Një ministri në RMV punëson shqiptarë të deklaruar si maqedonas (Dokument)

    Gazetar | Adrian Kerimi

    Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor së fundmi ka punësuar 12 nëpunës të rinj në Sektorin e Bashkimit Europian (në kuadër të kësaj ministrie). Në bazë të të dhënave të siguruara nga Nistori, rezulton që 12 të punësuarit janë sistemuar në Njësinë e IPA fondeve. Gjatë procedurës së punësimit është keqpërdorur e drejte e deklarimit etnik të kandidatëve që ishin paraparë në këtë sektor nëpërmjet mekanizmit të balanserit.

    Në bazë të dëshmive të siguruara, rezulton se dy nga 10 të punësuarit maqedonas në mesin e të punësuarve të fundit janë shqiptarë të cilët janë deklaruar si maqedonas. Kjo sipas burimeve tona është bërë për shkak se programi për sistemimin dhe rregullimin e përfaqësimit adekuat ka paraparë vetëm maqedonas dhe turq, sepse përfaqësimi i shqiptarëve në këtë institucion arrin afër 35 për qind. Një nga të punësuarit shqiptarë – i deklaruar si maqedonas – është F.B, me adresë në Kumanovë. Në vendimin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe të Planifikimit Hapësinor (nr. 04-2249/9) të miratuar më 19 prill rezulton se F.B është punësuar bashkëpunëtor i ri.

    Edhe pse në bazë të emrit dhe mbiemrit personi në fjalë rezulton shqiptar, sipas vendimit të fundit të kësaj ministrie, i njëjti është punësuar si maqedonas. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor vlerëson se nuk ka pjesë të përgjegjësisë në deklaratat e kandidatëve mbi përkatësinë e tyre etnike.

    “Deklarata e kandidatëve të paraqitur u përcaktua nëpërmjet një aplikimi në internet në sistemin e Agjencisë së Administratës. Çdo aplikues në mënyrë të pavarur plotëson aplikimin dhe në fund nënshkruan deklaratë mbi besueshmërinë e të dhënave”, thuhet në qëndrimin e tyre ndaj pyetjes së Nistori nëse ka keqpërdorime në pjesën e deklarimit të përkatësisë etnike. Në përgjigjen e tyre më tej shtohet se njësia nuk ka asnjë mënyrë se si ta konfirmojë se kush ka deklaruar përkatësi etnike të rrejshme. Jozyrtarisht mësohet se i punësuari tjetër që e ka shfrytëzuar zbraztirën ligjore është nga Tetova.

    Ndërkohë në konkursin e lartpërmendur numër 43/2021 datë 25.2.2021 të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe të Planifikimit Hapësinor për 11 nëpunës shtetëror kërkohen 10 maqedonas/e dhe një turk/e, por sipas informacioneve të Nistorit.com janë punësuar 10 maqedonas (përfshi dy shqiptarë të deklaruar maqedonas) një turk dhe një rom.

    Njësia ku janë punësuar kandidatët nuk ka një shpjegim se si u bë që nga konkursi për 11 të punësuar të punësohen 12 persona. Madje ky institucion në pyetjet e para drejtuar në adresën për kontakt shpjegon se Agjencia e Administratës ka zbatuar shpalljen publike për 11 punësime. Kjo përgjigje i takon datës 8 qershor 2021.

    Një ditë më pas po kjo njësi dërgoi përgjigje tjetër. Në të thuhet se balanseri përcaktoi punësimin e 12 personave prej të cilëve 10 maqedonasë, një turk dhe një rom.

    Agjencia e Administratës vlerëson se të dhënat personale të kandidatëve të vendosura me anë të sistemit elektronik janë të fshehta dhe përcaktimi etnik është çështje individuale e çdo nëpunësi, pjesë në të cilin institucioni nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Shfrytëzimi i zbraztirës ligjore për t’u deklaruar me përkatësi etnike në përputhje me shpalljen publike apo nevojën e institucionet nuk paraqet një risi. Paraprakisht në disa institucionet, nëpunës shtetërorë të përkatësisë maqedonase kishin deklaruar se ndjehen shqiptar vetëm për të zënë vendin e punës. Për këtë dukuri, Qeveria kishte deklaruar se nuk ka mekanizma parandalimi, përpos largimit të balanserit si mjet për garancinë e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kush janë kundërshtarët më të zëshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare të RMV-së që mund të hyjnë në listën e zezë të Biden-it

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut debutoi me humbje në EURO 2020, mposhtet 3-1 nga Austria

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë