Një vit pa libra nxënësit në Maqedoninë e Veriut!

    Viti shkollor përfundon për tre muaj, kurse nxënësit ende nuk kanë marrë tekstet e gjuhës angleze. Tek nxënësit nuk kanë mbërritur as tekstet për klasat e treta dhe të gjashta sipas programit të ri për vitin e ardhshëm. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall një ligj të ri, por mësuesit dyshojnë se është zgjidhje.

    Teksti i historisë në të cilin u zbuluan një sërë gabimesh në mësime nuk është tërhequr ende. Të tilla lëshime, si dhe shumë të tjera që u shfaqën këtë vit, MASH planifikon t’i zgjidhë me ligjin e ri për tekstet shkollore. Ajo që synohet të arrihet me ligjin e ri është shkurtimi i afateve që të mos ketë vonesa në tekstet shkollore, por edhe vendosja e më shumë filtrave gjatë përgatitjes dhe miratimit të përmbajtjeve të teksteve.

    “Do të merren parasysh gabimet dhe palogjikshmëritë, si dhe të mos ketë përmbajtje ofenduese të gjinisë apo të ndonjë aspekti tjetër. Prandaj, zgjidhja ligjore do të duhet të stimulojë, veçanërisht pedagogët e fakultetit pedagogjike dhe ekspertët, që të përfshihen në proces”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

    Një mësuese nga Sh.F “Bajram Shabani” nga Kumanova, për redaksinë tonë ka treguar se ndërsa disa nxënës po mësojnë nga tekstet me gabime, të tjerë nuk i kanë marrë fare tekstet këtë vit shkollor. “Ende nuk ka tekste të gjuhës angleze dhe nuk është e sigurt se ato do të arrijnë deri në fund të vitit, duke qenë se janë ende në fazën e zhvillimit. Problemi i njejtë po vazhdon tash e sa muaj. Më së shumti po humbin nxënësit”, u shpreh ajo.

    Fillimi me kohë i procedurave për tekstet shkollore duhet të jetë prioritet në zgjidhjet e reja ligjore, konsideron Miroslava Pavlova Anevska nga Shoqata e arsimtarëve të gjuhës angleze ELTAM. Në ndërkohë, thotë ajo, mësimdhënësit e gjuhës angleze po japin mësim me programe të reja dhe me tekste të vjetra.

    “Ne shikojmë nga tekstet e vjetra që mund t’i përdorim për pjesën tjetër të programit, kërkojmë përmbajtje nga interneti dhe lihet në gjykimin e mësuesit nëse një përmbajtje e caktuar është e përshtatshme për kurrikulën e re. Ajo që mendoj se duhet të merret parasysh është fillimi i hershëm i procedurave për miratimin e teksteve shkollore për çdo vit shkollor, nëse procedura fillon në shtator 2022/2023 atëherë tekstet duhet të përdoren për vitin e ardhshëm shkollor”,  thotë Pavlova – Anevska. Po ashtu, tekstet për klasën e tretë dhe të pestë, të cilat nga viti i ardhshëm shkollor duhet të jenë sipas konceptit të ri, nuk kanë filluar as të shkruhen dhe të shtypen.

    Viti i kaluar shkollor përfundoi pa çertifikata për nxënësit, pasi tenderët u vonuan, viti i ri shkollor filloi pa tekste dhe që nga fillimi i gjysëmvjetorit të parë filluan kërcënimet me bombë , duke rezultuar në humbje masive të mësimdhënies. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PUNËTORË S’KA, PUNË KA! 10 mijë vende pune për 100 mijë të papunë në RMV

    Lajmi i rradhës

    Vuçiq: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë në takim me Kurtin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë