Një shtetas maqedonas 58-vjeçar është akuzuar për mashtrim dhe prezantim të rremë si mjek, pasi u ka zhvatur gjashtë personave një shumë prej 41,400 eurosh, raporton portali kroat Index, përcjell Nistori.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Shtetërore të Republikës së Kroacisë (DORH), veprat penale janë kryer gjatë muajve qershor dhe korrik të vitit 2025 në Zagreb, ku i akuzuari ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë, ende të paidentifikuar.
Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonit: i akuzuari i kontaktonte viktimat duke u prezantuar rrejshëm si mjek. Ai u thoshte se familjarët e tyre ishin lënduar rëndë në aksidente rrugore dhe se nevojiteshin urgjentisht para për të mbuluar shpenzimet e mjekimit.
Pasi viktimat pranonin të paguanin, i akuzuari ose bashkëpunëtorët e tij shkonin personalisht për t’i marrë paratë.
Nga ky mashtrim ranë pre gjashtë persona, duke pësuar një dëm total material prej 41,400 eurosh.
Aktakuza është ngritur në Gjykatën Penale Komunale të Zagrebit. 58-vjeçari ngarkohet me tri akuza për mashtrim sipas nenit 236, paragrafi 1, dhe tri akuza të tjera sipas nenit 236, paragrafi 2, të Kodit Penal të Kroacisë.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu zgjatjen e masës së paraburgimit për të akuzuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprave penale. /Nistori/






