PUNËTORË S’KA, PUNË KA! 10 mijë vende pune për 100 mijë të papunë në RMV

    Në Maqedoninë e Veriut me vite ofrohen vende të lira pune që ngadalë apo aspak nuk plotësohen. Në periudhën e kaluar në vazhdimësi ofrohen 7000-9000 pozita të ndryshme të punës, por që shpesh mbeten vakante. Në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, kanë qenë të lira 2636 vende pune në fabrika, 826 në ndërtimtari, 1687 në tregti, 742 në transport, 737 në objektet e akomodimit dhe përgatitjes së ushqimit, 839 në shërbimet administrative. Me fjalë të tjera, të dhënat statistikore tregojnë se në tremujorin e fundit të viti në vend kanë qenë të lira 9699 vende pune.

    Nga ana tjetër në vend janë të regjistruar si të papunë mbi 110 mijë persona, prej të cilëve 57.970 janë gra të papunë.

    Për sa i përket arsimit, në nivel të gjithë vendit, shumica e të papunëve janë pa arsim të përfunduar fillor dhe me arsim fillor (65.663), pasuar nga ata me arsim të mesëm të përfunduar (27.505), pastaj ata me arsim të mesëm të paplotë (10.379), dhe ata me arsim të lartë (7658) . Gjithashtu në vitin e kaluar të papunë ishin edhe 595 persona me master dhe 15 doktorë shkencash.

    Njëherësh shkathtësitë e shumicës së të papunëve janë më pak të kërkuara në tregun e punës, andaj edhe sugjerohet rikualifikim i tyre.

    Njohësit e tregut të punë në vend vlerësojnë se shkaku kryesor i një disbalansi të tillë në tregun e punës është problemi i kualifikimit të pamjaftueshëm për vendet e punës.

    Nga ana tjetër, punëdhënësit thonë se të papunët vendosin një sërë kushtesh dhe nuk duan të pranojnë punë për pagë nën 30 mijë denarë. “Në vend nuk është në fuqi një obligim ligj që do t’i detyrojë të papunët të rikualifikohen. Ato tani kanë sigurim shëndetësor dhe nuk e kanë për obligim që ti nënshtrohen procesit të rikualifikimit”, thotë Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë.

    Nga ana tjetër, me vite alarmohet për nevojën e vendosjes së një rendi më të madh në regjistrimin në shkollat e mesme apo vendosjen e një numrit të caktuar të nxënësve që do të mund të regjistrohen në gjimnaze dhe shkolla të ndryshme profesionale në bazë të kërkesave të punëdhënësve.

    Darko Vellkov që me vite merret me ndërmjetësimin në punësim, vlerëson se nevojitet që të ulen shifrat e nxënësve që regjistrohen në gjimnaze, që do t’i përshtatet nevojave dhe kërkesave të biznesit dhe jo dëshirave të familjarëve.

    Ndryshe, vlerësohet se në vend pak po ndiqen edhe trendet e reja evropiane në tregun e punës.

    Analizat e ndryshme tregojnë se në Maqedoninë e Veriut, pas përfundimit të arsimit formal apo të fitimit të një diplome, vetëm afër 2.4 për qind e të diplomuarve vazhdojnë me procesin joformal të trajnimeve dhe kurseve të ndryshme në raport me 10 për qind në Evropë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Me shumicë votash, miratohen raportet financiare të ndërmarrjeve publike në komunën e Tetovës

    Lajmi i rradhës

    Një vit pa libra nxënësit në Maqedoninë e Veriut!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë