Nobeli i Paqes shkon për mbrojtës të të drejtave të njeriut nga Bjellorusia, Rusia dhe Ukraina

    Çmimi Nobel për Paqe 2022 nderon bjellorusin Ales Bialiatski dhe organizatat joqeveritare “Memorial Internacional” (Rusi) dhe “Qendra për Liritë Civile” (Ukrainë)

    Fituesit e çmimit Nobel për Paqe 2022 janë një individ dhe dy organizata: Aktivisti bjellorus për të drejtat e njeriut Ales Bialiatski, organizata ruse të të drejtat e njeriut “Memorial” dhe organizata ukrainase e të drejtave të njeriut “Qendra për Liritë Civile (Center for Civil Liberties)

    Norwegen l Berit Reiss-Andersen, Vorsitzende des Friedensnobelpreiskomitees

    Berit Reiss-Andersen, Kryetarja e Komitetit të Nobelit të Paqes

    Fituesit e çmimeve të këtij viti përfaqësojnë shoqërinë civile në vendet e tyre të origjinës, tha kryetarja e komitetit Berit Reiss-Andersen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Për shumë vite ata kanë bërë fushatë për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve dhe të drejtën për të kritikuar ata që janë në pushtet. Fituesit e çmimit kanë bërë përpjekje të veçanta për të dokumentuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin me pushtetin. Së bashku ata demonstrojnë rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë, tha Andersen.

    Ales Bialiatski u arrestua në Bjellorusi më 14 korrik 2021, së bashku me një duzinë aktivistësh të tjerë të të drejtave të njeriut dhe është dënuar me 12 vjet burg. Qysh në vitin 2011 ai ishte dënuar me katër vjet e gjysmë internim, tre prej të cilave i kaloi në burg. 

    Organizata ruse e të drejtave të njeriut “Memorial International” u shpërbë me forcë nga një gjykatë në Moskë më 28 dhjetor 2021, kinse se ka shkelur “ligjin e agjentëve”.

    Organizata joqeveritare ukrainase “Qendra për Liritë Civile” u themelua në vitin 2007 për të promovuar vlerat e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe solidaritetin në Ukrainë dhe Euroazi dhe për të forcuar parimin e dinjitetit njerëzor. Organizata aktualisht po përpiqet të zbulojë dhe dokumentojë krimet ruse të luftës kundër popullsisë civile ukrainase. Sipas Komitetit të Çmimit Nobel, qendra synon t’i çojë kriminelët para drejtësitë.

     Oleksandra Matwijtschuk, Presidentja e bordit e Qendrës së Lirive Civile

    Oleksandra Matwijtschuk, Presidentja e bordit e Qendrës së Lirive Civile

    Çmim prestigjioz, por edhe i debatuar

    Çmimi Nobel për Paqen është çmimi më prestigjioz politik në botë. Çmimi i jepet nga Komiteti Norvegjez i Nobelit një personi ose institucioni që ka bërë “punën më të madhe ose më të mirë për vëllazërim midis kombeve, për heqjen ose zvogëlimin e ushtrive të përhershme dhe për organizimin dhe promovimin e kongreseve të paqes” në të kaluarën.

    Për çmimin e këtij viti ishin nominuar paraprakisht 343 kandidatë: 251 individë dhe 92 organizata, ndër të to Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), aktivistja për klimën Greta Thunberg, opozitari rus Alexei Navalny si edhe Jacinda Ardern, kryeministre e Zelandës së Re.

    Vitet e fundit, Komiteti i Oslos, pesë anëtarët e të cilit emërohen nga parlamenti norvegjez, është bërë pre kritikash për zgjedhjen e laureatit. Një nga laureatët më të diskutueshëm ishte Barack Obama në vitin 2009, ish-presidenti amerikan, ushtria e vendit të të cilit ishte përfshirë në dy luftëra në kohën kur jepej çmimi. Edhe Abiy Ahmed, laureat i vitit 2019, është një laureat tejet i përfolur.  Kryeministri etiopian është pjesërisht përgjegjës për luftën civile në Tigray, e cila filloi vetëm një vit pasi Ahmed kishte marrë çmimin.

    Java e çmimeve Nobel filloi të hënën me çmimin për mjekësi, pasuar të martën me dhënien e çmimit të fizikës. Fituesi i çmimit Nobel në Kimi u caktua të mërkurën, ndërsa të enjten ai i Çmimit Nobel në Letërsi. Çmimi Nobel në Ekonomi pason të hënën. /DW/

    Lajmi Paraprak

    BB: Shqipëria duhet të rrisë mbështetjen sociale për të varfrit, pavarësisht kushtëzimeve të PBB-së

    Lajmi i rradhës

    Tensione në Pallçisht, banorët protestojnë për mungesën e ujit të pijshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë