, janë disa nga arsyetimet që shoqërojnë projektligjin që Ministria e Kulturës e ka dorëzuar për miratim në Parlament. Ligji është propozuar nga Ministria e Kulturës, e cila nga ana tjetër prej disa vitesh mban pezull një çështje esenciale për shqipen, lektorët e gjuhës. Kjo mangësi vihet re në versionin shqip të projektligjit, të mbushur me gabime drejtshkrimore.

    Leximi i parë i projektligjit për maqedonishten është zhvilluar të enjten në Komisionin e Kulturës, projektligj i cili si qëllim parësor ka ngritjen e kulturës gjuhësore, kultivimin dhe mbrojtjen e standardit dhe shkrimit të saj cirilik. Sipas propozuesit Ligji i ri, do të zgjerojë fushat në të cilat gjuha standarde do të përdoret detyrimisht, si edhe do të zgjerohet fusha e korrigjimit të detyrueshëm të teksteve të botuara, si aktet e përgjithshme dhe individuale të autoriteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore, dokumentet dhe tekstet zyrtare të këtyre organeve, por edhe të institucioneve dhe institucioneve publike të fushës. të kulturës, arsimit dhe shkencës.

    Ajo që nuk është detajuar brenda këtij projektligji, do të plotësohet me akte të tjera nënligjore, si edhe me Strategjinë nacionale që do të hartohet çdo katër vjet. Për shembull, ka gjasa që mësimi i maqedonishtes të paktën në dy semestra të bëhet i detyrueshëm në të gjitha fakultetet, private, apo publike. Kështu kanë deklaruar nga Këshilli i gjuhës maqedonase, të cilët e kanë përgatitur së bashku projektligjin me Ministrinë e Kulturës.

    “Projektligji do të ofrojë bazë ligjore për miratimin e strategjisë kombëtare për gjuhën maqedonase. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të shpallë konkurse për bursa të personelit për mësimin e gjuhës maqedonase. Si edhe më parë – edhe me këtë ligj, verifikimi i njohurive të nevojshme profesionale për lektor do të bëhet me dhënien e provimit për marrjen e licencës së lektorit. Për të kryer mbikëqyrje inspektuese mbi zbatimin e ligjit, propozohet themelimi i Inspektoratit për përdorimin e gjuhës standarde maqedonase, organ në kuadër të Ministrisë së Kulturës me cilësinë e personit juridik”, thuhet në draft.

    Risi që futet me këtë propozim-ligj është obligimi për punësimin e obligueshëm të ligjëruesve në organet e pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, në përfaqësitë diplomatike-konsullore të RMV në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare, në organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, në institucionet publike dhe në media. Për të nxitur mësimin e gjuhës maqedonase është dhënë mundësia që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të shpallë japë bursa për nxënës dhe studentë për mësimin e gjuhës maqedonase në vitin e IV të arsimit të mesëm dhe në të tri ciklet e arsimit të lartë.

    Në përputhje me Ligjin për Kundërvajtje dhe duke pasur parasysh se bëhet fjalë për kundërvajtje në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore (gjuha si pasuri kulturore shpirtërore, jomateriale), parashikohen gjoba në masën trefish më të larta se gjobat maksimale të përcaktuara. Për shembull, gjobat parashikohen të shkojnë nga 300-750 e deri në 1500 euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rrezikohet siguria në komunikacion, persona të pandërgjegjshëm dëmtojnë shenjat

    Lajmi i rradhës

    Qeveria e zgjeruar, “manovrim politik”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë