Nuk do të ketë mungesë karburanti në RMV

    Bashkimi Evropian vendosi kësaj jave ndalesë për naftën ruse dhe produktet e tjera të rafinuara të saj, duke ulur varësinë energjetike nga Moska, me synimin për të reduktuar më tej të ardhurat nga karburantet fosile të Kremlinit. Ky hap është pjesë e masave për të ndëshkuar Moskën mbi agresionin e saj në Ukrainë. Me fjalë të tjera, BE-ja po ndjek shembullin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe dhe nuk do të importojë më naftë ose produkte të tjera të naftës nga Rusia për të reduktuar më tej varësinë nga burimet ruse.

    Një hap të tillë pritet të ndjekë edhe Maqedonia e Veriut. Pritet që një lëvizje e tillë të mos ndikojë në furnizimin e vendit me derivatet e naftës. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se sanksionet ndaj Rusisë të shpallura nga Bashkimi Evropian do të zbatohen edhe nga qeveria e Maqedonisë. Sipas tij, pritet që në mënyrë protokollare kjo të bëhet nga ministri i jashtëm Bujar Osmani, ndërsa siguron se nuk do të ketë mungesë të karburantit dizel në vend.

    “Si Qeveri, politika është që të ndjekim të gjitha sanksionet që i merr Komisioni Evropian, ata janë partnerët tanë strategjikë dhe ne me siguri do të vazhdojmë kështu”, thotë Bekteshi.

    Edhe autoritetet e tjera përkatëse në vend sigurojnë se nuk do të ketë mungesë të naftës dhe derivateve të saja në vend për qytetarët dhe bizneset. Kreu i Komisionit Rregullator për Energji, Marko Bislimoski thotë vendi nuk importon naftë nga Rusia ose se sasia e tillë është minimale.

    “Nuk pritet mungesë e naftës dhe derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut. Masa e miratuar nga Bashkimi Evropian të dielën vlen për naftën, vajin ekstra të lehtë, vajgurin, karburantin për avionët, por nuk mund të ndikojë në Maqedoni për faktin se edhe në vitet e kaluara nuk kemi importuar naftë ruse. Pjesën më të madhe të derivateve të naftës apo dizelit me afër 90 për qind, e blejmë nga Greqia, ku nafta ruse kishte shumë pak ndikim”, thotë Bislimoski.

    Në nivel të BE-së, nevoja për të siguruar naftë ruse ishte rreth 15 për qind ose rreth 720-730 dollarë për ton. Tani Unioni do të bëjë një blerje të centralizuar për të ulur shpenzimet e transportit dhe tashmë ka lidhur marrëveshje për blerjen e naftës, kryesisht me Kuvajtin, shton ai. Ai thotë se në dhjetë ditët e ardhshme do të monitorohet se çfarë do të ndodhë në bursa dhe nëse do të ketë rritje të shpenzimeve për transport tek kompanitë. Nga ana tjetër, masa për të cilën u ra dakord në muajin maj të një viti më parë, është pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve ndaj Rusisë me objektiv goditjen e ekonomisë së vendit. Qendra e kërkimeve për energjinë dhe ajrin e pastër në BE, raporton se deri në datën 5 shkurt të këtij viti, Bashkimi Evropian importonte rreth 70 milionë euro në ditë prodhime nafte, kryesisht nga Rusia. BE për një kohë shumë të gjatë ka qenë një nga blerësit më të mëdhenj të produkteve të rafinuara ruse. Për momentin ekspertët e sektorit nuk duken të shqetësuar për reduktimin e sasisë së karburantit në Evropë, meqenëse kompanitë kanë arritur të grumbullojnë sasi të konsiderueshme rezervash para hyrjes në fuqi të embargos. Por mbeten ende për t’u vlerësuar pasojat afatgjatë.

    Bashkimi Evropian dhe G7 apo shtatë shtetet me ekonomi më të avancuar si Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të, kanë zgjeruar gjithashtu kufirin aktual të çmimit të naftës së papërpunuar të eksportuar në vende të tjera, për të përfshirë të gjitha produktet e rafinuara.

    Në praktikë, kompanitë me bazë në BE nuk mund të ofrojnë shërbime të caktuara, të tilla si politikat e sigurimit, për cisternat ruse nëse ato transportojnë produkte që shiten me çmim të lartë. Për vajgurin dhe naftën, kufiri i vendosur është 100 dollarë për fuçi, për ato me cilësi më të ulët, 45 dollarë. Analistët shprehen se tavani i çmimeve për produktet e naftës është vendosur në një nivel të lartë, i cili ende lejon Rusisë të përfitojë nga kjo tregti. Kështu, cisternat e siguruara nga kompanitë evropiane do të vazhdojnë të transportojnë naftë bruto ruse dhe produkte të naftës ruse në vendet e treta, tavani i çmimit për këto shkëmbime duhet të rishikohen ndjeshëm në rënie. Sipas tyre mbetet edhe rreziku i anashkalimit të sanksioneve nga rusët, pa instrumente adekuate ligjore për ta shmangur atë.

    Ata theksojnë se kjo lojë ndoshta do të zgjasë për sa kohë që Rusia vazhdon agresionin e saj kundër Ukrainës. Për shembull, Rusia tani po eksporton naftë bruto në vende si Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, India, të cilat më pas përpunojnë produkte të naftës. Disa prej tyre importohen në BE, SHBA ose Australi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    NUK KA SERUM KUNDËR TËRBIMIT! Ministria e Shëndetësisë ngec në prokurim

    Lajmi i rradhës

    UNT me projekt për mbrojtjen e të rinjve nga rreziqet që u vijnë nga rrjetet sociale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë